1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Demokracinë nuk mund ta eksportosh - atë duhet ta mbështetësh

Bartosz Duduek/Auron Dodi25 Shkurt 2013

Fondacioni Evropian i Demokracisë do të ndihmojë demokracinë në vendet fqinjë të Evropës. Ministri i Jashtëm i Polonisë, Jerzy Pomianowski është drejtori i parë i Fondacionit.

https://p.dw.com/p/17kyn
Jerzy Pomianowski, ministri i Jashtëm i Polonisë
Jerzy Pomianowski, ministri i Jashtëm i PolonisëFotografi: DW/B.Dudek

Deutsche Welle: Si erdhi puna deri te themelimi i Fondacionit?

Jerzy Pomianowski: Fondacioni është themeluar në bazë të vizionit politik të ministrit të Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski. Ai e ka përmendur atë në një kontekst fare konkret politik dhe historik. Kjo ishte pas hapave pas në demokraci në Bjellorusi, pas një sërë arrestimesh, vetëm pak javë para shpërthimit të "pranverës arabe".

Pas kësaj pasoi një punë bindëse e komplikuar, e mundimshme tek shtetet e veçanta të BE, por edhe tek institucionet evropiane. Më duhet të lëvdoj këtu Parlamentin Evropian dhe ndihmën e tij të madhe për vënien në jetë të kësaj detyre. Europarlamentarët e patën përvetësuar në një mënyrë shumë të natyrshme dhe jashtëzakonisht pa mundim idenë e Fondacionit Evropian të Demokracisë dhe u bënë mbështetësit më të zellshëm të saj.

Ju folët për objektiva politike. Çfarë do të thotë kjo konkretisht?

Në praktikën e BE, Fondacioni Evropian i Demokracisë plotëson një boshllëk në mekanizmat ekzistues mbështetës të BE. Ne i analizuam me rrënjë boshllëqet në mbështetjen e forcave prodemokratike dhe kombeve nga BE dhe konstatuam se për shembull për grupimet e paregjistruara politike, pra për grupet e të drejtave civile, që ndjekin një synim politik ka mundësi shumë të kufizuara mbështetjeje. Relativisht pak vëmendje dhe mbështetje marrin edhe ata persona, të cilët përvijohen si udhëheqës potencialë politikë. Për aq kohë sa ata nuk kanë hedhur rrënjë dhe nuk i kanë arritur synimet e tyre politike, ata nuk tërheqin vëmendjen dhe nuk arrijnë në këtë mënyrë të shijojnë mundësitë e mbështetjes. Kjo është edhe njëra nga fushat e aktivitetit të Fondacionit Evropian të Demokracisë, sepse ai mund të ofrojë mekanizma krejt të rinj, jo të zakonshëm të mbështetjes demokratike.

Dhe cilat shtete do ta shijojnë këtë mbështetje?

Zona gjeografike e synuar për aktivitetin e Fondacionit është përcaktuar shumë qartë. Për ne, në qendër të vëmendjes janë vendet fqinjë me Evropën. Bëhet fjalë për fqinjët e drejtpërdrejtë të BE, veçanërisht shtetet në kufijtë lindorë të BE si dhe për fqinjët në jug, pra për shtetet e Veriut të Afrikës dhe të Lindjes së Afërt.

Jerzy Pomianowski, ministri i Jashtëm i Polonisë
Jerzy Pomianowski, ministri i Jashtëm i PolonisëFotografi: DW/B.Dudek

Në ç'masë janë të dobishme përvojat polake të revolucionit paqësor për të mbështetur përpjekjet për demokraci në vendet e tjera?

Unë besoj se mesazhi ynë - dhe ndoshta ky ishte edhe shkaku për zgjedhjen e një polaku si drejtor të parë të Fondacionit - është njëkohësisht një premisë e përgjithshme: demokracia nuk eksportohet dhe nuk i imponohet askujt. Demokracia mund të nxitet vetëm atëherë, kur ajo depërton në mendjet dhe veprat e njerëzve...

Polonia do sot që Bjellorusia të bëhet demokratike, njësoj si grekët, italianët dhe spanjollët dëshirojnë demokraci në vendet e Mesdheut. Marrëdhëniet e fqinjësisë me vendet e qeverisura nga diktatorët rezultojnë shumë të vështira.

Ç'pamje ka financimi i Fondacionit? Cilat janë shumat që do të ketë në dispozicion?

Fondacioni do të ketë për dy-tri vitet e para rreth 16 -17 milionë euro në dispozicion. Me këto do të financohet puna e Fondacionit, në një kohë që shumica e financave, pra tri të katërtat e mjeteve do të përdoren për financimin e personave, grupeve dhe lëvizjeve, që angazhohen në vendet e tyre për vlerat demokratike.