1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

131011 Israel Siedlungsaußenposten

15 Tetor 2011

Kryeministri izraelit Netanjahu synon të legalizojë disa koloni ilegale në kufijtë e jashtëm të kolonive. Një grup ekspertësh do të gjejë si mund të shpallet legal ndërtimi i shtëpive në tokat private të palestinezëve.

https://p.dw.com/p/12sNQ
Koloni izraelite në Bregun Perëndimor
Koloni izraelite në Bregun PerëndimorFotografi: picture alliance/landov

Shumica e kolonive izraelite në Jordanin Perëndimor ndodhen në të ashtuquajturën tokë të shtetit, pra në toka që nuk i përkasin asnjë pronari privat palestinez. Këto ngulime, nga pikëpamja izraelite konsiderohen legale. Tani synimi është që të shpallen legale disa nga të ashtuquajturat "pika të jashtme ilegale"- pra ngulime të vogla, të cilat janë ndërtuar qartësisht në toka të pronarëve privatë palestinezë. Ministri i Mbrojtjes, Ehud Barak, i cili është kompetent për lejet e ndërtimit në Jordanin Perëndimor, e konsideron këtë në disa raste të mundur. Radios izraelite ai i tha:

"Unë nuk mendoj se është e mundur që të bëhet diçka atje, ku bëhet fjalë me të vërtetë për tokë private. Në vendet, ku toka është pronë private, nuk ka asnjë mundësi tjetër veç kthimit të saj pronarëve. Por ka vende, në të cilat toka nuk i përket shtetit, por ka një status tjetër. Nuk është as pronë private, as nuk ka dikë që ngre pretendim dhe ka një njohje të saj nga ana e qeverisë. Unë nuk mendoj se ekziston diçka e shenjtë, të cilën nuk mund ta verifikosh."

Netanjahu ndryshon qendrim

Në fakt, Baraku dhe kryeministri Benjamin Netanjahu si dhe dy ministra të tjerë patën vendosur në shkurt, që të gjitha kolonitë në kufi mbi tokat private palestineze të zbrazen. 100 deri 150 ndërtime ilegale të kolonëve izraelitë do të zbrazen në fund të këtij viti, u tha. Këtë, lobingu i kolonëve në Izrael nuk dëshiron ta pranojë. Dhe ky grupim ka lidhjet më të mira të mundshme me qeverinë e djathtë. Nën këtë presion Netanjahu tani e ndryshon qendrimin. Disa nga kolonitë në kufi ai tani nuk ka ndër mend t'i zbrazë, por t'i shpallë të ligjshme. Nga pikëpamja e organizatës izraelite të të drejtave të njeriut "Jesch Din", kjo është e pamundur. Kryetari i "Jesch Din", Chaim Ehrlich tha përballë radios publike gjermane të ARD-së:

"Kryeministri po përpiqet të ndërtojë një ekip, i cili ndoshta do të gjejë zgjidhje legale, për diçka që duket e pamundur. Si mund t'ua marrësh njerëzve të drejtën private të pronësisë mbi vendin e tyre, si mund ta bësh këtë nga ana juridike dhe morale, si në bazë të së drejtës palestineze dhe të asaj ndërkombëtare?"

Shteti ka disa dekada që vepron në mënyrë kundërthënëse përsa u përket "kolonive ilegale" në kufi. Ministria e Ndërtimit e mbështet pjesërisht ndërtimin e kolonive në kufi, kurse gjykatat i shpallin ilegale këto ndërtime.

Autor: Sebastian Engelbrecht/ Auron Dodi

Redaktoi: E. Xhani