1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bo Xilai humbet të gjitha postet politike në parti

12 Prill 2012

Një skandal politik ka tronditur Kinën. Bo Xilai, ish kryetari i partisë në qytetin 30 milionësh Chongqing, ka humbur të gjitha postet partiake. Kundër të shoqes të akuzuar për vrasje, janë duke u zhvilluar hetime.

https://p.dw.com/p/14brK
Bo Xilai
Bo Xilai humbet të gjitha postet politike në partiFotografi: AP

Saktësisht në orën 23:00 me orën e Pekinit u konfirmua të martën në mbrëmje njoftimi i agjencisë zyrtare të lajmeve, Xinhua duke u konfirmuar thashethemet me të cilat bëheshin spekullime prej ditësh. Bo Xilai, deri në muajin shkurt shef i partisë në qytetin më të madh kinez Chongqing, mbajtësi karizmatik i shpresave për të ashtuquajturën "E majta e re", bir i një veterani të shquar të revolucionit, pjesë e kastës së preferuar, ky Bo Xilai humbet vendin e tij në Byronë Politike dhe në Komitetin Qendror të Partisë. Kështu mori fund karriera e shpejtë politike e tij. E shoqja e tij Gu Kailai, akuzohet për vrasjen nëntorin e kaluar të biznesmenit britanik, Neil Heywood.

Shfaqja e fundit në publik e Bo Xilais u bë një muaj më parë. Më 9 mars u zhvillua një konferencë shtypi gjatë Kongresit Popullor në Pekin, ku ai hodhi poshtë të gjitha akuzat. "Në këtë mënyrë përlyhet qyteti Chongqing, unë dhe madje dhe familja ime. Të gjitha janë të pavërteta. Unë jam shumë i indinjuar. Jo vetëm im bir, por edhe ime shoqe nuk zotëron asnjë pasuri private. Ime shoqe ka qenë avokate e njohur. Për shkakun tim ajo hoqi dorë 20 vjet më parë nga profesioni. Tani është kthyer në grua shtëpie. Unë i jam shumë mirënjohës për sakrificën që ka bërë."

Partia Komuniste e Kinës përpiqet të tregojë unitet
Partia Komuniste e Kinës përpiqet të tregojë unitetFotografi: dapd

Shtëpiakja Gu Lailai, akuzohet tani të ketë vrarë nëntorin e kaluar biznesmenin britanik Neil Heywood- sipas të dhënave të Xinhua për shkak të diferencave në biznes. Heywood u gjet pa jetë në hotelin e tij. Diagnoza është helmim me alkool. Trupi pa jetë i tij u dogj për tu kthyer në hi, pa bërë më parë autopsinë. Lidhja e Gu Kailai me vrasjen e britanikut 41 vjeçar, i cili ka patur lidhje të gjata familjare me familjen Bo Xilai i përshtatet shumë mirë mozaikut të këtyre ngjarjeve:

Në fillim të muajit shkurt presidenti i policisë në Chongqing, Wang Lijun, u shkarkua nga detyra pa arsye. Ai ka patur më parë gjoja sherr me Bo Xilai. Wang duhet të ketë shpjeguar se oficerët e tij mendojnë se në vdekjen e Heywoods, ka qenë në lojë helmi. Oficerët nuk kanë dashur të nënshkruajnë një raport, në të cilin flitej për vdekje nga alkooli. Pasi Wang Lijun-it i zhduken edhe bashkëpunëtorët e ngushtë, nga frika për jetën ai shkon në konsullatën amerikane në qytetin 300 km larg, në Chengdu. Policia e Chongqing-it rrethon konsullatën. Kështu afera merr vëmendje ndërkombëtare. Një ditë më pas Wang Lijun largohet nga konsullata, me dëshirën e tij, siç thuhet. Punonjës nga Pekini e shoqërojnë në kryeqytet. Ai akuzohet tani për tradhëti të lartë.

Në përfundim të Kongresit Popullor, kryeministri Wen Jiabao foli për rastin e Wang Lijun. "Incidenti i Wang Lijun-it ka zgjuar vëmendjen kombëtare dhe ndërkombëtare. Ju siguroj, se qeveria qendrore është duke u marrë me këtë rast. Ajo është duke kryer hetime të posaçme."

Wang Lijun, nga frika për jetën shkon në konsullatën amerikane
Wang Lijun, nga frika për jetën shkon në konsullatën amerikaneFotografi: dapd

Për Bo Xilain kjo ka tingëlluar si kërcënim. Wen Jiabao ka kritikuar indirekt edhe politikën e Bo Xilais-it duke paralajmëruar për rreziqet e një revolucioni të ri kulturor: "Procesi reformator ndodhet në fazën e fundit. Pa sukses në reformat politike nuk mund të ketë sukses në reformat ekonomike. Ne mund të humbasim çka kemi fituar deri tani. Problemet e reja shoqërore nuk mund të zgjidhen më nga rrënjët. Tragjeditë historike si revolucioni kulturor mund të përsëriten."

Që ditën tjetër Bo Xilai shkarkohet si kryetar i partisë, pa të dhëna për arsyet. Që nga ajo ditë ai ndodhet në arrest shtëpie.

Diskutimet për luftrat për pushtet në rrethet më të larta të partisë nuk heshtin. Bo Xilai kërkonte me ambicie të madhe të ngjitej në qendrën e pushtetit në Kinë, në Byronë Politike nëntëanëtarëshe. Në Kongresin e 18-të të Partisë, që mbahet në vjeshtë vendet do zihen nga e para. Klikat e ndryshme brenda partisë mundohen të marrin sa më shumë ndikim në organin më të lartë vendimmarrës në Kinë.

Bo Xilai nuk është vetëm pjesë e të preferuarve, por edhe përfaqësues prominent i të ashtuquajturës "E majtë e re". Këta duan t' i zgjidhin problemet shoqërore të Kinës, si për shembull rritja e hendekut midis të varfërve dhe të pasurve ose korrupsionin në rritje nëpërmjet kontrollit më të madh të shtetit. Ata duan njëkohësisht që të vazhdojnë trashëgiminë revolucionare. Bo Xilai hoqi në Chongqing reklamat nga televizioni dhe vuri sërish këngët revolucionare të kohës së Maos. Ai filloi një fushatë anti- korrupsion në të cilët mijëra vetë u dënuan dhe dhjetëra u ekzekutuan. Ligji dhe e drejta nuk kishte shumë vlerë.

Nga ana tjetër ndodhen forcat reformatore rreth kryeministrit, Wen Jiabao. Ata duan t' i zgjidhin problemet e vendit me reforma, duan më pak shtet dhe më shumë shtet të së drejtës. Wen Jiabao foli para pak kohësh për të hequr monopolin e bankave shtetërore. Për vëzhguesin e Kinës, Willy Lam këtu është duke u luajtur një luftë klasike për pushtet. Pas luftrave të zhvilluara një muaj rresht, partia kërkon tani të tregojë imazhin e unitetit.

Partia Komuniste e Kinës përpiqet të tregojë unitet
Partia Komuniste e Kinës përpiqet të tregojë unitetFotografi: Reuters

"Ata duan të tregojnë sa më shumë të jetë e mundur fasadën e unitetit, si për anëtarët e partisë ashtu edhe për popullin. Kjo është në interes të fraksioneve. Unë nuk besoj se deri në vjeshtë nuk do të ketë një skandal."

Ndërkohë shtypi shtetëror është plot komente në të cilat bëhet thirrje për unitet. Kjo tregon se uniteti në të vërtetë është një gjë që mungon.

Autor: Mathias von Heinma

Redaktoi: Aida Cama