1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pakistan Islamisten Tod

5 Tetor 2010

Nga sulmi i një avioni amerikan pa pilot në veriperëndim të Pakistanit, sipas shërbimit të fshehtë pakistanez, janë vrarë disa islamistë gjermanë. Në këtë rajon kufitar trajnohen gjermanë për qëllime terrorizmi.

https://p.dw.com/p/PVeB
Një ushtar pakistanez monitoron kufirin me Afganistanin në Vaziristanin veriorFotografi: AP

Një gjë duket tashmë se është e qartë: Disa islamistë militantë, ndër ta edhe shtetas gjermanë, janë vrarë gjatë sulmit të një avioni pa pilot në kufirin afgano-pakistanez. Raketat qëlluan të hënën në mbrëmje (4.10.) një shtëpi në qytetin Mir Ali në rajonin e Vaziristanit Verior pranë kufirit afgan. Bëhet fjalë për deri 12 të vrarë.

Të dhëna se të vrarët janë gjermanë

Së paku katër prej tyre duhet të jenë nga Gjermania, burime të tjera flasin për tetë gjermanë të vrarë dhe shumë të plagosur. Të dhënat është vështirë të vërtetohen, sepse pas sulmit kufomat u larguan nga talibanët nga vendi i ngjarjes.

Qoftë burimet amerikane, qoftë ato pakistaneze sjellin të njëjtat të dhëna për detajet e sulmit. Sipas tyre avioni pa pilot me udhëzim të shërbimit të fshehtë amerikan, CIA ka hedhur dy raketa mbi shtëpinë e një kryetari fisi në rajonin e Vaziristanit verior në anën pakistaneze. Udhëheqësi i fisit, i cili strehonte ekstremistët, sipas të dhënave ka patur lidhje të ngushta me shefin e talibanëve lokalë.

Pakistan Deutsche Islamisten getötet
Një pamje padatuar e avionëve pa pilot amerikanë tregon tipin MQ-1. Nga sulmi me avionë pa pilot u vranë të hënën (04.10) 12 militantë islamistëFotografi: picture-alliance/dpa

Dëshmitarët i përshkruan të vrarët si arabë, por nuk mundën të jepnin të dhëna të tjera për identitetin e tyre. Vendasit në kufirin ndërmjet Pakistanit dhe Afganistanit konsiderojnë arab zakonisht çdo të huaj, që vjen nga Gadishulli Arabik, nga Lindja e Afërt, deri në Turqi.

Në kampe trajnohen si gjermanoturqit ashtu edhe gjermanët

Po ashtu e paqartë është se cilit grup ekstremist i përkisnin të huajt. Zonat në veriperëndim të Pakistanit, ku mbizotërojnë marrëdhëniet fisnore, shërbejnë si bastion për islamistët radikalë të afërt me organizatën terroriste Al Kaida. Aty ndodhet edhe rrjeti pakistanez Hakkani, përgjegjës për sulmet ndaj trupave të NATO-s në Afganistanin fqinj. Shpesh aty shihen edhe luftëtarë me origjinë perëndimore, të cilët siç duket përgatiten në kampet e shumta terroriste të këtij rajoni të pakalueshëm. Sipas të dhënave të shërbimeve sekrete krahas ekstremistëve nga pjesë të tjera të Evropës në këto kampe trajnimi ndodhen edhe disa dhjetëra gjermanë me origjinë turke dhe gjermanë. Në qershor në këtë zonë qe arrrestuar një islamist gjerman dhe dy muaj më vonë ai u dërgua në Gjermani. Nëse ekstremistët gjermanë të vrarë tani, ishin të përfshirë në planet e sulmeve të Al-Kaidës në Evropë, është deri tani e paqartë.

Symbolbild deutsche Islamisten
Pamje e marrë nga interneti në një videomesazh. Islamisti Eric Breininger kërcënon me sulme në GjermaniFotografi: AP / DPA / Fotomontage: DW

CIA po përdor gjithnjë e më shumë avionë pa pilot, për të sulmuar islamistët militantë në territorin pakistanez në kufi me Afganistanin. Vetëm në shtator shërbimi sekret amerikan kreu 26 sulme me raketa të telekomanduara, më shumë se kurrë më parë brenda një muaji. Sipas të dhënave amerikane në këtë mënyrë goditen rrjetet militante, që kryejnë sulme ndaj trupave të amerikane në Afganistanin fqinj dhe shkatërrojnë celulat terroriste, që planifikojnë sulme në Evropë.

Autor: Sabina Matthay/Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi