1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kakofoni në vend të harmonisë-Divergjenca në samitin e integrimit

Baha Günghör7 Nëntor 2008

Takimi i tretë kushtuar integrimit në Gjermani nuk realizoi pritjet. Në vend të unitetit kishte disonanca të shumta. Dallimet mes qeverisë dhe përfaqësuesve të organizatave të të huajve as kësaj radhe s´u tejkaluan.

https://p.dw.com/p/Fp7u
Kancelarja Merkel dhe e ngarkuara për integrimin Böhmer para gazetarëveFotografi: AP

Do të ishte e padrejtë, nëse fajin për kakafoninë ia hedh vetëm qeverisë federale. Për dhjetëra vite me radhë janë bërë gabime të vazhdueshme nga të gjitha qeveritë e deritanishme federale dhe të landeve. Kancelarja Angela Merkel dhe e ngarkuara për integrimin Maria Bëhmer me siguri që meritojnë mirënjohje, sepse të paktën kanë filluar një dialog të drejtëpërdrejtë me përfaqësuesit e migrantëve.

Mirëpo vetëm qëllimi i mirë nuk mjafton. Kthesa e synuar me "Planin kombëtar për integrimin" nuk u realizua brenda një viti dhe nuk do të realizohet në tërësi edhe për një kohë më të gjatë. Integrimi nuk mund të diktohet nga lart. Ai duhet të jetë një qëllim i të prekurve për një bashkëjetesë megjithë dallimet fetare dhe kulturore.

Kancelarja është kundër kërkesave të disa politikanëve gjermanë dhe përfaqësuesve të organizatave të migrantëve për krijimin e një bordi të përbashkët për integrimin. Ajo më shumë angazhohet për një dialog të strukturuar, por nuk është e qartë se kush dhe si do ta bëjë strukturën e këtij dialogu. Peripecitë burokratike për marrjen e nënshtetësisë janë të tmerrshme. Pamundësia e pjesëmarrjes në vendimet e thjeshta demokratike, sic është zgjedhja e organeve komunale, nuk forcon ndjenjat ndaj Gjemanisë si një vend i migrantëve. Pasojat logjike janë vetëizolimi dhe distancimi.

Vetë përshkrimi se në Gjermani jetojnë 15 milionë njerëz me prejardhje migrantësh është kontraproduktiv. Gjysma e këtyre njerëzve e kanë pasaportën gjermane, ndërkohë që numri i atyre që janë integruar në shoqëri dhe ekonomi është shumë më i madh se i atyre, që mund të konsiderohen si të paintegruar apo problematikë.

Deputetja me origjinë turke Lale Akgün ka të drejtë, kur kërkon, që të gjithë njerëzit, që u përmbahen ligjeve dhe kushtetutës gjermane dhe të cilët paguajnë tatime, të konsiderohen si të integruar. Nuk duhet shikuar se çfarë muzike dëgjojnë ata në shtëpitë e tyre, çfarë kanalesh televizive shikojnë, apo çfarë gazetash lexojnë.

Duhet menduar mirë edhe mundësia e krijimit të një ministrie për integrimin. Ajo do të mund të drejtohej prej Armin Lashet-it, politikanit të respektuar kristiandemokrat, i cili e ka këtë post në landin e madh Nordrhein-Vestfalen. Zgjidhja e tanishme me përfaqësuesen për integrim Maria Bëhmer në krye duke mos pasur kompetenca, buxhet dhe personelin e caktuar është një zgjidhje me gjysëm zemre, sepse nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Qeveria federale duhet të shtrojë edhe pyetjen, nëse samiti i integrimit dhe konferenca islamike në Gjermani pjesërisht me të njëjtat persona nuk është edhe një dëshmi për fushatë e jo një strategji të mirëorientuar.

Shoqatat për integrime dhe të ngakurit për integrime në qytete dhe komuna me lugë çaji po i mënjanonë shtresat e problemeve të integrimit, të krijuara me dekada të tëra. Ata, që duan ta arrijnë zemrën e të prekurve, këtë nuk nuk mund të arrijnë me manifestime të mëdha në Berlin, por duhet të mbështesin forcat lokale për integrimin.