1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Izraeli përkujton viktimat e Holokaustit

Verenkotte, Clemens / Tel Aviv (BR)2 Maj 2008

Me disa minuta heshtjeje, sirena dhe kritikë ndaj gjermanëve përkujtuan izraelitët të sot (1.5.) 6 milionë viktimat e Holokaustit.

https://p.dw.com/p/DrrB
Memoriali i Holokaustit në Jad Vashem/JeruzalemFotografi: AP

Në orën 10 sipas orës lokale në të gjithë Izraelin jeta publike mbeti në vend. Shoferët zbritën nga automjetet, në zyra dhe shkolla njerëzit u ngritën nga karriget, kalimtarët në rrugë qëndruan në përkujtim të heshtur të 6 milionë hebrejve të vrarë nga nazistët në Gjermani. Në parlamentin e vendit Knesset në Jeruzalem udhëheqja politike u mblodh në një ceremoni qendrore përkujtimore.

Gedenken an die Opfer des Holocausts
Ceremoni përkujtimore në nderim të viktimave të HolokaustitFotografi: picture-alliance / dpa

Presidenti izraelit Shimon Peres, kryeministri Ehud Olmert dhe shumë anëtarë të kabinetit të tij dolën njëri pas tjetrit përpara mikrofonit dhe përmendën emrat e të afërmve të tyre të vrarë. Shimon Peres:


"Në kujtim të familjarëve të mij të cilët bashkë me 2060 pjesëtarë të komunitetit të tyre në qytetin e vogël Vishna ranë viktimë e nazistëve dhe ndihmësve të tyre lokalë në gusht të vitit 1942. Ata i mblodhën banorët e getos në sinagogën e ndërtuar me drurë dhe i vranë çnjerëzisht me plumba dhe zjarr."


Në fund presidenti 84-vjeçar lexoi emrat e familjarëve të tij të vrarë. "Gjyshja ime Rifka Melzer, gjyshi im Rabi Zvi Melzer, mësuesi dhe mjeshtri im i cili gjatë ndarjes sonë në stacionin e trenit përpara se të emigroja në Izrael më tha dy fjalë: të mbesësh gjithnjë hebre. Xhaxhi im Michael Melzer, nipi im Michael Kottler.... I bekuar qoftë kujtimi i tyre."


Kryeministri Ehud Olmert kujtoi familjen e gruas së tij të shfarosur në Shoa. Ministri i mbrojtjes Ehud Barak përmendi vëllain dhe motrën e vogël të nënës së tij të dërguar në kampin famëkeq të shfarosjes Treblinka.


Në ceremoninë përkujtimore të mërkurën (30.04) presidenti izraelit Peres paralajmëroi ndaj rrezikut bërthamor nga Irani. Bota u zgjua dikur shumë vonë për t'u përballur përpara luftës me kërcënimin nga Hitleri. Kjo nuk duhet të përsëritet, theksoi Peres i cili pyeti:"Çfarë do të kishte ndodhur me popullin hebre nëse gjatë kohës së Hitlerit do të kishim patur një shtet me fuqinë dhe aftësitë e shtetit izraelit sot?"