1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ka ardhur koha që politika shqiptare t`i zgjidhë vetë punët

22 Janar 2010

Pas rreth 5 muajsh të një krize të ashpër politike në Shqipëri, kur 45 përqind e deputetëve të parlamentit kanë bojkotuar seancat e tij, është shtuar shumë presioni i faktorit ndërkombëtar.

https://p.dw.com/p/LdrS
Tirana
TiranaFotografi: DW / Aida Cama

Kryeredaktori i të përditshmes më të madhe në Shqipëri, “Panorama” Robert Rakipllari, i shikon si mjaft larg qëndrimet e dy grupimeve kryesore politike, të djathtët në pushtet dhe të majtët në opozitë. Ai thotë se tashmë që janë shterur mjetet për vetëzgjidhjen e krizës shikohet si vendimtar faktori ndërkombëtar. Jemi në të njëtën pozitë si një dekadë më parë, ose më herët kur nga humbja e thellë e besimit mes palëve, duhet të ndërhyjë arbitri ndërkombëtar, thotë Rakipllari për Deutsche Wellen. “E vetmja shpresë për zgjidhjen e krizës, pra për një marrëveshje të negocuar mes palëve është ndërhyrja e ndërkombëtarëve. Këtë herë dhe për faktin se Shqipëria është anëtar i NATO-s dhe gati po merr dhe ftesën për antarësim në BE, ata kanë pritur gjatë për një marrëveshje që ta negociojnë vetë palët dhe ta zgjidhin krizën. Kjo ka rezultuar e pavend dhe mendoj se do të ndodhë si në të kaluarën kur do të jenë ata që do të negociojnë drejtëpërdrejtë për një marrëveshje mes palëve. Ajo që po ndodh, të gjitha rrethanat po na japin të drejtë të themi se ne jemi ende në fazën që kemi nevojë për negociimin e tyre”.

Selia e Partisë Socialiste, Tiranë
Selia e Partisë Socialiste, TiranëFotografi: DW

Analisti politik Fatos Baxhaku vlerëson pozitivisht çdo ndërhyrje nga brenda ose nga jashtë vendit në rikthimin e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje madhore mes pozitës dhe opozitës. Por ai shprehet për Deutsche Wellen, se zgjidhja më e mirë dhe më e qëndrueshme do të jetë nëse ajo vjen nga vetë klasa politike shqiptare. “Mendoj se politika shqiptare ka ardhur koha që t`i zgjidhë vetë punët. Sepse jet e mot, që kur është bërë shteti shqiptar janë zgjidhur gjërat duke pritur nga të tjerët. Disa thonë se dhe vetë shteti shqiptar është bërë kështu. Tani besoj se shqiptarët, ose pjesa e kulturuar e moderuar e tyre kanë aq aftësi sa ti zgjidhin vetë pa pritur rezoluta dhe gjëra të tjera. Kështu në një farë mënyre e kuptoj mendimin e mirë dhe pozitiv të ndërkombëtarëve, por besoj, shpresoj akoma, bëj pjesë tek ata optimistë që mendojnë se klasa politike shqiptare do ta zgjidhë vetë krizën. Dhe me çfarë po dëgjojmë shumë shpejt”.

Kryeredaktori i të përditshmes “Standard”, Sami Neza.
Kryeredaktori i të përditshmes “Standard”, Sami Neza.Fotografi: DW / Arben Muka

Kryeredaktori i të përditshmes “Standard”, Sami Neza shikon veçori të krizës më të fundit politike në Shqipëri, për të cilën ai mendon se do ta kenë të vështirë rolin e mediatorit dhe faktori ndërkombëtarë. “Kësaj rradhe duket se historia është më e vështirë, ose duket si një histori pak më e gjatë për shkak se konsiderohet si një krizë me ngërç. Si një krizë ku është gjetur rruga për të hyrë në të, por nuk gjendet rrugë për të dalë prej krize. E gjithë politika shqiptare është mbërthyer rreth këtij ngërçi dhe ndoshta është e domosdoshme ndërhyrja e ndërkombëtarëve për të realizuar një dalje transparente, ose si të thuash të rrëshqiptme prej krize”.

Partia Demokratike
Partia DemokratikeFotografi: DW / Cama

Neza duke iu rikthyer rasteve të mëparshme të negociimeve që kanë ofruar ndërkombëtarët në situata konfliktuale thotë për DW, se ata “do të shfrytëzojnë procesin integrues të vendit në BE. Do t`i kujtojnë politikës shqiptare se askush nuk i afron ose integron me këtë klimë të acaruar dhe që nxit pasiguri, ngadalësi dhe aq më keq ngecje të reformave”.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama