1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Juncker: Maqedonia është në rrugë të mbarë

25 Shkurt 2018

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker në Maqedoni: Nuk jam në Shkup për të caktuar datën e çeljes së negociatave me BE-në, por për të thënë se Maqedonia është në rrugë të mbarë.

https://p.dw.com/p/2tK1F
EP Rede Juncker in Strassburg
Fotografi: Reuters/V. Kessler

Juncker përshëndeti kursin e reformave të Qeverisë së Maqedonisë, por tha se ajo duhet të bëjë ende shumë punë për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

"Nuk jemi këtu që t'ju kumtojmë datën për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, por t'ju themi se jeni në rrugë të mirë dhe nëse vazhdoni në këtë rrugë, do t'i mundësoni Komisionit Evropian që t'i rekomandojë Këshillit nisjen e bisedimeve, por ende nuk kemi ardhur deri aty pasi ke ende punë për të bërë", deklaroi Juncker. Ai përshëndeti marrëveshjen midis Maqedonisë dhe Bullgarisë për fqinjësi të mirë dhe kursin e deritanishëm të reformave. "Jam i kënaqur, që vërej se vendi juaj në veçanti vitet e fundit ka bërë përparime që do t'i mundësojnë edhe më shumë t'i afrohet Bashkimit Evropian. Ju keni bërë reforma që edhe më shumë thellojnë vlerat, me Bullgarinë keni arritur marrëveshjen e fqinjësisë së mirë, që e rrit reputacionin e vendit tuaj. Bëhet fjalë për pajtimin e historisë dhe gjeografisë, për zgjidhjen e problemeve shumëvjeçare", deklaroi kreu i Komisionit Evropian.

Çështja e emrit duhet të zgjidhet midis dy shteteve

Çështja e emrit u mbetet dy vendeve fqinje ta zgjidhin, në këtë drejtim do të kenë edhe mbështetjen e institucioneve evropiane tha Kryetari i Komisionit Europian Jean Claude Juncker

"Sa i përket emrit të vendit, jo, nuk do të doja të them asgjë për shkak se ju mbetet juve që ta zgjidhni këtë problem me miqtë tuaj grek. Unë të premten e kaluar gjatë Këshillit Evropian në Bruksel bisedova me kryeministrin grek Cipras dhe i thashë që të qëndrojë në rrugën tashmë të filluar dhe munda të vërej gjatë mbërritjes në aeroport se diçka paska ndryshuar", u shpreh Junker.

Maqedonia pret ftesë për fillim të negociatave për anëtarsim në BE

Kryeministri Zoran Zaev edhe një herë u shpreh i bindur, se në qershor vendi do të nisë bisedimet për anëtarsim në BE, gjithnjë sipas tij kanë mbetur edhe pak aktivitete që viti 2018 të jetë historik për Maqedoninë.

"Komisioni Evropian konfirmon të ardhmen evropiane të Maqedonisë. Është me vend përcaktimi se BE-ja duhet të jetë më e fuqishme para se të bëhet më e madhe. Maqedonia është e gatshme të japë kontributin e saj në këtë segment. Ne riafirmojmë dëshirën dhe përkushtimin tonë të fuqishëm për reforma të thella, pa shtyrje, për arritjen e synimit tonë drejt BE-së. Raporti pozitiv dhe rekomandimi pa kushte do të ishte një inkurajim i madh për ne për vazhdimin e rrugës së integrimit", deklaroi kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev.

Zaev: Për emrin duhet zgjidhje me dinjitet

Lidhur me kontestin për emrin Zaev tha, se mbyllja e çështjes së hapur shumëvjeҁare nuk është e thjeshtë pasi bëhet fjalë për çështje të ndjeshme për qytetarët e Maqedonisë. Kryeministri Zaev edhe një herë përsëriti se do të pranojë emër me përcaktim gjeografik duke respektuar dinjitetin dhe identitetin e dy popujve dhe shteteve.

"Për Qeverinë e Maqedonisë është i pranueshëm emër me përcaktim gjeografik që do të bëjë ndarje mes shtetit tonë dhe rajonit në Greqi. Megjithatë, insistojmë në një zgjidhje që do të mundësojë mbyllje të përhershme dhe të qëndrueshme të kontestit me respektimin e dinjitetit dhe identitetit të dy popujve dhe dy shteteve", deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Presidenti i Komisionit Evropian Jean Claude Juncker dhe delegacioni i Bashkimit Evropian u takuan edhe me presidentin e shtetit Gjorge Ivanov.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut