1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Islamistë në qendër të Moskës' : Intervistë me politologun Aleksander Rahr.

30 Mars 2010

Eksperti i Shoqatës Gjermane për Politikën e Jashtme thotë në radion Deutschlandfunk se Kaukazi Verior është kthyer në terren pjellor për terroristët dhe se puna e organeve të sigurisë në Rusi është e dobët.

https://p.dw.com/p/MhAm
Aleksander RahrFotografi: IIR/Hergenröder

DLF: Në shpërthimin në metronë e Moskës u vranë sot në mëngjes të paktën 39 vetë. Nuk ka asnjë dyshim që kemi të bëjmë me një akt terrorist. Një atentat në qendër të Moskës. A mund të na e përshkruani qarkun e dorasve të mundshëm?

Rahr: Po, sigurisht! Unë besoj se ky atentat terrorist ka një sfond çeçenas ose kaukazoverior, megjithëse nuk mund ta përjashtosh krejtësisht që atentati terrorist erdhi nga skena e djathtë, sepse në Rusi ekziston ndërkohë edhe një skenë ekstremiste e djathtë. Unë tërheq vëmendjen në faktin që edhe dy muaj më parë pati dy atentate në trenin ekspres Shën-Petersburg - Moskë, gjithashtu me disa të vrarë dhe nxitësi i tyre ishte një ekstremist i skenës së djathtë. Më pas atë e kapën.

DLF: Për një sfond islamist, më një fjalë çeçen nuk ka ende të dhëna konkrete. A paraqet kjo anë një rrezik real?

Rahr: Unë mendoj se ky atentat spektakular, siç e pamë tani, ka natyrisht firmën e ekstremistëve islamikë. Në Kaukazin Verior ata vazhdojnë të jenë shumë aktivë. Vërtet që Çeçenia si republikë ndodhet sot nën kontrollin e klanit të Kadirovit dhe prej atje Rusinë nuk e kërcënon ndonjë rrezik. Separatistët atje janë blerë të gjithë nga Kadirovi dhe janë integruar në strukturën e klanit të tij. Por në republikat fqinje, në Dagestan dhe në Ingusheti situata është e paqëndrueshme. Atje ka javë, nëse jo muaj që ka atentate ndaj autoriteteve shtetërore. Edhe guvernatori i Ingushetisë ra viktimë e një atentati.

DLF: Janë këto atentate islamistësh?

Rahr: Janë të njëjtat atentate, siç i kemi përjetuar në fund të viteve '90, në fillim të shekullit në Rusi, me acarim deri në Beslan në Kaukazin Verior, kur ndodhën pengmarrjet e tmerrshme. Unë besoj se terrorizmi islamik, i mbështetur ndoshta edhe nga strukturat e El Kaidës, sepse dikush i furnizon me armë dhe logjistikë terroristët, ndodhet në avancim në këto rajone. Pushteti shtëtëror është i pafuqishëm në këtë rajon. Para së gjithash kriza financiare ka krijuar në këtë rajon terren të volitshëm për terrorizmin, sepse nga ana ekonomike ky rajon ndodhet në tatëpjetë.

DLF: Një indikacion është ndoshta vendi i atentatit të parë, stacioni i metrosë Lubianka, nën rezidencën e shërbimit të fshehtë rus. A ndodhet shërbimi i fshehtë në shënjestër të luftës terroriste?

Rahr: Shërbimi i fshehtë ndodhet me të vërtetë në shënjestër të terrorizmit. Edhe në Ingusheti dhe në Dagestan sulmohen para së gjithash stacione të shërbimit të fshehtë FSB, ose stacione të policisë.


DLF: Atentatet erdhën krejt papritur. Rusia konsiderohej relativisht e sigurt. Ky me sa duket ishte përfundim i gabuar. A janë organet e sigurisë më të dobëta se emri, që kanë?


Rahr: Organet e sigurisë janë në gjendje të dobët në Rusi. Presidenti Medvedjev ka urdhëruar tani një spastrim të madh në aparatin policor. Problemi atje është korrupsioni i pakufishëm, edhe rrogat e ulta të nëpunësve. Unë nuk e di si është gjendja në vetë shërbimin e fshehtë FSB, por ne ka kohë që nuk kemi dëgjuar për suksese të mëdha në luftë kundër terrorizmit në Kaukazin Verior. Problemi mbetet i pandryshuar dhe kriza financiare, gjendja në Rusi, jep kontributin e vet për ta keqësuar situatën.

Autor: Jürgen Liminski/DLF

Redaktoi: Angjelina Verbica