1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kërkesat për azil si në konvejer?

Richard Fuchs
2 Dhjetor 2016

Afatet tepër të shkurtra për shqyrtimin e kërkesave për azil dhe marrjen e vendimeve i vënë nën një presion të madh punonjësit e Entit Federal për Migrimin dhe Refugjatët.

https://p.dw.com/p/2TbiS
Bundesamt für Migration und Flüchtlinge BAMF
Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Weigel

Organizatat dhe shoqatat humanitare gjermane si Pro Asyl, Amnesty International, Diakonie dhe Caritas kritikojnë praktikën e azilit në Gjermani. Në një memorandum për procesin e azilit në Gjermani, ato kritikojnë mungesën e ndihmës juridike, përkthyesit e paaftë dhe kohën e pamjaftueshme që kanë në dispozicion punonjësit e Entit Federal për Migrimin dhe Refugjatët (BAMF) për t'u marrë me secilin rast. 

"Në rast se një familje siriane merret në pyetje për kërkesën për azil vetëm 25 minuta, atëhere kjo do të thotë se asaj faktikisht nuk i ofrohet një mbrojtje e vërtetë." - tha për DW-në Eberhard Burkhardt një nga autorët e memorandumit.

Avokati Reinhard Marx kritikon se kërkesat për azil shqyrtohen si në konvejer, sepse politika sipas rekomandimeve të firmës konsultuese McKinsey ka vendosur afate tepër të shkurtra për shqyrtimin e kërkesave për azil dhe marrjen e vendimeve dhe kjo i vë nën një presion të madh punonjësit e BAMF-it. Sipas tij direktiva politike që deri në vitin 2017 të jenë shqyrtuar më tepër se një gjysmë milioni kërkesa për azil sjell me vete gabime dhe padrejtësi.

Deutschland BAMF-Außenstelle in Bingen am Rhein
Fotografi: picture-alliance/dpa/F. von Erichsen

Kritika ndaj përkthyesve dhe procedurës

Organizatat dhe shoqatat humanitare gjermane e përshëndesin përshpejtimin e përpunimit të kërkesave për azil, por thonë se cilësia duhet të kenë përparësi ndaj shpejtësisë. Kështu përkthyes të pakualifikuar mirë nuk i përkthejnë si duhet ato që thuhen dhe sipas avokatit Reinhard Marx "shpesh në protokollin e marrjes në pyetje nuk përfshihen as 10% e atyre që thuhen".

Pikë e fortë kritike është procedura e zhvillohet në dy hapa të ndarë. Pra fillimisht azilkërkuesit merren në pyetje në një nga filialet e BAMF-it dhe më pas dosja i dërgohet për të marrë vendim nëpunësve të qendrës dhe këta të fundit vendosin në bazë të dosjes pa pasur kontakt të drejtpërdrejtë me azilkërkuesin.

BAMF-i i hedh poshtë kritikat

Përfaqësuesit e Entit Federal për Migrimin dhe Refugjatët thanë se "procedurat e azilit kryhen në bazë të ligjeve dhe të standardeve të larta të cilësisë"  dhe se 106 rastet mbi të cilat bazohet vlerësimi negativ i organizatave dhe i shoqatave humanitare nuk mund të shërbejnë si kriter vlerësimi, kur bëhet fjalë për 693.000 mijë kërkesa gjatë këtij vitit dhe 530.000 vendime të marra.

Deutschland BAMF-Außenstelle in Sachsen
Fotografi: picture-alliance/dpa/H. Schmidt

Në lidhje me kritikën kryesore që procedura e zhvillohet në dy hapa të ndarë, pra që azilkërkuesit merren në pyetje në një nga filialet e BAMF-it dhe më pas dosja i dërgohet për të marrë vendim nëpunësve të qendrës, përfaqësuesit e Entit Federal për Migrimin dhe Refugjatët nuk u shprehën.

Sa i përket kritikës për përkthyesit, u tha se Enti Federal për Migrimin dhe Refugjatët ka hapur një faqe on-line, në të cilën mund të shprehen në mënyrë anonime on-line kritika për përkthyesit.