1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Izrael: Gara para zgjedhjeve

Tania Krämer / Anja Koch15 Mars 2015

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu për arsye taktike e la të dështojë koalicionin e tij qeveritar. Megjithatë fitoren në zgjedhjet e parakohshme të martën nuk e ka të sigurtë.

https://p.dw.com/p/1EquM
Fotografi: DW/T. Kraemer

"Voto për Likud-in, është e qartë", thërret një altoparlant në rrugën kryesore në Kiryat Gat, një qytet i vogël në jug të Izraelit. Miri Ekmez fikson me shpejtësi disa postera, nga të cilat vështron i qetë Benjamin Netanjahu. Gruaja e re është ithare e partisë konservatore Likud, për të cilin kandidon kryeministri Benjamin Netanajahu.

Ajo nuk mund të imagjinojë një tjetër kryeministër përveç "Bibi-t", siç e quajnë izraelitët Netanjahun. "Njerëzit thonë të gjithë njëherësh se nuk durojnë më. Por ata kanë kujtesë të shkurtër: Që kur Bibi është në pushtet, ne kemi qetësi këtu", thotë Emkez. "Nuk ka më sulme të mëdha terroriste. E gjitha, që unë dua, është siguri për vete dhe për dy vajzat e mia."

Netanjahu do të fitojë me politikën e sigurisë

Siguria – është edhe kësaj rradhe në fokus të fushatës elektrorale të Netanjahut. Ai paralajmëron pa ndërprerje nga rreziku i një marrëveshjeje për programin atomik iranian, për të cilën është duke negociuar momentalisht perëndimi. Kryeministri ushqen frikërat ndaj Hamasit, Hisbollahut dhe terroristëve të të ashtuquajturit "Shteti Islamik”. Mesazhi është: vetëm Benjamin Netanjahu mund ta mbrojë Izraelin nga rreziqet e jashtme.

Netanjahu do të krijojë përshtypjen se mund ta mbrojë Izraelin nga rreziqet.
Netanjahu do të krijojë përshtypjen se mund ta mbrojë Izraelin nga rreziqet.Fotografi: DW/T. Kraemer

"Gjithmonë siguria është kryesorja, por atë nuk e kemi gjithsesi në dorë”, pohon nga ana tjetër Nir Kramer. 37-vjeçari angazhohet në fushatë për aleancën e qendrës së majtë "Kampi Sionist". Në kryqëzimin e rrugëve në Tel Aviv Kramer shpërndan fletushka dhe flamuj të vegjël për makina për aleancën partiake sioniste, sepse beson se me ndryshimin e qeverisë do të ndryshojë diçka në Izrael: "Për ne janë më të rëndësishme ekonomia dhe temat sociale”.

Izraelitët ankohen për rritjen e kostos së jetesës

Me të vërtetë janë në rradhë të parë qiratë në rritje dhe çmimet e larta të ushqimeve, që përcaktojnë diskutimet e përditshme të shumë izraelitëve. Sipas një raporti të publikuar së fundi nga kontrollori i shtetit, Jozef Shapira, qiratë në pesë vitet e fundit janë rritur rreth 30 përqind, çmimet për pasuritë e patundshme rreth 55 përqind. Shtresa e mesme, paralajmëron raporti, nuk do të jetë së shpejti në gjendje t'i përballojë këto ngarkesa. "Ekonomia dhe politika sociale janë këtë herë në plan të parë”, thotë studjuesi i opinionit Rafi Smith. "Nuk ka ndodhur në 40 vitet e shkuara në Izrael që këto tema të ndikojnë kaq shumë në zgjedhje."

Kandidatët e kampit sionist Izhak Herzog dhe Tzipi Livni kapin temat sociale
Kandidatët e kampit sionist Izhak Herzog dhe Tzipi Livni kapin temat sociale.Fotografi: Reuters/B. Ratner

Kandidatët kryesorë të kampit sionist e kanë kuptuar këtë: Izhak Herzog dhe Tzipi Livni premtojnë, se në rast se fitojnë do të angazhojnë një komision për banimin, i cili do të marrë masa kundër rritje së qirave. Përveç kësaj ata duan të japin më shumë për kontributet sociale dhe arsimin. Çdo dy vjet ata do të qeverisin me rradhë në postin e kryeministrit.

Malli për ndryshime

Izhak Herzog paraqitet i afërt me popullin. Ai udhëton shumë javët e fundit. Kështu në një takim në një bar në Jeruzalem votuesit e tij të mundshëm i bënë pyetje direkte, që kishin të bënin me koston e lartë të jetësës, por edhe nëse Herzog ka ndonjë plan në lidhje me konfliktit me palestinezët.

"Ai është me siguri i vetmi, që mund të heqë momentalisht Bibi-n dhe mua më bind programi", thotë Itay Rotem në fund të mbrëmjes. Por shumë Izraelit mendojnë që Izhak Herzog, me profesion avokat, nuk është sa duhet karismatik. Kjo përbën dilemë për ndonjë votues. "Ka shumë njerëz, që nuk janë më të kënaqur me Netanjahun. Ata duan një ndryshim. Por ama shumë nuk e imagjinojnë, që Herzog mund të drejtojë një vend si Izraeli", thotë Tamir Sheafer, politolog në Universitetin hebraik në Jerusalem.

"Se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm i Izraelit, nuk mund të them”, pohon Rafi Smith, i cili duhej ta dinte, si një nga studjuesit më të njohur të opinionit në Izrael. Instituti tij Smith anketon rregullisht qindra izraelitë lidhur me zgjedhjet. Por kësaj rradhe, thotë Smith, rezultatet kanë një diferencë aq të ngushtë, sa që nuk mund të bëhet një parashikim i besueshëm. Sipas sondazheve të fundit kampi sionist kryeson pak para partisë Likud, por shumë izraelitë janë akoma të pavendosur, se kujt duhet t'i japin votën.

Lista Arabe mund të dalë forca e tretë politike
Lista Arabe mund të dalë forca e tretë politikeFotografi: DW/A. Koch

Shumë parti luftojnë për vende në Kneset

Tani, thonë vëzhguesit politikë, Likud duhet të ketë kujdes të mos humbasë shumë vota nga partitë e tjera të bllokut të djathtë, si ajo e ish të besuarit të Netanjahu-t, Moshe Kahlon,që kandidaton për herë të parë me partinë e tij "Kulanu", apo partia e djathtë-nacional-fetare Habait Jehudi (Vatra hebreje) të Naftali Bennett. Edhe ultra-ortodoksët duan të qeverisin sërish pas dy vitesh në bankën e opozitës, ashtu si edhe Yair Lapid nga partia Yesh Atid. Lapid ka qenë ministër i Financave, derisa Netanjahu e la koalicionin të dështojë. Me interes priten edhe rezultaltet e aleancës së re arabe. Katër parti arabe janë bashkuar në një listë dhe ajo mund të bëhet forca e tretë politike sipas sondazheve.