1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

100409 Erdbeben Italien

11 Prill 2009

Në të gjithë Italinë të premten (10.4.) flamujt ishin ngritur në gjysmështizë. Me një ceremoni mortore qëndrore, vendi përkujtoi viktimat e tërmetit të rëndë në Abruc.

https://p.dw.com/p/HUqw
Përpara arkivolëve pjesëmarrësit në ceremoninë mortore u japin lamtumirën e fundit atyre që humbën jetën gjatë tërmetit.
Ceremoni mortore për viktimat e tërmetit në L'Aquila të Italisë.Fotografi: AP

Italia mban heshtje, zi shtetërore në të premten e Pashkëve. Në mëngjes nga Roma një kolonë gjigante makinash u drejtua për në Abruc. Mijëra njerëz u mblodhën në L'Aquila në një meshë funebre. Gjithë krerët e shtetit italian ishin të pranishëm në ceremoninë mortore.

Benedikti i XVI-të dërgoi sekretarin e tij personal në meshën e mbajtur enkas në të premten e Pashkëve. Imzot Georg Gänswein lexoi në fillim të ceremonisë një mesazh të Papës: "Në këtë orë dramatike kur vendi përballet me një tragjedi të madhe, ndodhem me shpirt mes jush, për të ndarë me ju frikën, për t'iu lutur Perëndisë për paqen e përjetshme të viktimave, për shërimin e shpejtë të të lënduarve, dhe për t'u dhënë të gjithëve guxim e për të mos lejuar të kaplohen nga dekurajimi."

Shumë prej oratorëve iu mbetet zëri. Në sheshin gjigant përpara shkollës së oficerëve të rojës kufitare në L'Aquila, arkivolët janë rreshtur pranë njëri-tjetrit në një tapet të kuq, zbukuruar me kurora dhe lule, arkivolët e bardhë të fëmijëve pranë atyre të nënave apo baballarëve. Mbi një arkivol të vogël është vendosur një motor plastik me ngjyra, me siguri lodra më e dashur. Pranë arkivolëve, të përkulur e të gjunjëzuar, qajnë ata që kanë mbetur gjallë.

Mesha u drejtua nga kardinali Tarcisio Bertone, përfaqësuesi i Vatikanit për marrëdhëniet me jashtë, së bashku me arqipeshkvin e L'Aquila-s, Imzot Giuseppe Molinari-n. Të gjithë shrehin ngushëllime dhe mbështetje. Gianni Chiodi, president i rajonit të Abrucit thotë: "Kjo është një ditë dhimbjeje për të afërmit, por unë mendoj, edhe një ditë mallëgjimi për të gjithë ne. Një ditë e mëshirës dhe e pjesëmarrjes shpirtërore e të gjithë italianëve në këtë tragjedi që pllakosi mbi popullin e L'Aquila-s."

Jo të gjithë familjarët e viktimave marrin pjesë në ceremoninë mortore shtetërore. Një pjesë kanë preferuar ceremonitë private në rrethin familjar. Duan të jenë vetëm dhe të vazhdojnë një jetë që do të jetë krejt ndryshe nga e mëparshmja.

"Nuk më duket se gjendja është normalizuar. Jo për shkak të situatës sonë këtu me vështirësitë e saj, por prej frikës. Frikë që e ndiejmë të gjithë", thotë një grua.

"Edhe pse të afërmit e mi janë pranë meje unë jam vazhdimisht e trembur. Thjesht pasi kam frikë. Këto lëkundje të tërmetit, ajo që vjen më pas - nuk e di, por kam frikë, frikë të madhe", shprehet një tjetër banor i L'Aquila-s.

Në tërmetin e ditës së hënë humbën jetën më shumë se 289 vetë.

Autor: Gregor Hoppe/Eliana Xhani

Redaktoi: Pandeli Pani