1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Japoninë e pret një luftë e gjatë në krizën bërthamore

3 Prill 2011

Një e çarë në truallin prej betoni të reaktorit 2 dhe ende asnjë plan bindës për shmangien e katastrofës bërthamore: rrënoja bërthamore Fukushima 1 vazhdon të prodhojë lajme të frikshme. Gjermania ofron ndihmë.

https://p.dw.com/p/10mdv
Kryeministri japonez Naoto Kan viziton qytetin e shkatërruar Rikuzentakata, në veri të Japonisë.Fotografi: dapd

Lajme të tjera të zymta nga centrali i dëmtuar rëndë në Japoni Fukushima: operatori i centralit Tepco, konfirmoi një të çarë në truallin prej betoni të reaktorit 2, prej së cilës në det derdhet ujë i ndotur me radioaktivitet. Sipas autoritetit japonez për mbikqyrjen e energjisë bërthamore, kjo është arsyeja pse rrezatimi i zonës detare përreth centralit bërthamor është 4000 herë më i lartë se vlera e lejuar.

Çarjet në bazamentin e reaktorit në Fukushima përgjegjëse për radioaktivitetin në det.
Çarjet në bazamentin e reaktorit në Fukushima përgjegjëse për radioaktivitetin në det.Fotografi: AP

Indinjatë dhe zemërim

Në ajrin mbi të çarën në reaktor janë matur vlera rrezatimi radioaktiv prej 1000 milizivert në orë, bëri të ditur autoriteti japonez për sigurinë e enrgjisë bërthamore. Vlera normale është 1 deri 10 milizivert në vit. Ministri e Shkencave publikoi vlera jodi në det rreth 40 kilometra larg centralit bërthamor të dëmtuar, dy herë më të larta se sa vlera e lejuar. Peshkatarët japonezë reaguan me indinjatë dhe zemërim ndaj njoftimeve. "Çfarë do të bëhet tani me ne", citonte gazeta Jiji Press një peshkatar.

Përpjekja për të mbyllur me beton të çarën, sipas njoftimeve në medie rezultoi pa sukses. Për shkak të sasisë së madhe të ujit, betoni nuk arrin të ngurtësohet. Tepco njoftoi se në reaktorët e tjerë nuk janë gjetur çarje. Në luftën e tij të dëshpëruar kundër katastrofës bërthamore, ofruesi më i madh aziatik i energjisë do të vërë në përdorim edhe punonjës nga firma të tjera, të cilët janë të gatshëm të kryejnë punë veçanërisht të rrezikshme për një shpërblim deri 3.500 euro për turn. Një punonjës i centralit bërthamor tregoi për kushtet e vështira të punës në Fukushima. Kështu për shembull nuk ka sasi të mjatuefshme çizmesh, të cilat punonjësit mund t'i veshin sipër këpucëve të tyre, tha për gazetën "Mainichi" punonjësi, i cili deshi të mbetej anonim. Kështu punëtorët janë të detyruar të përdorin qese plastike, të cilat i fiksojnë me shirita ngjitës.

Ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle në konferencë shtypi me homologun japonez Takeaki Matsumoto. (02.03.2011)
Ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle në konferencë shtypi me homologun japonez Takeaki Matsumoto. (02.03.2011)Fotografi: picture alliance/dpa

Gjermania dëshëron të ndihmojë

Gjatë një vizite të shkurtër në Tokio, ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle premtoi ndihmë në rindërtimin ekonomik. "Edhe në këtë drejtim Japonia mund të mbështetet tek Gjermania si partner", tha Westerwelle, pas një bisede me homologun e tij, Takeaki Matsumoto. "Ne ofruam ndihmë, por nuk do të ushtrojmë presion." Japonia është vetë një "vend shumë i suksesshëm dhe krenar", tha ministri gjerman. Deri tani Gjermania ka livruar rreth 220 tonë mallra ndihme, ndër to edhe një pompë speciale, e cila ndihmon për ftohjen e reaktorëve. Matsumoto premtoi "masën më të lartë të transparencës", në sqarimin e katastrofës së reaktorëve.

Kryeministri japonez Naoto Kan në fundjavë vizitoi për herë të parë zonën e katastrofës në verilindje të Japonisë, e cila tri javë më parë u godit nga tërmeti më i rëndë në historinë e vendit, dhe nga një cunami shkatërrimtar. Deri tani numri i viktimave ka shkuar në 12.000, më shumë se 15.000 njerëz rregjistrohen të humbur. Dhjetëra mijëra vetë ndodhen ende në strehime emergjence. Kryeministri Kan iu drejtua të mbijetuarve dhe forcave të shpëtimit me fjalët: "Do të jetë një rrugë e gjatë, por qeveria është pranë jush."

Autor: Christian Walz / Eliana Xhani (dapd, dpa, rtr)
Redaktoi: Esat Ahmeti