1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Këlni mbrohet - Protesta kundër tubimit të të djathtëve në kongresin kundër islamizimit

Philipp, Peter (DW) NEU19 Shtator 2008

Megjithë polemikat rreth ndërtimit të një xhamie të madhe, Köln-i nuk e mbështet propagandën kundër myslimanëve. Këtë konstatoi në ditën e parë të të ashtuquajturit "kongresi kundër islamizimit" lëvizja "Pro Köln".

https://p.dw.com/p/FLaS
Fotografi: AP

Në Köln, qytetin e katërt gjerman për nga madhësia, ku jetojnë një pjesë e madhe e qytetarëve me origjinë turke, lëvizja e djathtë "Pro Köln" ka njoftuar për ditën e premte dhe të shtunë (19./20.9.) mbajtjen e një të ashtuquajturi kongresi kundër islamizimit. Në të janë të ftuar njerëz me pikëpamje të përbashkëta nga e gjithë Europa. Figura të njohura të skenës së ekstremit të djathtë kanë refuzuar megjithatë të marrin pjesë. Qëndresa multikulturore në rrugët e Köln-it kundër aktiviteve armiqësore ndaj të huajve është bërë edhe më e fortë.


Të rinj të indinjuar, anëtarë të sindikatave, komunitete të ndryshme kishtare, të majtë, të ashtuquajtur autonomë (grupe me orientim anarkist dhe të gatshëm për dhunë) u mblodhën përpara bashkisë së lagjes Rodenkirchen në jug të Köln-it. Rrugët që të çonin atje ishin bllokuar nga policia pasi lëvizja ekstremiste e djathtë "Pro Köln" kishte njoftuar mbajtjen atje të tubimit të saj. Organizatorët e të ashtuquajturit "kongresi kundër islamizimit" kërkonin të mbanin atje një konferencë shtypi. Qyteti e kishte ndaluar mbajtjen e saj në bashki ashtu siç e kishte ndaluar më parë në lagje të tjera të qytetit. 4.000 policë nga i gjithë landi Nordrhein-Westfalen janë sjellë për fundjavën në Köln dhe janë vendosur në të gjitha pikat kritike.


Në lagjen Rodenkirchen edhe policia u gjend përpara një surprize: konferenca për shtyp do të mbahej në një anije mbi lumë. Por kjo nuk ndodhi!


Pjesëtarë të grupeve autonome qëllojnë me gurë dhe anija niset shpejt: organizatorët e Pro Köln dhe disa përfaqësues të shtypit janë në bord të anijes. Ata arrijnë të zbresin vetëm shumë orë më vonë nga anija pasi nuk i lejonin askund të ankoronin.


Megjithatë në lagjen Ehrenfeld qindra demonstrues janë mbledhur për të mbrojtur siç thotë kryetari i bashkisë së lagjes Josef Wirge, "xhaminë tonë". Fjala është për vendin në të cilin pritet të ndërtohet xhamia e madhe e re e Köln-it. Dhe të djathtët kanë njoftuar se do të bëjnë një tur në lagjet gjoja problematike. Josef Wirges:


"Ne kemi dhënë këtu një sinjal solidariteti të banorëve të kësaj lagjeje por edhe qytetarëve të tjerë të Köln-it, me bashkëqytetarët tanë myslimanë përpara xhamisë sonë që do të ndërtohet së shpejti. Do të kemi një shtëpi të re të Perëndisë. Për të dhënë një sinjal kundër këtyre racistëve dhe radikalëve të djathtë. Ata mendojnë se mund të kalojnë këtu hipur në autobuzë dhe të na vizitojnë si kafshët në kopshtin zoologjik. Kjo është paturpësi. Dhe ne thamë: Ehrenfeld-i ka shumë ngjyra por jo ngjyrën kafe."


Në rrugët e Köln-it nuk shihen përkrahës të lëvizjes Pro Köln në ditën e parë të këtij kongresi të pretenduar. Nuk shihen as 1.500 përkrahësit e tyre që pretendohej se do të vinin nga gjithë Europa. Jean-Marie Le Pen, kryetari i partisë ekstremiste të djathtë në Francë, Fronti Nacional, njoftoi se nuk e ka pranuar asnjëherë ftesën. Edhe nga vende të tjera vijnë vetëm përfaqësues të rangut të dytë ose të tretë.


Të shtunën (20.9.) ata do të mblidhen në një tubim të madh kundër avancimit të islamizimit në Europë. Por përvoja e ditëve të para nuk dëshmon shenja suksesi. Dy demonstrime të mëdha kundër të djathtëve do të mbledhin rreth 40.000 pjesëmarrës dhe tregojnë se qyteti liberal i Köln-it për shkak të rregullave në fuqi nuk mund të pengojë aktivitetet e të djathtëve por nuk është i gatshmën të lejojë helmimin e klimës nga brenda.