1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ish i burgosuri politik tenton vetëflijimin

Amarildo Topi9 Tetor 2012

Një ish i burgosur politik në Shqipëri ka tentuar të vetëflijohet duke i vënë flakën vetës, pasi qeveria nuk ka plotësuar kërkesën e tij për kompnesim për vuajtejt gjatë regjimit komunist.

https://p.dw.com/p/16Mjy
Monument në nderim të të përndjekurve politikë, Tiranë
Monument në nderim të të përndjekurve politikë, TiranëFotografi: Arben Muka

Gjergj Ndreca 51 vjeç, prej 17 ditësh, së bashku me 19 ish të burgosur politikë, ka nisur një grevë urie në një nga rrugët kryesore të Tiranës. Ata kërkojnë që qeveria të paguajë për viktimat e regjimit komunist 20 mijë lek të vjetra, për çdo ditë burgimi. Por qeveria thotë se ata e kanë marrë tashmë këtë kompensimin.

Babai i papunë i katër fëmijëve u shkëput nga grupi i grevistëve dhe tentoi të vetëdigjej. Polica deklaroi se ai ka pësuar disa djegie, ndërsa mjekët kanë bërë të ditur se do të duhet kohë për të përcaktuar se nëse ai do t'u mbijetojë apo jo plagëve. Ai ka kaluar gjashtë vite të jetës së tij në burg për veprimtari anti-komuniste, tentoi të arratisej nga Shqipëria e diktatorit Enver Hoxha. Rreth 100 mijë shqiptarë u ekzekutuan, burgosën ose u dërguan në punë të detyruar nga regjimi komunist mes viteve 1945 -1990.

Ashtu si shumë disidentë të tjerë të kohës së regjimit komunist, Ndreca mbështeti Partinë Demokratike të Kryeministrit Sali Berisha, por tani thotë se ai ka keq qeverisur vendin. „Ne duam një çati që fëmijët tonë të mos lagen kur bie shi. Një punë për të jetuar me dinjitet dhe mundësinë për t'u çuar bukë dhe djathë fëmijëve tani,“ thuhet në një deklaratë për shtyp të grevistëve.

Berisha përjashtoi mundësinë e bisedimeve me grevistët javën e shkuar. Ai tha se qeveria ka kaluar disa ligje për kompensimin e ish të burgosurve politikë. „Abolutisht çdo njëri prej tyre ka marrë këstin e parë. Ligji thotë se kësti i dytë do të merret pas moshës 65-vjeçare. Ata që nuk kanë sjellë dosjet para vitit 201o nuk do të marrin kompensimin,” tha Berisha.

Ndërkohë pas ngjarjes së ditës së hënë (8.10.2012) Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Qëndra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut dhe Qëndra Shqiptare e Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës i kanë bërë thirrje qeverisë shqiptare, që ta vlerësojë me seriozitet këtë gjëndje të rëndë dhe të gjejë sa më shpejt mundësinë e takimit me grevistët.