1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jep dorëheqjen ministri i Drejtësisë së Kosovës

Bekim Shehu22 Qershor 2012

Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë e zëvendëskryeministër dha dorëheqjen pasi Kuvendi i Kosovës miratoi të Premten në kodin penal dy nene, të cilat cënojnë lirinë e shprehjes. Reagon edhe zyra e BE-së në Kosovë.

https://p.dw.com/p/15Jr9
Hajredin Kuçi
Hajredin KuçiFotografi: DW

Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi, njëherësh zëvendëskryeministër dha sot dorëheqje nga të gjitha pozitat politike në qeverinë e Kosovës. Shkak për këtë është miratimi sot në kuvendin e Kosovës i “Kodit të ri të procedurës penale”, në të cilën përfshihen edhe dy nenet kundërthënëse 37 dhe 38, nene këtoqë janë cilësuar cënuese për lirinë e shprehjes në Kosovë. Ministria e Drejtësisë ka qenë sponsorizuese e ligjit për kodin penal të Kosovës, mirëpo, me vonë vetë Hajredin Kuçi, pati thënë se nëse këto dy nene miratohen në kuvend, ai do të japë dorëheqjen.

Kuvendi fundosi lirinë e shtypit

Neni 37 dhe 38 i Kodit Penal të Kosovës, kanë të bëjnë me sanksionimin e shpifjes dhe zbulimin e burimit të informacionit, në rastet kur bëhet fjalë për procedime kriminale.

Me vendimin e sotëm në kuvendin e Kosovës që përfshin në kodin e procedurës penale edhe nenin 37 dhe 38, janë shprehur të tmerruar gazetarët profesionistë të Kosovës. Në një deklaratë për media Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës thotë: “AGPK konsideron se me këtë vendim, Kuvendi e ka fundosur lirinë e shtypit në Kosovë. Votimi i deputetëve tregon për papjekuri politike dhe tendenca diktatoriale ndaj lirisë së shtypit dhe të shprehjes në Kosovë”.

I zhgënjyer me vendimin e sotëm të kuvendit, u shpreh edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, sipas të cilit nenet 37 dhe 38 të Kodit Penal, zhvlerësojnë lirinë e medias dhe janë në kundërshtim me konventat e BE-së që mbrojnë lirinë e medias dhe lirinë e të shprehurit.

Samuel Zbogar
Samuel ZbogarFotografi: AP

BE-ja e zhgënjyer me vendimin e kuvendit të Kosovës

“Provizionet për përgjegjësinë penale dhe burimin e informacionit do të kenë një ndikim negativ në lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias në Kosovë. BE mbetet thellësisht e përkushtuar në promovimin dhe ruajtjen e lirisë së shprehjes dhe medias, si vlera të një rëndësie të veçantë për konsolidimin e demokracisë së Kosovës. Shpreh keqardhjen time se vendimi i sotëm i kuvendit pason vizitën e delegacionit të Komisionit Evropian, i cili ishte për të vlerësuar arritjet e Kosovës dhe aftësitë e saj për t'u angazhuar në bisedimet e Mekanizmit të Stabilizim-Asociimit”, thuhet në reagimin e Samuel Zhbogar.

Kodi Penal i Kosovës u miratua nga Kuvendi në një seancë plenare më 20 Prill të këtij viti. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, më 8 Maj mori vendim që Kodin Penal t'ia kthejë Kuvendit të Kosovës për rishqyrtim, duke thënë se neni 37 dhe Neni 38 i Kodit Penal janë në kundërshtim të plotë me Nenin 40 dhe Nenin 42 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që rregullojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, si dhe me Nenin 22.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që obligon përmbushjen e Konventës Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj.