1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Këshilli i Evropës: paanshmëria dhe profesionalizmi i komisioneve zgjedhore në Shqipëri shumë të rëndësishme

18 Korrik 2011

Për të monitoruar nga afër zgjedhjet e 8 majit Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës dërgoi në Shqipëri një delegacion. Kryetarja e delegacionit Hana Richtermocova foli për Deutsche Welle-n.

https://p.dw.com/p/11yPB
Znj. Hana Richtermocova në konferencë për shtyp në Tiranë.
Znj. Hana Richtermocova në konferencë për shtyp në Tiranë.Fotografi: DW

DW: Zonja Richtermocova, ju ishit për disa ditë në krye të delegacionit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës në vëzhgimin e zgjedhjeve të 8 majit në Shqipëri. Në një vështrim të përgjithshëm, sipas jush, cilat ishin elementët pozitivë dhe ato negativë në këtë proces?

Hana Richtermocova: Më lejoni së pari të theksoj se e konsideroj misionin e Kongresit në Shqipëri si pozitiv. Ne patëm mundësi jo vetëm për të kontribuar në vlerësimin dhe këshillimin e këtyre zgjedhjeve, por edhe për të mësuar se si autoritetet lokale dhe kombëtare në Shqipëri përpiqen për t'u integruar më mirë në Evropë dhe për të adaptuar kuadrin ligjor, ndërkohë që mbajnë dhe karakteristikat e zhvillimeve lokale. Duke u kthyer tek pyetja, sa i takon elementëve pozitivë unë mund të përmend progresin e bërë për të organizuar një proces elektoral efikas dhe përpjekjeve të vendosura për të bërë transparente procedurat e votimit. Anëtarët e delegacionit tonë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, vërejtën një atmosferë të qetë gjatë ditës së votimit. Për fat të keq, siç dhe ju e dini, kjo nuk vlejti për kohën para dhe pas 8 majit, por unë mendoj se përpjekjet e Shqipërisë duhet të inkurajohen. Si një element pozitiv, mund të përmend se kemi vënë re, së bashku me anëtarët e delegacionit, se sjellja e njësive mediatike, edhe pse pak prej tyre mund të konsiderohen si të pavarura, ishte e balancuar. Duke qëndruar këtu unë po i përgjigjem dhe pjesës së dytë të pyetjes tuaj mbi elementët negativë që u vunë re. Ne ishim të shqetësuar kryesisht nga mungesa e transparencës së pronësisë mbi median dhe burimet e financimit të fushatës. Delegacioni ynë vërejti gjithashtu: pasigurinë në përgjithësi për zbatimin e procedurës zgjedhore, nevoja për përmirësimin e mënyrës së shkarkimit dhe zëvendësimit të anëtarëve të komisioneve të votimit dhe mbi të gjitha trajnimin e tyre. Kjo ishte gjithashtu e dukshme gjatë procesit të stërgjatur dhe të kontestuar të numërimit të votave. Dy interpretimet partizane të Kodit Elektoral dhe korrektësia e procesit të numërimit të votave janë kontestuar. Në këto aspekte kuadri legjislativ elektoral dhe adiministrata zgjedhore duhen përmirësuar.

DW: Për opinionin e brendshëm si dhe vëshguesit ndërkombëtarë zgjedhjet e 8 majit u dominuan nga një situatë e nxehtë politike dhe një klimë mosbesimi e thellë mes palëve. Më dukshëm kjo u pasqyrua tek procesi i numërimit të votave që e shtyu për afër dy muaj nxjerrjen e rezultatit të fituesit për bashkinë e Tiranës. Si e komentoni ju këtë atmosferë të krijuar?

Hana Richtermocova: Është për të ardhur keq që fushata elektorale në vend që të fokusohej tek çështjet me interes lokal dhe në nevojat e komunitetit, kishte në qendër grindjet kombëtare dhe akuza personale. Sigurisht që janë të nevojshme përpjekjet për të instaluar një dialog konstant dhe konstruktiv mes partive politike, çdo kamp duhet të shmangë qëndrimet vetëm në pozicione partizane, të pranojë propozimet konstruktive nga pala tjetër dhe të marrë vendime në interes të publikut. Kjo është shumë e lehtë për t'u thënë dhe shpesh është mjaft e vështirë ta konkretizosh në realitet. Ajo që rrezikon procesin është interpretimi jo i ndershëm e rregullave dhe rritja e vendimeve me karakter partiak. Sigurisht që dialogu konstruktiv është i një rëndësie të madhe, por në raste të caktuara, përtej këtij dialogu, rezultatet janë të nevojshme, madje ato janë të nevojshme të dalin me shpejtësi. Kjo ishte e qartë po t'i kthehem asaj pjese të pyetjes që lidhet me procesin e numërimit në Tiranë. Zgjatja në kohë dhe zvarritja e procesit të numërimit shkaktoi tensione dhe konfrontime. Përveç kësaj dështimi për të njoftuar rezultatet vë në rrezik besimin e qytetarëve për ndershmërinë e zgjedhjeve. Kemi vënë re se anëtarët e komisioneve të ndryshme zgjedhore konsultoheshin duke shkuar më pas tek direktivat e partive të tyre përkatëse. Në fakt, zgjidhjet konstruktive ishin të tejet të vështira për t'u arritur nga shkaku i mungesës së pavarësisë së zyrtarëve të zgjedhjeve. Si rezultat, procesin e numërimit të votave ishte në mënyrë të ndjeshme shumë i ngadaltë.

DW: Meqë jemi në këtë pikë, çfarë duhet të ndryshojë zonja Richtermocova në infrastrukturën zgjedhore të Shqipërisë për të siguruar një votim të ndershëm dhe transparent dhe për të arritur që të shpallen publikisht rezultatet në mënyrë të shpejtë siç ndodh dhe në vendet e tjera evropiane?

Hana Richtermocova: Sipas përvojës sime personale me përfaqësimin politik, mekanizmat zgjedhore duhet të përpiqeshin të ishin sa më të plota, të ishte e mundur të shmangej praktika në marrjen e vendimeve gjatë zhvillimit të zgjedhjeve. Përpjekja duhet të ishte që të mos lihej një fushë e madhe vendimarrjeje gjatë kohës kur kryeshin zgjedhjet, pasi kjo rrit në mënyrë të konsiderueshme tensionet. Në praktikë, në shumicën e vendeve të Evropës Perëndimore, bëhet e mundur që për rregullat e lojës në mënyrë sa më të detajuar të bihet dakord në mënyrë paraprake, para garës. Ligji zgjedhor në fakt bën përjashtim nga parimi se demokracia është “diktaturë e shumicës”, në rast se do të citojmë Tocqueville. Unë besoj se në shumë vende evropiane pavarësia e anëtarëve në të gjithë piramidën e komisioneve elektorale ka rritje. Qëllimi i ndjekur është një: për të patur një diskutim sa më të drejtë mbi ato raste kur dalin çështje që nuk janë parashikuar nga kodi elektoral paraprakisht. Në këndvështrimin tim, një zgjidhje e cila mund të eksplorohet për të ardhmen mund të ishte shmangia e përbërjes së komisioneve me përfaqësues nga subjektet politike, që të evitohet konkurenca mes koalicioneve partiake dhe në këto komisione. Përpjekje mund të bëhen për të ndërtuar një administratë zgjedhore që nuk është e përkatësuar politikisht, e paanshme dhe profesionale. Një rrugë që duhet ndjekur mund të ishte ofrimi i një trajnimi të përshtatshëm dhe kompetent shoqëruar me një shpërblim të konsiderueshëm për të gjithë personat që zgjidhen ose emërohen në administratën zgjedhore. Në këtë aspekt kuadri legjislativ elektoral dhe vetë kapacitetet e administratës që do të angazhohen në këtë fushë duhet të përmirësohet. Sikundër është theksuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës pas zgjedhjeve të përgjithshme që u mbajtën në vitin 2009, unë besoj se kodi electoral i vitit 2008 duhet të amendohet.

DW: Tani që procesi zgjedhor në tërësi është mbyllur dhe kur ka mbetur ndonjë procedurë thjesht teknike, sa mendoni që cilësia e këtij procesi do të ndikojë në rrugën integruese evropiane të Shqipërisë? Thënë shkurt, këto zgjedhje e afruan më shumë apo e larguan më shumë Shqipërinë nga ambicia më e afërt e saj për të fituar statusin e vendit kandidat për në BE?

Hana Richtermocova: Kjo pyetje duhej adresuar tek Komisioni Evropian, që nga ana e vet është duke ndjekur nga afër zhvillimet në Shqipëri dhe që ka për detyrë të bëjë propozimin për statusin e vendit kandidat për në BE. Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës nga ana e vet mund të bëjë sugjerime mbi çështje që konsiderohen dhe vlerësohen nga perspektiva e vëshguesve të huaj, siç është dhe rast për zgjedhjet elektorale për të cilat po flasim. Çfarë Kongresi mundet të bënte në terma konkretë është për të transferuar në Shqipëri praktikat më të mira dhe ekspertizat për të ndihmuar në zgjedhjen e problemeve dhe arritjen e standardeve të kërkuara.

DW: Zonja Hana Richtermocova, dy ditë pas mbajtjes së votimeve lokale në Shqipëri ju keni deklaruar se Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës është i gatshëm që të krijojë kushtet për një bashkëpunim më të mirë të aktorëve politikë. Çfarë nënkuptoni në mënyrë konkrete me këtë qëndrim?

Hana Richtermocova: Faktikisht Kongresi do të pëlqente të organizonte një oportunitet të strukturuar mes përfaqësuesve të partive të mazhorancës dhe partive të opozitës, si dhe mes qytetarëve e shqoërisë civile dhe autoriteteve lokale dhe qendrore. Në mënyrë specifike ne jemi duke menduar për organizimin e seminareve, tryezave të rrumbullakta, sesione informative ku mund të trajtohen çështje konkrete dhe për të cilat të gjendet zgjidhje konstruktive. Shoqatat e autoriteteve lokale dhe rajonale mund të luajnë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e këtyre iniciativave.

DW: Çfarë projektesh ose programesh konkrete ka Kongresi me të cilat mbështet Shqipërinë që të rrisë efektivitetin e qeverisjes lokale dhe rajonale, që të forcojë autonominë dhe pavarësinë në favor të qytetarëve?

Hana Richtermocova: Po t'i referohemi autonomisë dhe pavarësisë gjatë procesit zgjedhor, siç përmenda me herët, paanshmëria dhe profesionalizmi i komisioneve zgjedhore ka një rëndësi të madhe. Kjo ishte gjithashtu e dukshme gjatë zgjedhjeve parlamentare të të kaluara. Çfarë Kongresi mund të bëjë, është që të ndihmojë autoritetet shqiptare duke i këshilluar ato për përmirësimin dhe zbatimin e një legjislacioni të përshtatshëm. Kjo në thelb do të thotë për të shpërndarë në Shqipëri ato ekspertiza dhe praktika të mira që janë provuar diku tjetër. Ideja është që t'u propozojë politikanëve shqiptarë një shkëmbim të përvojave, një ballafaqim me analiza për këto. Nëpërmjet Kongresit mund të vijnë bashkë propozime e perceptime që vijnë nga “politikanë të terrenit” dhe nga ana tjetër ne si përfaqësues të zgjedhur lokalë dhe rajonalë jemi gjaithashtu në ballfaqim të rregullt me çështje dhe procedura zgjedhore. Disa nga propozimet e Kongresit që unë përmenda do të finalizohen brenda raportit që do të diskutohet e miratohet në sesionin e tetorit të Kongresit duke ju dërguar qeverisë shqiptare dhe organeve teknike të Këshillit të Europës. Aktualisht një analizë për shmangien e ngërçit politik, në veçanti në vendimet e Kolegjit Zgjedhor, kanë filluar tashmë brenda organeve teknike të Këshillit të Evropës me iniciativën e Sekretarit të Përgjithshëm. Unë mund t'ju njoftoj se është e sigurtë që po ndërtohet një Plan - Veprimi post zgjedhor për Shqipërinë, por do t'u kërkoja që të prisni deri në miratimin e raportit të Kongresit, pasi dhe rezultatet e pasojat e këtyre zgjedhjeve janë ende në shqyrtim. Për aq kohë sa efektiviteti i qeverisjes lokale është shqetësues, Kongresi do ta trajtojë këtë çështje duke përgatitur një raport monitorimi për demokracinë lokale dhe rajonale ne Shqipëri vitin e ardhshëm. Por kjo është një histori tjetër.

Intervistoi: Arben Muka

Redaktoi: E. Xhani