1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kampionati Botëror i Atletikës në ditën e dytë

17 Gusht 2009

Në Kampionatin Botëror të Atletikës në Berlin xhamajkiani Usain Bolt shënoi një rekord të ri botëror në garën e 100 metrave. Gjermania siguroi dy medalje argjendi: në hedhjen e gjyles për femra dhe në shtatëgarësh.

https://p.dw.com/p/JCmF
Xhamajkani Usain Bolt feston rekordin e ri botëror në 100 m. Ne foto: Usain Bolt me flamurin e hapur te Xhamajkes ne duar
Xhamajkani Usain Bolt feston rekordin e ri botëror në 100 mFotografi: AP

Bolti arrin të thyejë rekordin e tij botëror me një rekord të ri: 9 sekonda e 58 të qindtat

„Kjo është e pabesueshme. Ky është një rekord i ri botëror. Bolti natyrisht që fiton medaljen e artë“.

Të dielën ishte dita e dytë e kampionatit botëror të atletikës. Në mbrëmje vonë u zhvillua disiplina mbretërore, gara në vrapin 100 metërsh. Dueli i burrave më të shpejtë në botë. Dueli i amerikanit Tyson Gay kundër atij nga Xhamajka, Usain Bolt.

Të gjithë ishin në ankth. Gara ishte më e shpejtë se kurrë më parë. Bolti arrin të thyejë rekordin e tij botëror me një rekord të ri të magjishëm, në kohën 9 sekonda e 58 të qindtat. E pabesueshme.

Amerikani Tyson Gay mund ta përballojë dot shpejtësinë e Bolt-it. Ai arriti kohën 9.71, e treta në historinë e garës së 100 metrave, por shumë larg asaj të xhamajkanit.

Edhe vetë Bolti nuk e kishte pritur këtë rekord:

"Unë e dija që mund ta përmirësoja rekordin tim botëror, por këtu në Kampionatin Botëror nuk e prisja patjetër. Një kohë fantasike, jam ndierë shumë mirë".

Usain Bolt - njeriu më i shpejtë i planetit. Ne foto: Bolt duke dhene nje interviste televizive
Usain Bolt - njeriu më i shpejtë i planetitFotografi: AP

Dhe kështu 23 vjeçari, Usain Bolt bëhet njeriu më i shpejtë i planetit.

Dy medalje argjendi për Gjermaninë në hedhjen e gjyles dhe në shtatëgarësh

Atmosfera në stadiumin olimpik në Berlin u ndez nga ky spektakël sportiv, edhe pse shikuesit pak më parë kishin brohoritur për medaljet e fituara nga sportistet gjermane. Dy medalje argjendi morën për Gjermaninë, Nadine Kleinert nga Magdeburgu në hedhjen e gjyles dhe Jennifer Oeser nga Leverkuzeni, në disiplinën shtatëgarësh.

“Ndjenja e gëzimit është vërtet e madhe. Arrita të kualifikohem. Unë kam vepruar si në vitin 2004. Kam pasur shumë kënaqësi dhe përmes kësaj ka ardhur edhe suksesi“.

Kënaqësi dhe sukses kishte edhe Jennifer Oeser. Në shtatëgarësh ajo mori si Kleinert medaljen e argjendtë, megjithëse u rrëzua në garën 800 metërsh. Gjermanen arriti ta sfidojë vetëm britanikja Jessica Eniss .

Jennifer Oeser (majtas), Julia Maechtig (mes), Nadine Kleinert (djathtas) mori si Kleinert medaljen e argjendtë
Jennifer Oeser (majtas), Julia Maechtig (mes), Nadine Kleinert (djathtas) mori si Kleinert medaljen e argjendtëFotografi: picture alliance / dpa

Në garën për gruan më të shpejtë në botë, Verena Sailer arriti në gjysëm finale në garën 100 metërsh. Kampionia gjermane arriti të zerë vendin e katërt me kohën 11,26 sekonda duke u kualifikuar për në raundin tjetër.

“Tani kam shumë emocione. Nuk e besoja se do ta arrija. Nuk doja të zhgënjeja asnjeri. Natyrisht që tani ëndërroj pak, por jam po ashtu tmerrësisht e lehtësuar“, thotë Sailer.

Me shumë ankth u prit edhe gara në hedhjen e shtizës për femra. Kampionia e Evropës, Stefi Nerius arriti me hedhjen e saj më të gjatë të kalojë në finale, që zhvillohet ditën e hënë. Me 61,73 metra ajo arriti vendin e gjashtë. Për këtë displinë u kulifikuan edhe Linda Stahl me 63,86 metra dhe fituesja e vendit të tretë në Olimpiadë, Christina Obergföll me 60,74 metra.

Jana Hartman ka arritur të hyjë në gjysmë finalë e garës 800 metra për femra. Sorina Nwachukwu u skualifikua në në garën 400 metërsh. Në ditën e dytë të Kampionatit , rusja Olga Kaniskina siguroi titullin Kampion në garën 20 km. E vetmja gjermane në këtë garë, Sabine Krantz para mijëra vizitorëve në bulevardin „Unter den Linden„ u paraqit pas 48 minutash.

Ndërkohë në displinat e tjera për femra, atletja nga Kenia, Linet Masai i dha fund dominimit të Etiopisë në garën e 10 mijë metrave, duke i marrë fitoren në metrat e fundit etiopianes Meselek Melkamu. Kjo e fundit mendoi se kishte fituar dhe po festonte, por Masai arriti ta kalonte.

Në hedhjen e gjyles për meshkuj medalja e artë i takoi amerikanit Christian Cantwell

Në hedhjen e gjyles për meshkuj, medalja e artë i takoi amerikanit Christian Cantwell, që e hodhi gjylen 22.03 metra. Ndërsa medalja e parë e artë në këtë botëror i shkoi rusit Valeri Borkin, që fitoi garën e 20 kilometrave ecje sportive. Ai e përshkoi këtë distancë në kohën 1 orë, 18 minuta e 41 sekonda, duke lënë pas kinezin Hao.
Në kërcimin me shkop, rusja Elena Isinbajeva kaloi në raundin final, pasi kërceu lehtësisht 4 metra e 55 centimetra.

Autor: Mimoza Cika-Kelmendi/ dpa/dw

Redaktoi: Auron Dodi