1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Israel Angriff Gaza-Hilfsschiff

1 Qershor 2010

Zemërim dhe shok pas aksionit ushtarak izraelit kundër konvojit të anijeve ndërkombëtare me ndihma për Rripin e Gazës, në mbarë botën. Me këtë aksion Izraeli po dëmton imazhin e tij. Koment i Deutsche Welle-s.

https://p.dw.com/p/NeVW

Nuk kishte si të ndodhte më keq: Marina izraelite ndalon anijet me ndihma humanitare për popullatën nevojtare në Rripin e Gazës dhe gjatë aksionit vriten njerëz. Pavarësisht se cila palë ka përdorur dhunën e para: vrasja e civilëve nuk mund të justifikohet me asgjë. Prandaj është e nevojshme që rrjedha e aksionit ushtarak izraelit të hetohet saktë nga një instancë e besueshme ndërkombëtare.

Kjo është edhe në interes të vetë Izraelit, për shkak se me këtë aksion Izraeli ka dëmtuar vetveten dhe do të duhej ta kuptonte nevojën e kufizimit sa më të shpejtë të dëmit. Përmes aksionit ushtarak kundër aktivistëve ndërkombëtarë që gjendeshin në një mision humanitar, Izraeli dëmton rëndë imazhin e vendit dhe atë jo vetëm në botën islame. Edhe në Evropë lajmin u prit me zemërim dhe shok.

Natyrisht që presidenti i palestinezëve Mahmud Abaz tani flet për një "masakër". Dhe natyrisht rasti shfrytëzohet edhe nga presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad, i cili fillon të ushqejë opinionin publik me batërdinë e fjalëve anti-izraelite. Forcat izraelite të sigurimit i kanë ofruar atij me të vërtetë një arsye ideale.

Por nuk është vetëm Ahmadinexhadi, po ashtu edhe armiq të tjerë të dëshmuar si Hamasi dhe Hisbollahu bëjnë pjesë tek përhapësit e propagandave anti-izraelite. Thirrjet e tyre për "kryengritje" tani mund të hasin në simpati më të fuqishme në shumë vende arabe dhe islame, por edhe në Turqi ku ministria e Jashtme tërhoqi ndërkohë vërejtjen për "pasoja të pandreqshme" në raport me Izraelin.

Hamasi nga ana tjetër u bëri thirrje arabëve dhe myslimanëve që të ngrihen në këmbë dhe të protestojnë para ambasadave izraelite. Të gjitha këto janë zhvillime të rrezikshme për shkak se zemërimi popullor në rrugë, në rajonin e stërngarkuar me tensione, mund të përshkallëzohet shumë shpejt.

Posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian duhet të bëjnë çdo gjë që është e mundur që të pengojnë një eskalim të tillë. Dënimi i aksionit ushtarak, heqja dorë nga manovrat e përbashkëta ushtarake dhe thirrja për bisedime e ambasadorëve izraelitë nga shumë qeveri evropiane janë sinjale të qarta se me aksionin vrastar ushtarak kundër civilëve është kaluar një kufi. Po ashtu shpresohet që gjendja e njerëzve në Rripin e Gazës do të tërheqë më shumë vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare.

Megjithatë tani askujt, as njerëzve në Rripin e Gazës nuk iu ndihmohet nëse Izraeli vazhdon të turpërohet botërisht. Megjithatë argumentat e të gjitha palëve pjesëmarrëse duhet të kuptohen seriozisht. Me rëndësi është që sa më shpejt që të jetë e mundur të zhvillohet një hetim i pavarur dhe Izraeli ta pranojë një hetim të tillë. Përndryshe kufizimi i dëmit do të jetë i destinuar të dështojë që në krye të herës.

Autor: Rainer Sollich

Redaktoi: Esat Ahmeti