1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kancelarja Angela Merkel rreth çështjes Edathy

Heiner Kiesel/Pandeli Pani19 Shkurt 2014

Më në fund edhe kancelarja po u përgjigjet pyetjeve për çështjen e politikanit Edathy. Ajo po lufton për të ruajtur besimin e popullit tek qeveria.

https://p.dw.com/p/1BBDq
Fotografi: DW/M. Gopalakrishnan

Kur kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh për herë të parë në publik në lidhje me çështje Edathy fytyra e saj dukej e lodhur. Në fjalën e saj ajo përsëriti shumë shpesh fjalën besim. Ajo foli për besimin e qytetarëve në shtetin e së drejtës, që nuk duhet të tronditet, për transparencë të proceseve. Ajo tha se ishte befasuar nga zhvillimi i shpejtë i ngjarjeve dhe kishte mësuar vetëm të mërkurën në darkë në lidhje me planet e SPD-së. Fjala ishte për një njoftim për shtyp të drejtuesit të grupit parlamentar të SPD-së Thomas Oppermann, njoftim që çoi në dorëheqjen e ministrit federal të Bujqësisë Hans-Peter Friedrich (CSU).

Ajo shprehu mirëkuptim për dorëheqjen Hans-Peter Friedrich të premten e kaluar, por nuk tha asgjë nëse i duket e drejtë që - kur ai ishte ministër i Brendshëm - e kishte paralajmëruar SPD-në se emri i ish-deputetit Sebastian Edathy qe shfaqur në hetime ndërkombëtare që lidheshin me konsum pornografie me fëmijë. "Ka më shumë pyetje dhe kjo është arsyeja pse unë mendoj se në në Bundestagun gjerman do të ndodhin gjërat përkatëse, që ky besim të rivendoset." - tha Merkel.

Përplasje në qeveri

Besimit në kuadër të koalicionit do t'i shërbejë një takim në të cilën marrin pjesë kryetari i CSU-së Horst Seehofer, kryetari i SPD Sigmar Gabriel dhe kancelarja. "Unë jam shumë optimiste se ne do të kemi sukses." Megjithatë, nuk është e qartë se ku e mbështet kancelarja këtë besim. CSU po përpiqet të shpëtojë reputacionin pasi u detyrua të sakrifikonte një ministër duke e zëvendësuar me një tjetër për shkak të deklaratave të SPD-së. Zëra nga CSU-ja kërkuan dorëheqjen Thomas Oppermann, por kjo ka pak gjasa që të ndodhë.

Merkel und Seehofer und Gabriel Archiv 2013
Fotografi: picture-alliance/dpa

Merkel vetë zgjodhi si moment për të shprehur mesazhin e saj për besimin tek shteti dhe tek politika, konferencën për shtyp me Presidentin e Zvicrës Didier Burkhalter. Ajo u përgjigj shkurt, duke thënë se gazetarët e pranishëm nuk mund ta linin të priste gjatë mikun nga Zvicra.

Prokuroria dhe parlamenti në veprim

Përveç hetimeve të Prokurorisë me aferën Edathy do të merret dhe Komisioni i Bundestagut për Çështjet e Brendshme. Fjala është për të marrë vesh se kush mund ta ketë njoftuar Edathyn se rreth tij po zhvillohen hetime dhe t'i ketë dhënë atij mundësi të zhdukte objekte që mund të vërtetonin akuzën. Përveç punës së komisionit edhe Parlamenti do të diskutojë në një seancë për këtë aferë.

Prokuroria po heton nëse Hans-Peter Friedrich ka nxjerrë sekretin në kohën që ishte ministër i Brendshëm. Ish-ministri hedh poshtë çdo lloj akuze ndaj tij. Ai tha në një intervistë për ARD-në se donte që të mos i shkaktoheshin dëme Gjermanisë dhe se në një situatë të ngjashme do të vepronte në të njëjtën mënyrë. Ai tha se nuk e kishte informuar kancelaren Merkel, sepse i vetmi njeri që duhet ta dinte një gjë të tillë, ishte kryetari i SPD-së.