1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

220408 Biosprit EU

Anke Hagedorn / DW Bruksel23 Prill 2008

Parlamenti Evropian debatoi të martën (22.4) mbi çmimet e ushqimeve. Në këtë kuadër u paralajmërua ndaj rritjes së mëtejshme të çmimeve të mallrave ushqimore.

https://p.dw.com/p/DnHM
Në vitin 2007 çmimet e ushqimeve në Gjermani u rritën me 30%
Në vitin 2007 çmimet e ushqimeve në Gjermani u rritën me 30%Fotografi: AP

Epoka e ushqimeve të lira ka marrë fund njëherë e përgjithmonë, u shpreh Louis Michel, Komisari i BE-së për zhvillimin dhe ndihmën humanitare: "Çmimet e mallrave ushqimore nuk do të kthehen më kurrë në nivelin e dikurshëm dhe rritja e tyre e mëtejshme nuk mund të ndalet nëse nuk merren shpejt masa kundërvepruese. Kjo i tejkalon mundësitë e Komisionit dhe të Bashkimit Europian. Këtu kërkohet veprimi i gjithë bashkësisë ndërkombëtare."

Cilat janë shkaqet për rritjen e çmimeve

Por kush ose çfarë është fajtore për rritjen e çmimeve? Për këtë pyetje ka përgjigje të ndryshme. Specialistët e shpjegojnë kërkesën në rritje me popullsinë e globit, ndryshimim e mënyrës së të ushqyerit si p.sh. rritja drastike e konsumit të mishit në Kinë si dhe përmbyjtjet apo katastrofat e thatësirave si pasojë e ndryshimit të klimës.

Si masë ndihmë emergjente përballë situatës kërcënuese para së gjithash në kontinentin afrikan komisioni i BE-së do të vërë në dispozicion më shumë se 117 milionë euro për ushqime. Të rëndësishme janë megjithatë masat me efekt afatgjatë, thotë Michel. Ai foli kundër shtimit të prodhimit bujqësor europian. E nevojshme është para së gjithash zhvillimi i bujqësisë në vendet në zhvillim. Të tjerë, si p.sh. ministrja gjermane për zhvillimin Heidemarie Wieczorek-Zeul shohin në përdorimin në rritje të drithit për prodhim karburanti biologjik shkakun kryesor për çmimet në rritje të ushqimeve.


Kryetarët e shteteve dhe qeverive të BE-së kanë vendosur një vit më parë që deri në vitin 2020 një e dhjeta e nevojës për karburant e Unionit të mbulohen përmes karburanteve biologjike. Lloji më i përhapur i karburantit biologjik është etanoli i lëngshëm. Ai përftohet nga kallami i sheqerit, panxhari sheqerit si dhe misri, gruri dhe drithëra të tjera.

Në shënjestër spekulantët që tregtojnë mallra ushqimore

Stadi i sotëm i teknikës përcakton që BE duhet të shfrytëzojë 17 për qind të sipërfaqes së tij bujqësore për të arritur objektivin e vënë për karburantin biologjik. Por kjo nevojë mund të reduktohet ndjeshëm nëse për përftimin e karburanteve shfrytëzohen mbetje si kashta apo mbeturina lubrifikante.

Kryetari i grupit socialist në parlamentin europian, Martin Schulz, vuri në shënjestër spekulantët që tregtojnë mallra ushqimore. "Ajo çfarë po ndodh tani nuk është më normale, pra që vihet baste të mëdha për rritjen e çmimit të mallrave ushqimore. Anasjalltas kjo do të thotë: reduktoni prodhimin e mallrave ushqimore në mënyrë që të rriten çmimet dhe ne të realizojmë fitime."

Për qytetarët e BE-së një gjë është e qartë: BE-ja është fajtor për rritjen e përgjithshme të çmimit të ushqimeve. Dhe vërtet Brukseli për dekada me radhë ka paguar çmime të garantuara, ka blerë prodhimin e tepërt, ka subvencionuar eksportet dhe ka grumbulluar rezerva të mëdha. Kësaj politike tashmë i ka ardhur fundi.