1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Italia pa qeveri - Come back-u i Berluskonit ndoshta çështje javësh

Vilma Filaj-Ballvora6 Shkurt 2008

Presidenti i senatit Franko Marini hyri në bisedime për krijimin e qeverisë së re, por doli me duar bosh. Ish-kryeministri Silvio Berluskoni i qendrës së djathtë këmbëngul për zgjedhje të parakohshme.

https://p.dw.com/p/D35Z
Ish-kryeministri Silvio BerluskoniFotografi: AP

Kabineti Prodi është e 62-ta qeveri italiane qysh prej Luftës së Dytë Botërore dhe deri më sot thuajse asnjëra syresh nuk ia ka dalë ta çojë deri në fund të periudhës legjislative mandatin e vet. Kriza qeveritare në Itali tërheq vëmendjen e komentatorëve në periodikun e sotëm gjerman.


Gazeta "Thüringer Allgemeine" e Erfurtit shkruan: "Pritej, që presidenti Napolitano nuk do të gjente pas tërheqjes së kryeministrit Prodi mazhorancë për të krijuar një qeveri të përkohshme, e cila të realizonte të paktën reformën elektorale. Shumë deputetë bënë që të dështojë projekti i Prodit për të zvogëluar me një të katërtën parlamentin prej gati 1.000 vetësh dhe për t´i vendosur një prag përfaqësimi dhjetra partive pa efekt politik. Si zakonisht thuajse çdo qeveri ka dështuar para kohe vetëm sepse asnjëherë parlamenti i fryrë s´ka qenë në një mendje. Por kërcënimi për humbjen e dietave më të larta në Evropë prej gati 13.000 eurosh i bashkoi deputetët rreth Berluskonit, i cili u premton atyre ruajtjen e kushteve të vjetra."

Logo der FAZ
Logoja e gazetës "Frankfurter Allgemeine Zeitung"


"Frankfurter Allgemeine Zeitung" komenton: "Ish-kryeministri do zgjedhje të reja, mundësisht pasnesër, sepse sondazhet janë pozitive për të dhe ai e sheh veten sërish si udhëheqës të koalicionit të Qendrës së Djathtë. Berluskoni duket se është i sigurtë për qëllimet e veta, madje aq sa ai mburret, se do të krijojë mazhoranca të qëndrueshme në të dyja dhomat e parlamentit, edhe në senat, në të cilin vazhdimisht mazhorancat kanë qenë të zbehta. Qoftë kjo mburrje apo instikt politik, kthimi i Berluskonit në qendër të pushtetit italian dhe në skenën ndërkombëtare mund të jetë vetëm çështje javësh. (..) Njerëzit e njohin kllounin e politikës Berluskoni dhe e dinë, se mes politikës e biznesit ai nuk sheh ose nuk ka parë konflikte interesi. Me sa duket janë të shumtë ata që kjo nuk i trëmb."

Një citat nga komenti i "Offenburger Tageblatt": "E habitshme: Në Itali pavarësisht krizës së vazhdueshme jeta shoqërore dhe ajo ekonomike vazhdon. Deputetët rrihen në parlament, ndërsa qytetarët vazhdojnë të bëjnë punën e tyre. Një gjë e ngjashme ndodh edhe në Belgjikë: Vendi qysh prej verës së kaluar nuk ka më qeveri. Partitë nuk janë në gjendje të bien dakord për asnjë qeveri pas zgjedhjeve. As në Belgjikë shteti nuk po falimenton, kjo sikur të mos kishim më nevojë për një qeveri funksionuese."