1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jemeni prej kohësh qendër e rëndësishme e El Kaidës

1 Nëntor 2010

Atentantet e dështuara me paketa me lëndë eksplozive të dërguara me postë ajrore me destinacion disa institucione hebreje në SHBA, bënë që vëmendja ndërkombëtare të kthehet sërisht nga Jemeni.

https://p.dw.com/p/Pv9E
Avioni i shoqërisë Emirates me paketat nga Jemeni në aeroportin John F. Kennedy në New York
Avioni i shoqërisë Emirates me paketat nga Jemeni në aeroportin JFK, Nju-JorkFotografi: AP

Ajri është i rëndë plumb dhe vjen era barut. Një njësi anti-terror e Jemenit gjatë stërvitjes: municioni që përdoret është i vërtetë dhe jo mësimor. Skena të tilla bëhen për t'u treguar vizitorëve të huaj vendosmërinë e vendit për të luftuar terrorizmin. Ajo që nuk thuhet dhe tregohet hapur është që stërvitja zhvillohet nën drejtimin e ekspertëve amerikanë. Ata kanë vite që punojnë në Jemen, sepse ky vend po kthehet gjithnjë e më tepër në qendër të pasuesve dhe simpatizantëve të Al-Kaidës. Shumë terroristë që e ndjejnë veten të pasigurt në vende të tjera, janë vedosur në Jemen. Një vend i cili edhe sot duket se është bazë ideale për ta.

Trupa jemetite
Trupa jemetite - Skena të tilla bëhen për t'u treguar vizitorëve të huaj vendosmërinë e vendit për të luftuar terrorizminFotografi: AP

Në Jemen nuk ka një pushtet të vërtetë qendror dhe vendi ka kohë që kërcënon të shpërbëhet. Kjo jo vetëm për shkak të kryetarëve të fiseve që sundojnë në një rajon të caktuar dhe përpiqen të ruajnë pavarësinë e tyre ndaj qeverisë në Sana'a, por para së gjithash për shkak të përpjekjeve separatiste në jug të vendit dhe të një lufte në acarim e sipër me klanet shiite në veri të vendit. Zhvillimi i ndryshëm i zonave jugore, që deri në vitin 1990 deri sa u bashkuan me Jemenin e ribashkuar ishin pjesë e "Republikës Demokratike“, i bën banorët e saj më të djeshëm për rezistencë ndaj pushtetit qëndror. Kurse lufta me fiset e veriut është edhe më e vjetër.

Në kufi të një "shteti të dështuar"

Këto probleme të brendshme, të shoqëruara me varfërinë e madhe, nivelin e ulët të shkollimit, prapambejtjen dhe rrënjët tradicionale-fetare të popullsisë e kanë çuar Jemenin në kufi të një "shteti të dështuar" („failed state“) si dikur Afganistani. Pikërisht kjo situatë përbën një truall ideal për grupet terroriste. Një element tjetër favorizues është pozita gjeografike e Jemenit: ai kufizohet me Arabinë Saudite, prej nga e ka origjinën bërthama e „Kaidës“. Po ashtu Jemeni nuk është larg Somalisë dhe zonave të tjera në Lindje të Afrikës dhe në ujërat e tij kalojnë rrugë detare me rëndësi strategjike të madhe.

Harta e Jemenit dhe kufiri i dikurshëm mes Jemenit të Veriut dhe të Jugut
Harta e Jemenit dhe kufiri i dikurshëm mes Jemenit të Veriut dhe të JugutFotografi: DW

Për vite të tëra Uashingtoni dhe aleatët e tij kanë bërë shumë pak për t'i prerë Jemenit, vendit më i varfër të Gadishullit Arabik, rrugën e dështimit. Dhe kjo edhe pse zhvillimet e përshkruara më lart në Jemen kishin filluar që përpara 11 shtatorit. Në janar të vitit 2000 gjetën vdekjen prej sulmit me gomone të atentatorëve vetëvrasës 17 ushtarë amerikanë të anijes luftarake "USS Cole“ që gjendej në brigjet jugore të Jemenit. Që nga kjo kohë SHBA është në ndjekje të atyre që fshihen pas këtij atentati, por nuk janë kujdesur shumë që Jemeni të mos rrëshqasë, sepse kanë qenë e zënë me Afganistanin, Irakun dhe së fundi edhe me Pakistanin.

Rrëmbime të shpeshta të të huajve

Sinjale të tjera nga Jemeni nuk kanë munguar: Le të kujtojmë rrëmbimin e të huajve dhe lirimin e pengjeve vetëm pas pagimit të parave, apo edhe vrasjen e tyre. Të gjitha këto akte kishin motive politike apo fetare. Ato u shtuan me forcimin e Al Kaidës në këtë vend, kur p.sh. rreth 25 të burgosur nga Jemeni që gjendeshin në kampin e Guantanamos u kthyen pas lirimit në Jemen rifilluan punën duke e bashkuar me pasuesit e "Kaidës" nga Arabia Saudite apo me "Al Kaidën e Gadishullit Arabik" që vepron në Jemen.

Jemeni - bazë e re e El Kaidas
Jemeni - bazë e re e El KaidasFotografi: picture alliance / dpa

Por sinjale të tilla u kaluan pa u vënë re në botën e jashtme, madje edhe prej shteteve që janë në vende të tjera aktive në luftë kundër terrorizmit. Sinjalet e alarmit u ndezën në rastin e sulmit që ishte përgatitur Krishtlindjet e vitit të kaluar me një avion me destinacion Detroitit. Atentatori ishte nga Nigeria, por ishte përgatitur prej Al Kaidës në Jemen.

Pas këtij rasti presidenti amerikan Barack Obama deklaroi jo vetëm hetimin e punës së organeve të sigurisë në vend, por edhe forcimin e bashkëpunimit me Jemenin. Një konferencë ndërkombëtare për të shqyrtuar zhvillimet në Jemen, e cila zhvillua në janar të këtij viti në Londër, nuk solli përfundime të qëndrueshme.

Autor: Peter Philipp/Pandeli Pani

Redaktoi: Bahri Cani