1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

311011 Israel Iran

1 Nëntor 2011

A do ta sulmojë Izraeli Iranin para dimrit? Këtë trajtonte në fundjavë gazeta më e madhe e Izraelit „Jediot Ahronot“. Kryeministri Netanjahu dhe ministri i Mbrojtjes Barak këmbëngulin për sulm ushtarak njoftonte gazeta.

https://p.dw.com/p/132an
Gazeta izraelite
Gazeta izraelite

Kryeminsitri Benjamin Netanjahu dhe ministri i Mbrojtjes Ehud Barak janë të një mendimi, përsa i përket vlerësimit për kërcënimin nga Teherani dhe kanë marrë vendimin për sulm shkruante gazeta "Jediot Ahronot" të premten (28.10) Në radion e ushtrisë ministri i Mbrojtjes Barak, përgënjështroi ekzistencën e një vendimi të tillë: „Nuk duhet të jesh gjeni i madh për të kuptuar, që në Izrael në vitin 2011 nuk ka diçka të tillë, ndoshta ka patur në vitin 2006, por në vitin 2011 nuk ka, që dy vetë të vendosin për diçka."

Në të njëjtën kohë Barak theksoi, se qeveria izraelite e merr shumë seriozisht kërcënimin nga Irani: „Ne themi prej vitesh, unë them prej vitesh, që hapat iranianë në drejtim të armatimit atomik janë një kërcënim qëndror për stabilitetin e të gjithë rajonit dhe një kërcënim për Izraelin. Eshtë një sfidë edhe për botën edhe për Izraelin. Duhet luftuar me të gjitha mjetet kundër tij dhe nuk duhet përjashtuar asnjë opsion."

Presion diplomatik ndërkombëtar ndaj Iranit

Ministri izraelit i Mbrojtjes Ehud Barak
Ministri izraelit i Mbrojtjes Ehud BarakFotografi: AP

Presioni diplomatik dhe sanksionet ekonomike janë të rëndësishme, shtoi Barak duke patur parasysh njoftimet nga Uashingtoni, që qeveria amerikane përpiqet për forcimin e regjimit të sanksionve kundër Teheranit. Jemi të një mendimi me vlerësimin e Uashingtonit për kërcënimin nga Irani. Për këtë temë vitet e fundit janë zhvilluar bisedime edhe me shtete të tjera, tha Barak duke hedhur poshtë konsideratat se Izraeli mund të vendosë i vetëm lidhur me çështjen e Iranit.

„Ne duhet të jemi të kujdesshëm. Shteti i Izraelit nuk është Kanadaja dhe as Australia. Ai është një shtet i vogël, por është i fortë, më i forti në Lindjen e Mesme. Shteti i Izraelit ka qenë, është dhe do të jetë në të ardhmen e afërt shteti më i fortë ndërmjet Tripolit në Libi dhe Teheranit. Ne nuk kemi shkak për të patur frikë nga diçka. Ne duhet të shikojmë vetëm me kujdes mjedisin tonë dhe të pyesim veten, se çfarë mund t'i lejojmë vetes dhe çfarë jo."

Sulm me raketa në Ashkelon
Sulm me raketa në AshkelonFotografi: AP

Gjendje e tensionuar në terren

Ndërkohë në kufirin ndërmjet Izraelit dhe Rripit të Gazës nuk është kthyer ende qetësia. Forca ajrore izraelite vrau natën dy militantë palestinezë në jug të zonës bregdetare. Pastaj u hodhën përsëri raketa nga Rripi i Gazës në vendbanimet izraelite. Në qytetin Ashkelon, që ndodhet pranë kufirit me Rripin e Gazës, u dha pasdite sinjali i alarmit. Popullsisë iu bë thirrje të hyjë në strehimore dhe bunkerë. Ministri i Jashtëm Avigdor Liebermann kërkoi në një takim të fraksionit të tij, që Izraeli duhet të rrëzojë qeverinë e Hamas-it në Gaza.

Autor: Bettina Marx/Angjelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama