1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jubile në kohë të rrezikshme

21 Nëntor 2015

Për kancelaren Merkel thonë se ka aftësinë që të mos nxitohet. Për dhjetë vjet me radhë kancelarja festoi suksese me këtë stil. Pikërisht në vitin jubilar vendoset e ardhmja e saj, mendon Volker Wagener.

https://p.dw.com/p/1H9gD
Bundeskanzlerin Angela Merkel auf dem CSU-Parteitag
Fotografi: picture-alliance/dpa/P. Kneffel

Këtë vit gjithçka do të jetë ndryshe: politika e dorës së qetë, e toneve të ulëta dhe e vendimeve të vonta e Angela Merkelit i përket së kaluarës. Dhe kjo ndodh në jubileun e dhjetë të saj si kancelare. Në fakt, bilancet politike të dekadës së Merkelit qenë shkruar që në verë - të paktën në mendje. Ishin shkruar ose si himn nderimi, ose si pranim duke shtrënguar dhëmbët. Merkeli, që i vuri emrin e saj një epoke, ishte në qendër të pushtetit të saj, të prestigjit të saj, të autoritetit të saj. Jo vetëm grekët mund të ta shpjegonin këtë. Edhe SPD-ja socialdemokrate dhe të gjithë meshkujt që mund të prinin kopenë në partinë e saj.

Me kulturën e mirëseardhjes pushteti i saj lëkundet

Por papritur erdhën refugjatët. Qindra mijëra prej tyre e shpallin Gjermaninë që atëherë vend të bekuar. Dhe Merkeli thotë fjali si "Do t'ia dalim mbanë!" dhe "E drejta për azil nuk njeh kufi të sipërm". Më e vonta që prej shtatorit, politika është bërë sërish konfrontuese. Një numër shumë i madh njerëzish të mirë jetojnë kulturën praktike të mikpritjes, por në barkun e shoqërisë dëgjohen zhurma gërryese. Ndërkohë, në partinë e Merkelit ka kryengritje jozyrtare. Mungon vetëm prijësi i saj. Zot i Madh, si u kthye fleta! Merkeli presidenciale, e zgjedhur disa herë si gruaja më e fuqishme e botës, në këmbët e së cilës rrinin urtë madje edhe pjesë të opozitës, po përjeton aktualisht një erozion të pushtetit. A po merr fund këtu një përrallë politike?

Kjo në një kohë kur ngjitja e saj nuk ishte as spektakulare: vitet e para të Merkelit si kancelare ishin si vite nën narkozë. Pa armiq të natyrshëm ajo ndoqi në një koalicion të madh një politikë pa kundërshtime. Lavdia e saj nuk bazohej në atë që bënte, por në atë si e bënte: asgjëbërje e gjatë, vendimmarrja vetëm atëherë, kur shumica për vendimin qe siguruar. CDU-së ajo i hoqi qoshet dhe e bëri aq të ngjashme me SPD-në, sa mund ta ngatërrosh me të. Ajo është kryetarja jozyrtare e shoqërisë gjermane të konsensusit. Shkurt: Politika nën Merkelin është e mërzitshme, por shumë qetësuese. Gati ledhatuese. Merkeli konsiderohet që mund t'i besosh - kështu mendojnë edhe te të Majtët dhe Alternativat. Ajo zotëron artin e formulimit jokonkret dhe të thjeshtë. Asgjë nuk e simbolizon më mirë stilin e politikës së Merkelit se sa krijimi me gishta i shenjës së thurrjes, që të duket gati si budiste: shikoni këtu, unë arrij të shoh brenda elementëve bazë të jetës. Kjo simetri me të, me partinë, me zgjedhësit, megjithatë humbi me politikën e dyerve të hapura.

Voker Wagener
Volker Wagener

Vjeshtë e patriarkes?

Aftësia e Merkelit për t'i ngrirë konfliktet rezulton e papërshtatshme në temën e refugjatëve. Deri tani, gabimet e të tjerëve ishin kapitali më i madh i saj, tani është ajo së cilës i rrëshkasin gabime. Strategjia e saj e mënjanimit të gabimeve si recetë politike dështoi. Tani asaj i duhet të prijë dhe jo vetëm të drejtojë me një krah. Që ajo është në gjendje ta bëjë këtë, e ka vërtetuar. Pa iu dridhur qerpiku e dalloi ajo momentin e përshtatshëm, kur monumenti Helmut Kohl u lëkund, si rrufeja ia dha ajo lamtumirën energjisë atomike pas Fukushimës. Por në të gjitha këto hapa ajo kishte si mbështetje sondazhet - pra vullnetin e popullit.

Kurse tani kërkohet që ajo të tundë skeptrin edhe në politikën e brendshme. Këtë fushë ajo deri tani ia ka lënë thuajse krejtësisht socialdemokratëve të luajnë. Skena e saj ishte politika e jashtme. Shpëtimi i euros dhe i klimës, tregimi i vendit Rusisë, disiplinimi i Greqisë. Ajo ia arriti që të konsiderohet e pazëvendësueshme në përballimin e krizave në të gjithë globin. "Zvicerizim me efekt qetësues i Republikës Federale", kështu e quan këtë gazeta "Die Welt". Kjo tani mori fund. Merkelit i duhet të thotë se si do të vejë puna më tej në politikën e brendshme. Më shumë se një milion refugjatë të ardhur në pak muaj, kjo është më shumë se një fusnotë në biznesin e së përditshmes politike - as në plan afatgjatë. A ka ndonjë plan ajo? Nëse nuk ka, është gjithçka e mundur: dorëheqja, zgjedhje të reja. Kjo në një kohë kur ajo kishte vendosur prej kohësh të rikandidonte për postin e kancelares në vitin 2017. Por kjo ndodhi përpara se të gjithë të nisnin të flisnin për kulturën e mirëseardhjes.