1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Janukoviçi para gjykatës

Dmytro Hubenko
4 Maj 2017

Para një gjykate rajonale në Kiev nis procesi gjyqësor kundër ish-Presidentit Viktor Janukoviç. Atë e akuzojnë për tradhëti ndaj atdheut.

https://p.dw.com/p/2cJUk
Janukowitsch PK in Rostow 28.02.2014
Fotografi: Reuters

Më 11 prill 2017, gjykata e lagjes së Kievit, Obolon, bëri të ditur se në 4 maj do të hapet procesi gjyqësor me akuzën e tradhëtisë ndaj atdheut kundër ish-Presidentit të Ukrainës, Viktor Janukoviç. Aktakuzën kundër Janukovicit, Prokuroria ushtarake ia pati paraqitur gjykatës që në 14 mars të këtij viti.

Për se akuzohet Janukoviçi

Ish-Presidentin Viktor Janukoviç e akuzojnë për tradhëti ndaj atdheut. Ai akuzohet se ka mbështetur veprime, të cilat kishin si synim që të ndryshonin territorin shtetëror dhe kufijtë shtetërorë të Ukrainës. Më tej, Janukoviçi akuzohet se ka dhënë ndihmë për agresion. Në faqen e internetit të Prokurorisë së Përgjithshme të Ukrainës, thuhet se Janukoviçi "ka kryer tradhëti ndaj atdheut, pasi ka ndihmuar Federatën Ruse dhe përfaqësuesit e saj, që të cënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës". Në këtë kuadër ai kishte pasur shpresë se do të merrte mbështetje dhe mbrojtje nga institucionet e Federatës Ruse. Ai ka dashur të qendrojë për një kohë të gjatë në këtë vend, për t'i shpëtuar përndjekjes penale në Ukrainë.

Çfarë dënimi e pret ish-Presidentin?

Tradhëtia ndaj atdheut dënohet në Ukrainë me një heqje lirie midis pesë deri 15 vjet. Një dënim i tillë i ngjashëm jepet edhe për shkak të mbështetjes së një agresioni ose veprimeve ushtarake agresive.

Cilat janë dëshmitë?

Dëshmitë më të rëndësishme janë letrat e Viktor Janukoviçit drejtuar Presidentit rus Vladimir Putin dhe Këshillit Federativ të Rusisë. Në to ai lutet që të dërgohen trupa ruse në Ukrainë. Dëshmi të tjera në procesin penal janë sipas prokurorisë ushtarake pohime dëshmitarësh, objekte, dokumente, vlerësime të ekspertëve si dhe material në video dhe material filmik.

Cilët janë dëshmitarët?

Në këtë rast u pyetën gjithsej 100 dëshmitarë. Por mbrojtja e Janukoviçit e konsideron të kundërligjshme, që procesi për tradhëti ndaj atdheut iu përcoll një gjykate. Sipas mendimit të avokatit, Witalij Serdjuk mungon baza juridike për shqyrtimin e kësaj çështjeje. Sepse Janukoviçi nuk mori lajmërim me shkrim, me të cilin të qe informuar se cilat janë dyshimet kundër tij. Në nëntor 2016, Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Jurij Luzenko vetëm e pati informuar me gojë gjatë një marrjeje në pyetje me videokonferencë ish-Presidentin se për të ka dyshime për tradhëti ndaj atdheut. Por me shkrim Janukoviçin nuk e informuan. Janukoviçin e morën në pyetje atëherë në lidhje me hetimet kundër pjesëtarëve të policisë speciale tashmë të shpërndarë, Berkut, e cila u përdor kundër demonstruesve në Sheshin Maidan në shkurt 2014. Avokati i Janukoviçit, Vitalij Serdjuk tërhoqi më tej vëmendjen se mbrojtja ka dokumentuar një sërë shkeljesh proceduriale, për t'ia paraqitur Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Në cilat çështje penale është i përfshirë më tej Janukoviçi?

Viktor Janukoviçi akuzohet edhe për "çështjen Maidan". Në të hetohet për të gjetur se kush ka dhënë urdhër midis nëntorit 2013 dhe shkurtit 2014 për të përdorur dhunë joproporcionale kundër pjesëmarrësve në protestat masive dhe për të përdorur armë zjarri. Në një rast tjetër, kundër Janukoviçit ka dyshime se ka krijuar një organizatë kriminale dhe e ka drejtuar atë, me synimin që të kryhen krime të rënda ose veçanërisht të rënda.