1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

JFK: Fundi i një ëndrre

Gero Schließ / Bahri Cani22 Nëntor 2013

"Ka mbetur më shumë fama se sa veprat e tij politike", shkruan gazeta New York Times. Shumë gjëra që ai ka bërë në mandatin e tij prej vetëm 1063 ditësh si president, konsiderohen si të papërfunduara.

https://p.dw.com/p/1AMXE
Fotografi: DW/G. Schließ

Shumë vëzhgues e shikojnë sot me qetësi kohën e Kenedit në postin e presidentit: në aspektin e brendshëm dhe të jashtëm politik ai kishte nisur shumë gjëra, por ka arritur pak. Si për shembull, ligji për të drejtat e qytetarëve i cili ka mundur të votohet vetëm në kohën e pasardhësit të tij Lyndon B. Johnson. Apo lufta fatale në Vijetnam, të cilën Kennedy e kishte përhapur shumë, para se t'i kthehej tavolinës së negociatave pak para vrasjes së tij. Po a do të thotë kjo se ai ishte një president mesatar, e madje edhe i keq, siç thuhet në disa komente sot në Uashington?

"Kennedy i ka dhënë Amerikës shpresa të mëdha. Optimizmi, dhe aftësia për të hapur Amerikën për aventura të reja, kjo është trashëgimia e tij", thotë Marvin Kalb nga Instituti në Bruklin dhe shton: "Do të doja që këso gjërash të kemi edhe sot më shumë."

Debatet për trashëgiminë

Madje as skeptikët më të mëdhenj nuk mund t'i ikin pyetjes: çfarë do të ndodhte sikur të ishte gjallë, sepse edhe sot ka shumë njerëz që e adhurojnë John F. Kennedy. Kristin Donowan, një zonjë e moshuar, thotë se ai ishte një magjistar. Ajo kujton një kohë të ndritur dhe inspiruese të ndryshimeve, në krye të të cilave ishte një president i ri dhe familja e tij. "Ishte një kohë e mrekullueshme e historisë sonë. Vdekja e tij e ka traumatizuar tërë kombin. Njerëzit rrinin ulur para televizorëve me orë të tëra. Kishat ishin të stërmbushura."

USA - 50 Jahre Attentat auf JFK
Fotografi: DW/G. Schließ

Andrew Craft, i cili nuk e ka përjetuar kohën e Kennedy-t, thotë se "Kennedy ishte një ikonë, një idol." Ndërsa një njeri më i moshuar përpiqet të jetë më real: "Ky është më shumë një imazh se sa që ai me të vërtetë ka bërë. Imazhi i tij është fantastik, sepse ai e ka inspiruar të gjithë kombin, në veçanti në kohërat konservatore si ato të viteve 50-të. Gjërat ndryshonin e ai simbolizonte ndryshimet."

Dallas, 22 nëntor 1963

Në Dallas jeton edhe mjeku Ronald Jones, një ndër mjekët të cilët në spitalin e Dallasit i ka ofruar ndihmën e parë presidentit Kennedy pas atentatit. Në bisedë me DW ai tregon këtë si të ishte një ngjarje biblike: "Isha i ulur në kafeteri, pas një trajtimi mjekësor. Ishte 22 nëntori i vitit 1963, pesë vite pas përfundimit të fakultetit të mjeksisë. Erdhi sinjali se duhet të lajmërohem menjëherë në qendër. Shkova tek telefoni në murin e kafeterisë dhe dëgjova: 'Dr. Jones, presidenti është qëlluar me plumba. Po e sjellin në emergjencë, ku po i përgatisim të gjitha'".

Jones e ka treguar këtë histori shumë herë. Por edhe sot, 50 vjet më vonë, kur vjen në momentin e rrëfimit se si ai dhe kolegët e tij tetë minuta të plotë pa sukses kanë bërë përpjekje ta ringjallin presidentin Kennedy, zëri i tij dridhet. Kjo ishte një ngjarje vendimtare jo vetëm për të dhe mjekët e tjerë në spitalin Dallas, por për të gjithë njerëzit në Amerikë dhe në mbarë botën.

Në foto, Dr. Ronald Jones
Në foto, Dr. Ronald JonesFotografi: DW/G. Schließ

"Ne të gjithë konstatuam se ai ishte i vdekur. Këtë e pranoi edhe zonja Kennedy, e cila kur erdhi në spitalin Parkland e dinte se ai po vdiste, sepse ajo e kishte mbajtur në duar tërë kohën gjatë rrugës në limuzinë".

Trashëgimia politike

Çfarë mbetet nga mandati i shkurtër i presidentit Kennedy? Kennedy doli fitues në krizën e Kubës në kontliktin me Bashkimin Sovjetik, ku dëshmoi tërë fuqinë e tij udhëheqëse dhe fuqinë e urtësisë. Por Kennedy vet e konsideronte si një sukses edhe më të madh nënshkrimin e marrëveshjes për testet nukleare me Bashkimin Sovjetik. Marvin Kalb thotë se qëndrimi i presidentit Kennedy në krizën e Kubës dhe ndaj testeve nukleare, ka shënuar një qëndrim të ri politik, të cilin edhe sot e gjejmë në kulturën politike amerikane. "Trashëgimia e tij është: Rrugëdalje ka gjithmonë, madje edhe atëherë kur palët kanë dallime shumë të mëdha në qëndrime. Këtë e ka dëshmuar Kennedy edhe në kohën e krizës së Kubës." Presidenti Barack Obama me fjalimin e tij gjatë vizitës në Berlin ka bërë të ditur se do të vazhdojë rrugën e Kennedy-t për çarmatimin.

Nga koha e Kennedy-t kanë mbetur edhe vlerat si "pjesëmarrja e qytetarëve dhe angazhimi social, që stimulon shumë njerëz edhe sot", thotë Stephen Fagin, nga muzeu në Dallas, në bisedë me DW. Në këtë kontekst ai përmend demonstratat për të drejta qytetare, protestat kundër luftës në Vijetnam dhe Lëvizjen Occupy-Wallstreet. Në të gjitha këto protesta ka pasur citate nga Kennedy."

Memoriali John F. Kennedy në Dallas
Memoriali John F. Kennedy në DallasFotografi: DW/G. Schließ

Atraksion për turistët dhe nxënësit

Më shumë se 340.000 n jerëz në vit e vizitojnë ekspozitën për Kennedy në muzeun në Dallas. Ai është vendosur në katin e gjashtë të godinës, prej nga Lee Harvey Oswald e ka qëlluar për vdekje ish-presidentin. Fotografi të shumta tregojnë se si janë shkrepur plumbat e vdekjes, si ka lëvizur atentatori, si ka shkuar limuzina me trupin e presidentit drejt spitalit...

Steven Davis dhe Bill Minutaglio e kanë publikuar në 50 vjetorin e vrasjes së tij librin "Dallas 1963". "Dallas ishte i njohur në atë kohë si qyteti më armiqësor dhe më ekstrem amerikan kundër presidentit Kennedy", thotë Davis për DW. "Ka pasur shumë dhunë. Në ditën e vizitës së presidentit Kennedy në Dallas janë shpërndarë me mijëra pllakate kundër presidentit Kennedy, në të cilat shkruante: "Kërkohet për shkak të tradhëtisë.'"

Dallimet ekzistojnë ende

Dallasi dhe Teksasi nuk kanë qenë dhe nuk janë pikë mbështetjeje të Partisë Demokrate të presidentit Kennedy. Botuesi i gazetës më të madhe e quante presidentin para ardhjes për vizitë si komunist, ndërkohë që një kongresist nga Dallasi e quante presidentin tradhëtar. Politikën e tij të afrimit me Bashkimin Sovjetik e kanë kritikuar edhe shumë gjeneralë.

Strukturat politike ishin edhe kundër qëndrimit të tij ndaj lëvizjes së Martin Luther Kingut për të drejtat e njerëzve me ngjyrë. Shumë njerëz në jug ishin kundër heqjes së dallimeve mes racave, ndërkohë që në veri lëvizja për të drejta të barabarta gëzonte më shumë simpati. Ndarja gjeografike mes jugut dhe veriut më nuk ekziston në SHBA. Tani ka më shumë dallime mes të pasurve dhe të varfërve, që ka rezultuar edhe me lëvizjen e protestave Occupy.

Besohet se me aftësitë e tij për t'i bindur njerëzit për ndryshime, Kennedy ndoshta do ta eliminonte sot edhe dallimin e shtresave sociale. Kjo është edhe një prej gjurmëve që ka lënë Kennedy në historinë e SHBA-së.