1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kërkohet hetim i pavarur për dhunën e përdorur nga policia në arrestimin e Albin Kurtit

15 Qershor 2010

Zyrtarë të EULEX-it përgëzojnë organet e rendit që kryen detyrën në rastin gjyqësor ndaj Albin Kurtit të lëvizjes Vetvendosja. Albin Kurti u shpall fajtor dhe u dënua me nëntë muaj heqje lirie, por u la menjëherë i lirë.

https://p.dw.com/p/NrKs
Albin Kurti, Prishtinë 28 nëntor 2006
Albin Kurti, Prishtinë 28 nëntor 2006Fotografi: AP

Zyrtarë të misionit evropian për rend dhe ligj në Kosovë, EULEX nuk pranojnë ta komentojnë vendimin e Gjykatës së qarkut në Prishtinë, e cila shpalli fajtor Albin Kurtin për pengim të personave zyrtare në kryerjen e detyrave.

Zëdhënësja e misionit EULEX. Kristina Herodes, i tha DW-së se nuk është në praktikën e misionit që të komentojë vendimet e gjykatave, por sipas saj misioni përgëzon organet e rendit për kryerjen e detyrës. “Misioni EULEX e vlerëson punën e mirë të policisë së Kosovës, prokurorëve dhe gjyqtarëve lokalë në përmbushjen e detyrave përkatëse, duke ndihmuar kështu forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë," tha zëdhënësja Kristina Herdodes.

Akuza që rëndonte Albin Kurtin, “pengim i personave zyrtarë në punën e tyre, ishtë një lëndë e bartur nga UNMIK-u te misioni EULEX, qysh nga viti 2007, ku gjatë një përleshje të aktivistëve të lëvizjes "vetvendosja" me policinë e UNMIK-ut, dy persona mbetën të vrarë dhe dhjetra të tjerë u plagosën nga policia.

Gluk Konjufca, nga Lëvizja vetvendosja, thotë për programin tonë se misioni EULEX është trashëgimtar i UNMIK-ut. “EULEX, veproi sikur të ishte UNMIK-u dhe shpalli Fajtor Albin Kurtin, për një rast i cili ka të bëjë me UNMIK-un. E gjitha kjo po na bind se kjo është vazhdimësi e UNMIK-ut. Dënimi që iu dha Albin Kurtit, prej nëntë muajsh duke e shpallur fajtor për një demonstratë ku fajtorë kanë qenë policët rumunë të UNMIK-ut, na tragon se EULEX u përpoq ta amnistonte UNMIK-un”, thotë Glauk Konjufca.

Organizata Human Rights Watch, ka kërkuar nga misioni EULEX, që të nisë një hetim të pavarur mbi operacionin e policisë së Kosovës, të cilët kanë përdorur dhunë më 12 qeshor, gjatë arrestimit të Albin Kurtit. Kjo organizatë, thotë se një hetim i pavarur mbi këtë incident është thelbësor për të garantuar kredibilitetin e policisë dhe për të mbrojtur sundimin e ligjit.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama