1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

240210 Island EU

26 Shkurt 2010

Kriza financiare ka bërë që Islanda të kërkojë shpëtim përmes antarësimit në Bashkimin Evropian. Procesi i antarësimit po vazhdon, por edhe më tej nuk janë sqaruar të gjitha gjërat.

https://p.dw.com/p/MDKw
Komisioni Evropian ka nisur negociatat për antarësimin e Islandës në BE.
Komisioni Evropian ka nisur negociatat për antarësimin e Islandës në BE.Fotografi: picture-alliance/dpa/DW-Montage

Kriza financiare ka goditur shumë rëndë Islandën. Ishte ky dhe shkaku pse qeveria e këtij vendi paraqiti në verën e vitit 2009 kërkesën për anëtarësim në BE. Një gjysmë viti më vonë, Komisioni Evropian ka nisur negociatat për anëtarësim.

Komisioneri për zgjerimin, Stefan Füle pohon se Islanda nuk do të ketë kushte të posaçme për antarësim. „Sa i përket raportit tonë ai do të hartohet në bazë të kriterieve të njëjta si për vendet e tjera kandidate. Nuk ka asnjë rrugë më të shkurtër për antarësim."

Islanda mund të luajë rol të rëndësishëm në BE

Në verën e vitit të kaluar shumëkush ka shprehur dyshime se BE-ja do t'i lejojë Islandës që të antarësohet me një procedurë më të shpejtë se sa, për shembull, vendet e Ballkanit Perëndimor. Ministri i Jashtëm i Suedisë Carl Bildt u përgjigj asokohe se islandezët që tani i plotësojnë shumë kushte për antarësim. „Ata kanë një histori mijëvjeçare parlamentare. Prej fillimit të viteve 90-të janë pjesë e tregut të përbashkët. Këto janë aspekte, të cilat natyrisht duhet të kihen parasysh. Sipas mendimit tim, Islanda mund të luajë një rol të rëndësishëm brenda Bashkimit Evropian edhe për çështje gjithnjë e më të rëndësishme që kanë të bëjnë me Antarktikun."

Letërsi islandeze për krizën dhe BE-në.
Letërsi islandeze për krizën dhe BE-në.Fotografi: Susanne Henn

Mirëpo sugjerimet e Komisionit janë vetëm hapi i parë. Të gjitha qeveritë e vendeve anëtare të BE-së duhet të bien dakord me negociatat e antarësimit. Rezistencë mund të ketë në radhë të parë në Britani të Madhe dhe në Holandë, sepse depozituesit e këtyre vendeve kanë humbur shumë para në një bankë të Islandës. Në qoftë se islandezët përmes referendumit, i cili është planifikuar të mbahet me 6 mars refuzojnë planet për dëmshpërblimin, kjo mund të pasohet me masa ndëshkuese prej këtyre dy vendeve dhe bllokimin e antarësimit të Islandës në BE.

Por Komisioneri Füle thotë se edhe në qoftë se kjo çështje kalon pa probleme, mund të ketë edhe deficite të tjera. "Në raportin tonë paraqiten sektorë ku duhet punuar edhe më shumë. Të përmendim vetëm disa, kjo ka të bëjë me sektorët si organet e drejtësisë, politika ekonomike, bujqësia, peshkimi dhe ekologjia. Por në asnjë prej këtyre problemeve nuk ka pengesa dramatike, të cilat nuk mund të zgjidhen në kuadër të procesit."

Shumica skeptike ndaj integrimeve

Në veçanti i rëndë mund të jetë integrimi i peshkimit islandez në peshkimin evropian. BE-ja duhet të ketë kujdes që Islanda të rregullojë sa më parë financat e shtetit. Deficiti buxhetor i vendit për momentin është edhe më i madh se ai grek. Në anën tjetër, shumë qeveri janë të mendimit se islandezët janë shumë më të disiplinuar se sa grekët dhe besojnë se ata do të dalin më shpejt nga kriza. Megjithatë, edhe në qoftë se realizohet të gjitha kushtet pë antarësim, fjalën e fundit e ka popullsia islandeze. Çështja mund të komplikohet në qoftë se në fund organizohet ndonjë referendum, sepse aktualisht shumica është skeptike ndaj integrimeve.

Autor: Christoph Hasselbach / Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama