1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

150110 Rüstungsexporte Deutschland

18 Janar 2010

Gjermania është një nga eksportueset më të mëdha të armatimeve, por njëkohësisht ajo mburret, se është e rigoroze në dhënien e licencave.

https://p.dw.com/p/LYcV
Panairi i armëve, Nurenberg 2009
Panairi i armëve, Nurenberg 2009Fotografi: picture-alliance/ dpa

Të hënë (18.1.10) fillon në Augsburg procesi kundër lobiistit të armëve Karlheinz Schreiber. Schreiber akuzohet për mashtrime me taksat dhe për ryshfete. Në vitet 1990 Schreiber ndër të tjerë, i pat dhënë ryshfete Sekretarit të Shtetit pranë Ministrisë së Mbrojtjes Ludwig-Holger Pfahls, për të siguruar lejen për eksportimin e armatimeve në Arabinë Saudite. Gjermania është një ndër eksportueset më të mëdha të armatimeve në botë, por njëkohësisht ajo mburret me rigozitetin në dhënien e licencave.

Tank gjerman i tipit Leopard në paradën e ushtrisë turke në Ankara, 2000.
Tank gjerman i tipit Leopard në paradën e ushtrisë turke në Ankara, 2000.Fotografi: picture-alliance / dpa

Industria gjermane e armatimeve pas një periudhe të mirë

Në pesë vitete e fundit vlera e eksporteve gjermane të armatimeve thuajse është dyfishuar, sipas përllogaritjeve të bëra vitin e kaluar nga Instituti i Stokholmit për Paqen SIPRI. Por kjo shifër nuk mund të llogaritet saktësisht, thotë Otfried Nassauer nga Qendra e Informacionit për Sigurinë Transatlantike në Berlin. „ Dy vitet e fundit Republika Federale e Gjermanisë ka licencuar gjithmonë rreth tetë deri në nëntë miliardë euro eksporte. Kjo nuk do të thotë, se vlera e eksportit ka qene tetë deri në nëntë miliardë euro. Ne raportojmë gjithmonë për licencime. Por sigurisht që me këtë RFGJ bën pjesë në grupin e kryesuesve, të eksportuesve të mëdhenj të armatimeve në glob. Nëse ajo zë vendin e tretë, të katërt, të pestë, apo të gjashtë, kjo varet se cilën statistikë shikon dhe si është përpiluar kjo statistikë.“

Herë pas here Gjermania është në fokus të kritikave

Sepse në listën e vendeve importuese të armëve bëjnë pjesë edhe vende të implikuara në konflikte si p.sh. Pakistani, apo Izraeli, vende që vitet e kaluara i kanë dhënë porosi voluminoze industrisë gjermane të prodhimit të nëndetëseve. Konferenca e përbashkët Kisha dhe Zhvillimi çdo vit paraqet një raport për eksportet e armatimeve, në të cilin përfshihen raste të tilla. Prelati Karl Jüsten nga kisha katolike i kritikon furnizimet gjermane me armatime: "Kush do t' i kundërvihet spirales së armatimeve në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Jugore e Juglindore, apo në Amerikën e Jugut, nuk duhet ta nxisë dinamikën e tyre me biznese armatimesh."

Eksportet gjermane të armëve në vitin 2008.
Eksportet gjermane të armëve në vitin 2008.

Armë lufte, si tanke dhe pushkë, duhet të eksportohen, vetëm me leje të posaçme. Kur është fjala për pajisje, që nuk përdoren direkt si armë, ose që mund të përdoren për qëllime civile si p.sh. motorë anijesh, atëherë vlejnë rregulla më liberale. Vendimi nëse diçka është e lejueshme apo e ndaluar varet prej shumë vlerësishmeve: Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me çështje teknike, pra se përse mund të përdoret ekzaktësisht malli i eksportit. E rëndësishem është të vlerësohet situata në vend, a mund të ashpërsohen konfliktet ekzistuese, kemi të bëjmë me shkeljen e të drejtave të njeriut, çështje kjo që duhet të merren parasysh.

Për vendimet është përgjegjëse instanca politike

Pikërisht të tilla çështje shtrohen edhe në procesin për korrupsion kundër lobiistit të armëve Karl-Heinz-Schreiber dhe bizneseve të tij me qeverinë e Helmut Kohlit në vitet 1990. „Tek e fundit për vendimin është gjithmonë përgjegjëse instanca politike. Pikërisht në rastet e diskutueshme firmat përpiqen që ministritë përkatëse dhe njerëzit përgjegjës në ministri t' i venë në lëvizje në nivelin politik në mënyrë që ato t' i marrin vendimet konform tyre. Në këtë drejtim luajnë rol lobiistët, si z. Schreiber apo edhe ndërmjetësuesit.“

Krahasuar në planin evropian Gjermania megjithatë është një ndër eksportueset rezervuara. Megjithëse vendet e BE-së janë të detyruar të respektojnë standarde të përbashkëta për eksportet e armatimeve, me dhënien e licencave veprohet në mënyrë të ndryshme. Koncernet ndërkombëtare si p.sh. EADS i zhvillojnë bizneset shpesh herë pikërisht nëpërmjet atyre vendeve, të cilat nuk janë rigoroze.

Autor : Mathias Bölinger / Vilma - Filaj Ballvora

Redaktoi : Aida Cama