1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kërkohet zbatimi i marrëveshjes për Kosovën

Marina Maksimoviq / Esat Ahmeti21 Maj 2013

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq takohen përsëri këtë të martë (21.05.) në Bruksel në vazhdën e përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

https://p.dw.com/p/18bG7
Fotografi: REUTERS

Kur më 19 Prill, pas gjashtë muajsh të negociatave maratonike në nivelin më të lartë politik, kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë ranë dakord për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, Hashim Thaçi njoftoi se deri më 26 prill do të duhej të vijë edhe deri te "Plani për zbatimin e marrëveshjes", i cili sipas fjalëve të tij shënon fillimin e një epoke të re bashkëpunimi ndërshtetëror. Megjithatë, ai fillim siç duket nuk do të jetë as i shpejtë dhe as i lehtë. Grupet e punës nga Beogradi dhe Prishtina nuk ishin në gjendje të bien dakord mbi një plan të përbashkët të pranueshëm për të dyja palët për zbatimin e marrëveshjes. Gjatë tërë kohës ato akuzuan njëra-tjetrën për ndryshim ose futje të elementeve të reja që nuk janë pjesë e marrëveshjes. Bashkimi Evropian i cili këmbëngul gjatë gjithë kohës që "nga pjesa e shkruar të kalohet në vepra", edhe njëherë sipas Maja Kocijancic, zëdhënëses së shefes së diplomacisë së BE-së, "në interes" të të dyja palëve ka ftuar në Bruksel kryeministrat Thaçi e Daçiq:

Dialog Belgrad-Pristina
Fotografi: DW/Marina Maksimovic

"Ju e dini se zbatimi është absolutisht thelbësor dhe puna jonë vazhdon në këtë drejtim. Është e vërtetë se palët ende nuk janë dakorduar mbi planin për zbatimin e marrëveshjes. Ne jemi ende duke punuar për këtë dhe ne besojmë se marrëveshja dhe zbatimi i saj janë në interes të Serbisë dhe Kosovës ".

Kërkohet zbatimi i të gjitha pikave të marrëveshjes

Ndërkohë që analistët thonë se të gjitha pikat e marrëveshjes më shumë ose më pak janë sfiduese, grupet e punës kryeministrave ndër të tjera u kanë lënë të hapur çështjen e "radhës së detyrave" të Serbisë dhe Kosovës në procesin e bartjes së përgjegjësive, përkatësisht heqjen e strukturave paralele dhe krijimin e bashkësisë së komunave serbe. Derisa Beogradi insiston se ky duhet të jetë " një veprim i sinkronizuar", Prishtina, për fillim dëshiron heqjen e strukturave paralele në veri. Edhe në rastet kur pala e Prishtinës konfirmon se "ka marrëveshje mbi zbatimin", siç është çështja e zgjedhjeve lokale në komunat me shumicë serbe në Kosovë, fakt është se vetë serbët e Kosovës nuk kanë rënë ende dakord për të marrë pjesë në zbatimin e marrëveshjes.

Dacic Thaci Ashton
Fotografi: picture-alliance/dpa

Sidoqoftë në qarqe diplomatike në Bruksel mund të dëgjohet se edhe plani i zbatimit duhet të nënshkruhet nga të dy kryeministrat. Ndërsa zyrtarisht mësohet se asnjë plan dhe marrëveshje nuk do të thotë asgjë për shtetet anëtare, pa hapa konkrete në terren.