1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kërkohet angazhimi i monitoruesve nga jashtë për censusin në Maqedoni

31 Janar 2012

Pas dështimit të procesit të regjistrimit të popullsisë vitin e kaluar, partitë politike nuk po arrijnë marrëveshje për një konsensus për kohën dhe mënyrën se kur duhet të zhvillohet procesi i regjistrimit.

https://p.dw.com/p/13scX
Fotografi: DW

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoni duhet të realizohet gjatë këtij viti, pasi tetorin e 2011 u ndërpre për shkak të parregullsive të shumta. Ekspertë për çështje demografike thonë se politika duhet të qëndrojë sa më larg këtij procesi, sepse vetëm kështu mund të shmanget kontestimi i rezultateve të tij. Nuk mungojnë as zërat, që propozojnë që në regjistrimin e popullsisë në Maqedoni të inkuadrohen edhe monitorues nga jashtë.

Pas dështimit të procesit të regjistrimit të popullsisë vitin e kaluar, partitë politike nuk po arrijnë marëveshje për një konsensus për kohën dhe mënyrën, se kur duhet të zhvillohet procesi i regjistrimit. Në fillim të vitit partia opozitare maqedonase propozoi një projektligj, përmes të cilit propozohet që regjistrimi i popullsisë të realizohet në prill. Ky propozim nuk mori përkrahjen e maxhorancës me argumentin se opozita ka qëllime për të përfituar në aspektin politik. Regjistrimi i popullsisë kërkon një qasje serioze dhe në te nuk duhet të përsëriten gabimet, që çuan në dështimin e tij. Ekspertët vlerësojnë se duhet të arrihet një marrëveshje, e cila garanton shmangien e ndërhyrjes politike, si dhe duhet të peshohet mundësia e inkuadrimit të monitoruesve nga jashtë dhe shoqëria civile. “Mosmarrëveshjet për regjistrimin e popullsisë vështirë të tejkalohen. Duhet të arrihet një pëlqim për përfshirjen e monitoruesve nga jashtë dhe shoqëria civile. Në këtë mënyrë do të mundësohej rritja e besimit ndaj rezultateve të procesit të regjistrimit”, shprehet Vlladimir Misev nga Instituti për Demokraci.

Opozita shqiptare këmbëngul në kërkesën e saj, që në procesin e regjistrimit të përfshihet edhe ajo pjesë e popullatës, e cila ndodhet në punë të përkohshme jashtë vendit. Nëse kjo kërkesë nuk plotësohet ,opozita shprehet kategorike ndaj çdo procesi të regjistrimit që do të realizohet në vend. Ligji për regjistrimin e popullsisë gjithnjë interpretohet në forma të ndryshme, kjo dukuri pamundëson realizimin objektiv të regjistrimit të popullsisë, shprehet analisti Albert Musliu. “Për t'u realizuar një regjistrim sipas standardeve evropiane, fillimisht duhet të evropianizohet edhe vetë politikanët. Maqedonia duhet të kuptojë se ka nevojë për regjistrim objektiv të papolitizuar. Gjithashtu ka nevojë edhe për shprehjen e lirë të qytetarëve për këtë proces”, thotë Musliu

Mazedonien Zensus Statistisches Amt
Fotografi: Petr Stojanovski

I nevojshëm një regjistrim objektiv dhe sipas standardeve evropiane

Partnerët e koalicionit qeveritar kanë premtuar se do të mundësojnë interpretimin objektiv të metodologjisë për realizimin e procesit të regjistrimit dhe me këtë do të shmangen të gjitha dyshimet për rezultatin e regjistrimit. Anëtari i Komisionit shtetëror për regjistrim, Milaim Ademi, thotë se do të filtrohen të gjitha problemet, që shkaktuan ndërprerjen e procesit të regjistrimit në tetorin e vitit të kaluar. “Besoj se këtu duhet përfshirë edhe ndryshimi dhe plotësimi i ligjit për regjistrim, veçanërisht në pjesën e shpjegimit të metodologjisë në kuptimin e njëjtë, si për maqedonasit, ashtu edhe për shqiptarët.” Sipas Ademit do të bëhen angazhime serioze edhe për përfshirjen sa më të madhe të shqiptarëve në Entin Statistikor Shtetëror, ku do të përpunohen rezultatet nga procesi i regjistrimit.

Një regjistrim objektiv dhe sipas standardeve evropiane për Maqedoninë është mëse i nevojshëm, thotë Mevlut Çavushoglu nga Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës. Sipas tij në vendet multietnike duhet të ndërmerren të gjitha masat për të pasur regjistrim transparent dhe të drejtë.

Edhe pse zyrtarisht ende nuk është caktuar afati, se kur do të zhvillohet procesi i regjistrimit në Maqedoni, si periudha më të përfolura përmenden muaji prill, ose më së voni muaji tetor i këtij viti.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Angjelina Verbica