1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Izraeli i liberalizoi kushtet për importet në Rripin e Gazës

6 Korrik 2010

Palestinezët e Rripit të Gazës do të kenë sërish mundësi të furnizohen me materiale ndërtimi apo me plehëra kimikë që i kanë mjaft të domosdoshme.

https://p.dw.com/p/OBIq
Izraeli i liberalizoi kushtet për importet në Rripin e GazësFotografi: AP

Palestinezët e Rripit të Gazës do të kenë sërish mundësi të furnizohen me materiale ndërtimi, apo me plehra kimikë, që i kanë mjaft të domosdoshme.

Izraeli zbut bllokadën në Rripin e Gazës

Sipas njoftimeve të Ministrisë së Jashtme të Izraelit në territoret palestineze lejohet të hyjnë edhe materiale ndërtimi, në rast se kanë si destinacion projekte të bashkësisë ndërkombëtare për territoret palestineze. Ministria e Jashtme izraelite botoi dy lista me mallra, importimi i të cilave në territoret palestineze do të vazhdojë t'i nënshtrohet kontrollit. Mallrat, që nuk përfshihen në këtë listë, lejohet të çohen në Rripin e Gazës pa "leje speciale".

Lockerung der Gaza Blockaden
Zbutje e bllokadës në GazaFotografi: AP

Në njërën nga listat renditen pajisje luftarake, si armë apo, municione, si dhe prodhime të tilla si kimikate, që mund të përdoren për qëllime ushtarake. Lista e dytë përmban materiale ndërtimi, të cilat mund të dërgohen në territoret palestineze, pasi të jetë marrë leja e posaçme. Gjithsesi në këtë rast përcaktohet si kusht që këto materiale duhet të jenë të destinuara për projekte të miratuara prej Autoritetit të Autonomisë Palestineze dhe të zbatohen dhe të mbikqyren prej bashkësisë ndërkombëtare. Në listë numërohen disa lloj automjetesh ndërtimi, si lëndë të tilla si çimetoja, druri, çeliku dhe hekuri. Deri tani importimi i mallrave të tilla për projekte ndërkombëtare të mbikqyrura lejohej vetëm në sasi të vogla.

Në fund të muajit qershor Izraeli deklaroi se do t'i lehtësonte kushtet e bllokadës të territoreve palestineze duke lejuar importimin e mallrave për përdorim civil. Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Izraelit thuhet tani se importimi i materialeve të ndërtimit për projektet e rindërtimit do të lejohet, edhe pse ato mund të përdoren prej Hamasit për ndërtimin e bunkerëve apo të tuneleve. Po ashtu Izraeli lejon edhe importimin e plehrave kimikë, edhe pse edhe këta mund të përdoren për qëllime ushtarake.

Westerwelle Porträt
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido WesterwelleFotografi: Marcin Antosiewicz

Ministri i Jashtëm gjerman e përshëndeti vendimin

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle (FDP) i quajti listat e botuara "si një konkretizim të rëndësishëm të vendimit të qeverisë izraelite për të liberalizuar rrethimin e Rripit të Gazës."

Autor: Pandeli Pani

Redaktoi: Angjelina Verbica