1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jo vetëm punë burrash - Në Egjipt po protestojnë edhe gratë

10 Shkurt 2011

Në pamjet nga demonstratat në Egjipt shihen kryesisht burra. Por pamjet të krijojnë një përshtypje të gabuar, sepse në sheshin Tahrir ka edhe shumë gra që protestojnë dhe kërkojnë dorëheqjen e presidentit.

https://p.dw.com/p/10En1
Pamje nga protestat në Egjipt
Pamje nga protestat në EgjiptFotografi: AP

"Gratë majtas, burrat djathtas“ thërret një burrë në hyrje të sheshit Tahrir. Pas sulmeve të përgjakshme të javës së kaluar ata që hyjnë në shesh kontrollohen me kujdes. Pranë ushtarëve gjenden edhe tri gra që kontrollojnë letër-njoftimet dhe çantat. Njëra prej tyre është e mbuluar me ferexhe, tjetra është e veshur me xhinsa që i rrinë puthitur pas trupit, kurse e treta mban në kokë një shami me ngjyrat e flamurit egjiptian.

Shumica e grave që rrinë në radhë për të hyrë në sheshin e protestës kanë nëpër duar bohçe me ushqime dhe batanie. Në shesh ka plot gra në moshë dhe vajza të reja, madje edhe familje.

Një studente sqaron se pse po proteston: "Ende nuk ka ndryshuar me të vërtetë ndonjë gjë. Ata kanë ndryshuar fytyrat, por jo paragrafët e kushtetutës. Kjo mund të bëhet shpejt, megjithatë ne s'na kanë premtuar asgjë as liri shtypi, as të drejtat e njeriut. Për sa kohë nuk janë marrë vendime të tilla, ne nuk i besojmë njeriu."

"Këtu jemi të gjithë bashkë - të pasur e të varfër, papritur nuk ka dallime," - sqaron një e re që punon në një bankë.

Një grua e moshuar, Isla, tregon se fillimisht në protestë kishte marrë pjesë e bija dhe i nipi. Ajo thotë se kishte pasur frikë, se kishte parë edhe pamjet në televizor, por pastaj kishte dalë edhe ajo në shesh. "Ne këtu jemi të lidhur shumë me njëri-tjetrin, gjë e mirë kjo edhe pse unë kam ende frikë se mund t'i ndodhë gjë vajzës dhe nipit."

"Ky është Egjipti i vërtetë" këtë fjali e dëgjon këto ditë shpesh në sheshin Tahrir. Duket sikur në mes të kryeqytetit ka lindur një shtet i ri. Një shtet, ku qytetarët kujdesen vetë për pastërtinë, sillen me respekt ndaj njëri-tjetrit.

Gjyshja Islah thotë se sheshi Tahrir: "është e ardhmja. Prej këtej do të startojë një e ardhme shumë e mirë për fëmijët dhe nipat dhe mbesat e mi. Këtu fillon e ardhmja, tek sheshi Tahrir."

Autor: Esther Saoub / Pandeli Pani

Redaktoi: Esat Ahmeti