1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Türkisch-israelische Krise

12 Shtator 2011

Raportet diplomatike mes Turqisë dhe Izraelit kanë rënë aktualisht në një nivel shumë të ulët dhe kanë cënuar balancat në rajon. Rruga e vetme: Këto vende sa më parë duhet të përmirësojnë raportet.

https://p.dw.com/p/12XS8
Kryeministri turk Erdogan
Kryeministri turk ErdoganFotografi: dapd

Që Rexhep Taip Erdoğani nuk ishte më aq i nxehtë, siç ziente më parë, u pa menjëherë në fillim të vizitës së tij në Egjipt. Ndërsa në Rripin e Gazës të bllokuar nga Izraeli, Erdogani do të udhëtojë dikur më vonë. Pushtetmbajtësit e rinj në Kajro me siguri që nuk do ta lejonin një aventurë të tillë populiste, pasi disa ditë më parë është sulmuar edhe ambasada izraelite në këtë qytet.

Përcjellja e konvojit të anijeve me mallra për Gazën nga marina turke duket se nuk do të realizohet. Do të ishte fatale në qoftë se Turqia injoron raportin e OKB-së, në të cilin thuhet se bllokada e Gazës nuk ishte ilegale. Vetëm ndërhyrja kundër anijes me aktivistë nga Turqia ishte një akt i pamatur.

Edhe Izraleli nuk është fort i përmbajtur

Aspak më i matur në reagime nuk ishte as ministri i Jashtëm izraelit Avigdor Liebermann i cili foli për "aksione ndëshkuese"  kundër Turqisë. Kjo do të mund të realizohej përmes lobit hebraik në SHBA, i cili do të mbështeste idenë që aksionet turke kundër armenëve në vitet 1915/16 të klasifikohen si "gjenocid". Ndërkohë që flitet edhe për mbështetjen e Partisë Punëtore Kurde, të cilën SHBA dhe BE e kanë klasifikuar si "terroriste".  Turqia dhe Izraeli kanë trajtuar skenarët më të tmerrshme.

Erdogan shprehet mbi marrëdhëniet me Izraelin
Erdogan shprehet mbi marrëdhëniet me IzraelinFotografi: picture alliance/landov

Që nga viti 1952 Turqia është anëtare e NATO-s dhe partnere e Perëndimit dhe ka dëshmuar për dekada luajalitetin e saj. Izraeli është i rrethuar nga fqinj pak a shumë armiqësor. Erdoğani duhet të pranojë raportin e OKB-së dhe të gjejë rrugë tjera për furnizimin. Erdoğani duhet të rimendojë retorikën e tij populliste ndaj Izraelit. Para tre muajsh ai është rizgjedhur në këtë post me gati 50 % të elektoratit. Ndërkohë që nga ushtria nuk ka vijnë më probleme, sepse janë margjinalizuar të gjithë kundërshtarët.

Jo benzinë zjarrit!

Nëse Erdoğani do të futet në histori, atëherë pas vete duhet të lërë gjëra pozitive. Të shkaktosh kriza dhe luftëra është lehtë, vështirë është të vendosësh paqen. Burrështetasit që vendosën paqen janë ish-politikanët Mustafa Kemal Atatürk, ish-kryeministri grek Eleftherios Venizelos, ish-presidenti francez Charles de Gaulle apo ish-kancelari gjerman Konrad Adenauer dhe Willy Brandt.

Nga këta shembuj mund të mësojë edhe Erdoğan, i cili duhet të ndjekë një politikë më të matur. Ambiciet për pushtet rajonal nuk i kontribuojnë zhvillimit ekonomik, forcimit të paqes në Lindjen e Mesme dhe shtendosjes së raporteve. Ato vetëm i hedhin benzinë zjarrit. Turqia dhe Izraeli  duhet që menjëherë të gjejnë rrugë për shtendosje raportesh. As Erdoğani e as Netanjahu nuk do të humbnin asnjë fije pushteti në qoftë se rikthejnë raportet në nivel më të lartë ambasadorësh. Izraeli s'ka nevojë të ndjehet i poshtëruar në qoftë se kërkon falje për vrasjen e njerëzve. Këmbëngulja në pozicionet e tanishme është një budallallëk i rrezikshëm.

Autor: Baha Güngör

Redaktoi: Lindita Arapi