1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ismail Kadare: Njëzet vjet më parë Shqipëria ishte në një hipokrizi të pashembullt

20 Shtator 2010

Njëzet vjet më parë Ismail Kadare largohet nga Shqipëria për në Paris. Në këtë intervistë për Deutsche Wellen, shkrimtari shpjegon Shqipërinë e asaj kohe dhe largimin e tij.

https://p.dw.com/p/PHbX
Shkrimtari Ismail Kadare në bisedë me Mimoza Cila Kelmendin
Shkrimtari Ismail Kadare në bisedë me Mimoza Cila KelmendinFotografi: DW

Para 20 vjetëve në kohën kur kishte rënë Muri i Berlinit dhe revolucioni kadife transformoi Çekosllovakinë si dhe pasi bullgarët kishin rrëzuar Zhivkovin dhe rumunët Çausheskun, shkrimtari Ismail Kadare largohet nga Shqipëria në shenjë proteste ndaj pushtetit që mashtronte dhe nuk ndërmerrte hapa për demokratizionin e vendit. Kadare kërkon me vonë azil politik në Paris me shpresë se do të ndihmojë Shqipërinë për të dalë nga totalitarizmi.

Deutsche Welle: Zoti Kadare, ju kujtohet momenti kur vendosët të largoheshit nga Shqipëria? Ishte i vështirë për ju?

Ismail Kadare: Më kujtohet natyrisht. Por nuk mund të them që ishte i vështirë largimi im. Po të krahasohet me ikjet dramatike apo tragjike të njerëzve që tentonin të kapërcenin kufirin. Pra ikja ime si të thuash ka qenë e thjeshtë jo e vështirë në kuptimin teknik. Pra kam ikur me avion, kam ikur me pashaportë. Unë kam qëndruar në Paris dhe nuk jam kthyer më, sepse kam deklaruar arsyen pse e lashë Shqipërinë. Dhe kjo ishte e rëndësishme. Pra nuk ishte e rëndësishmja vetë ikja, ajo vetë ka qenë e thjeshtë në kuptimin e realizimit për tu larguar. Sigurisht që shpirtërisht ka qenë e vështirë, pasi do lija njerëzit e mi, pavarësisht se time shoqe dhe vajzat ishin në atë kohë në Francë, por kisha nënën në Shqipëri, vëllain, motrën e shumë të afërm të familjes.

Deutsche Welle: Ju keni tentuar edhe shumë më herët të largoheshit por nuk e bëtë. Pse pikërisht në këtë kohë ndodhi kjo? Kam parasysh këtu zhvillimet që po ndodhnin në Shqipëri si takimet që patët ju bashkë me disa intelektualë me Ramiz Alinë ku kërkonit fillimin e proceseve demokratike. Pra çfarë ndodhi që ju e braktisët vendin pikërisht në këtë kohë?

Ismail Kadare: Ikja ime ishte gati e detyrueshme. Si të thuash unë e quajta në mendjen dhe veten time si diçka që duhej bërë patjetër. Tani kanë kaluar 20 vjet dhe mendon ndryshe sikur gjërat ishin më të thjeshta, por Shqipëria ishte në një gjendje krejt tjetër, ka qenë në një hipokrizi të pashembullt në historinë e saj. Shteti shqiptar për të përballuar trysninë që vinte nga brënda dhe nga jashtë, por sidomos nga brënda, premtonte çdo gjë, çdo ditë, çdo natë se do të bënte diçka, i mbante njerëzit me një mashtrim të vazhdueshëm. Në fakt pushtetarët nuk kishin ndërmend të bënin asgjë. Këtë e them me përgjegjësi të plotë. Unë nga një korrespodencë, një letërkëmbim që kam pasur me shefin e shtetit në atë kohë Ramiz Alinë, mora vesh se të gjitha ato ishin dokrra, ishin një mashtrim i madh dhe prandaj mu duk e detyrueshme që të gjeja një mënyrë për t'ja bërë të njohura këto popullit shqiptar dhe botës. Ju e dini që në Shqipëri në atë kohë nuk mund të ndodhte, s'kishte asnjë liri shtypi, qoftë edhe ajo më minimalja nuk ekzistonte ende. Nuk mund të bëheshin gjërat me aluzione, me dy kuptime, kishte ikur ajo kohë, duheshin thënë gjërat haptas, fare haptas, t`i thuhej kombit shqiptar, popullit shqiptar, që këtu ka një mashtrim të madh., s'duhet besuar më asgjë nga këto. Tani kishte ardhur momenti që ta vendoste ky popull se ç'duhej bërë. Dhe unë për këtë e quajta të detyrueshme ikjen, ikjen me çdo mënyrë.

Deutsche Welle: Në këtë kohë zoti Kadare për të cilën po flasim kishin filluar ndryshime shumë të mëdha në bllokun e Lindjes. Pas rënjes së Murit të Berlinit kemi ndryshime në shumë vende si në Rumani dhe Bullgari. Ju si shkrimtar dhe si intelektual bashkë me kolegët e tjerë nuk besonit se tashmë edhe Shqipëria diktatoriale i kishte ditët e numëruara? Nuk shpresonit që regjimi do të rrëzohej?

Ismail Kadare: Sigurisht që kam patur shpresë sikurse një pjesë e madhe e popullit shqiptar sidomos një pjesë e intelektualëve. Kam besuar dhe pastaj e kam ndjerë veten fajtor që kam besuar. Sepse nuk ishte e vërtetë. Ishte një gënjeshtër e gjitha në Shqipëri. Prandaj po e përsëris që ikja ime nga Shqipëria ishte e detyrueshme. Kisha besuar dhe ndjehesha fajtor që kisha besuar. Ky besim i rremë duhej dënuar dhe nuk duhej të vazhdonte më, sepse shteti shqiptar po vazhdonte në mënyrë cinike të gënjente. Është e pashembullt, është rast i rrallë në historinë e njerëzimit një cinizëm i tillë që një shtet nuk kishte ndërmend të bënte asgjë. Pushtetarët arritën të bëjnë mashtrimin më të madh. Një ditë bënë një mbledhje kinse me intelektualët që paskan penguar liberalizimin e Shqipërisë. Mund të merret me mend kjo që në një vend lindor sado infernal të jetë të dojë partia komuniste që drejton vendin, të dojë byroja politike, të dojë kreu i shtetit që të demokratizojë Shqipërinë dhe ta pengonin intelektualët! Por kjo s'ka bërë vaki kurrë në botë që të pengojnë filozofët, shkrimtarët apo artistët një gjë të tillë. Kjo gjuhë u tha në Shqipëri. Kështu u tha në fund të gushtit dy javë para se të largohesha unë nga Shqipëria. U bë kjo mbledhe e turpshme dhe u hap kudo kjo gënjeshtër: Ramiz Alia donte të demokratizonte Shqipërinë, por sipas tij nuk e lanë shkrimtarët, nuk e lanë intelektualët. Nuk është dëgjuar mashtrim më i madh se ky në botë.

Deutsche Welle: Pas 20 vjetësh zoti Kadare si e vlerësoni ngarjet e korrikut, futjen e mijëra emigrantëve nëpër ambasadat e huaja për një jetë më të mirë ? A i shpejtuan ato zhvillimet e ardhëshme në Shqipëri?

Ismail Kadare: Pa dyshim ishte një nga faktorët, sepse ishin disa faktorë që u ndërthurën për rrëzimin e diktaturës. Por hapja e ambasadave ishte një faktor vendimtar si kurse edhe lëvizja e dhjetorit. Populli shqiptar tregoi që nuk e donte më këtë regjim. Por çfarë duhej bërë për ta përmbysur, sepse ky regjim mund të përdorte armët, mund të përdorte krimin, mund të ndodhte versioni rumun. Unë kam pasur mendimin se në Shqipëri ky version mund të ishte edhe më i keq dhe do të duhej një kohë shumë e gjatë për tu shplarë ai kujtim i hidhur. Ka dy mendime: mund të ishte edhe tjetra, e kundërta. Një prerje drastike me regjimin e vjetër do të ishte ndoshta më efikas, askush nuk mund ta parashikonte para 20 vjetësh me saktësi se cili do të ishte versioni më i mirë. Por një mendim i përgjithshëm ishte krijuar mendoj unë. Ndoshta ishte më mirë sigurisht që u shmang një gjakderdhje.

Deutsche Welle: Dhe kjo ishte meritë e ish presidentit Ramiz Alia që nuk pati gjakderdhje në Shiqpëri, sepse edhe ai kështu ka deklaruar në një intervistë për DW?

Ismail Kadare: Përkundrazi. Partia në pushtet po të kishte filluar procesin e vërtetë të sinqertë të liberalizimit, procesin sidomos të afrimit me Evropën Perëndimore, populli shqiptar do ta ndiqte absolutisht. Dhe jo siç vepruan me ca gjëra të shëmtuara që donin ta zgjasnin pushtetin edhe nja dhjetë vjetë të tjera. Populli shqiptar nuk mund të priste. Absolutisht. Po të ishin të sinqertë që të afroheshin me perëndimin si në rastin që përmendet shpesh “shansi gjerman”, por ata e prishën me duart e tyre. I grisën dosjet me duart e tyre. Edhe tani ende përpiqen ta përligjin këtë të vërtetë ta justifikojnë se gjermanët nuk na premtuan asgjë. Nuk është e vërtetë, unë e kam ndjekur vetë këtë problem. E di mirë.

Deutsche Welle: Pra ju zoti Kadare jeni i bindur se Shqipërisë i është ofruar dora nga Perëndimi?

Ismail Kadare: Absolutisht po. Ndoshta për Shqipërinë ka pasur një periudhë që është shpërfillur nga Perëndimi, dhe faji kryesor është po i saj në e pastaj i Perëndimit, ku shpërfillja është tepruar. Por në vitet pas vdekjes së Enver Hoxhës, Perëndimi përmes Gjermanisë bëri një provë me Shqipërinë dhe dështoi për fajin shqiptar absolutisht.

Deutsche Welle: Pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri çfarë ndryshoi për ju si shkrimtar, si intelektual. Liria që ju mungonte në diktaturë të gjithë shkrimtarëve apo intelektualëe dhe artistëve, tani është prezente. Sa ndjehet konkretisht ndryshim për këtë shtresë krijuese?

Ismail kadare: Në letërsi shumë gjëra ndodhin ndryshe. Në letërsi nuk ka ndryshime të tilla si ne jetë, që t`u ngjajë ndryshimeve shoqërore, dmth ndryshimeve përmbytëse. Kjo s'ndodh kurrë. Nuk ka shkrimtar që shkruan ndryshe sot dhe të nesërmen si me magji ndryshon. Pra nuk mund të ndodhë sikurse ndodh në sistemet e ekonomisë, tregtisë, bankave etjer. Letërsia i ka ndryshimet të pavërejtshme dhe është një gjë e mirë që është kështu. Letërsia ka një kalendar tjetër, ka ligje të tjera dhe letërsia për të fituar normalitetin do një farë kohe shumë shumë më të gjatë se sa strukturat e tjera të shoqërisë.

Deutsche Welle: Pra edhe liria tek krijuesit është ndryshe?

Ismail Kadare: Liria edhe në letërsi ka kuptim tjetër, është liria e brëndshme e jotja dhe jo liria shoqërore. Në qoftë se ti nuk ke liri të brendshme, liria shoqërore nuk vlen asnjë lek. Shkrimtarët mund të jenë të lirë edhe në robëri (që është e rrallë) dhe shkrimtarët mund të jenë të robëruar edhe në liri. Ky është paradoksi i letërsisë. Prandaj letërsia ecën me ritme të tjera. Letërsia ka pavarësinë nga jeta. Në një farë mënyre tek një shkrimtar e ka më shumë tek dikush më pak, por letërsia jeton vetëm si letërsi e pavarur. Letërsia që nuk është e pavarur, ajo vdes. Më vonë ajo harrohet, nuk ekziston më.

Intervistën e zhvilloi Mimoza Cika- Kelmendi

Redaktoi: Aida Cama