1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kancelarja gjermane Angela Merkel takohet sot me presidentin amerikan Barack Obama

26 Qershor 2009

Temat kryesore të bisedimeve do të jenë kriza financiare dhe ndryshimi i klimës.

https://p.dw.com/p/Ibcn
Raporte miqësore - Presidenti amerikan Obama dhe kancelarja gjermane MerkelFotografi: AP

Në fillim të vizitës së saj në SHBA-s, Merkel u nderua të enjten (25.6.) për meritat në raportet amerikano-gjermane me çmimin Erik-M.-Warburg.

"Zonja Kancelare, për ne është një nder i madh që mund t'ua japin sonte çmimin Erik M. Warburg, për rolin tuaj të jashtëzakonshëm në raportet gjermano- amerikane."

Angela Merkel / Warburg Preis
Kancelarja gjermane Merkel nderhoet me çmimin "Erik Warburg"Fotografi: AP

Me këtë çmim, i cili mban emrin e themeluesit të organizatës "Ura Atlantike", Erik Warburg, është nderuar më parë edhe Helmut Kohl. Çmimi jepet për kontributin e jashtëzakonshëm në raportet mes kontinentit të Amerikës dhe atij të Evropës. Kancelarja gjermane nga ana e saj theksoi dëshirën nga koha e rinisë, kur jetonte në Republikën Demokratike të Gjermanisë, për të udhëtuar në SHBA.

"Mendoja që në ditën që do të dal në pension, pra në moshën 60 vjeçare, do të udhëtojë në Republikën Federale të Gjermanisë dhe do ta dorëzoja pasaportën time të Republikës Demokratike të Gjermanisë, për të marrë një pasaportë tjetër dhe për tu nisur më pas menjëherë drejt Amerikës."

Zgjidhja e krizave në Iran, Lindjen e Afërt dhe ndryshimi i klimës - tema qëndrore të bisedimeve

Kancelarja foli me fjalë të zgjedhura për Presidentin Barack Obama dhe tiparet e tij largpamëse për zgjidhjen e problemeve si në Iran, Lindjen e Afërme, krizën financiare apo ndryshimin e klimës. Këto do të jenë edhe temat që do ta trajtohen gjatë takimit të sotëm. Merkel e sheh këtë vizitë 24 -orëshe si shans për evitimin e dështimit të konferencës së Kopenhagës, kushtuar klimës në fund të këtij viti.

Merkel i premton Uashingtonit mbështetjen e Gjermanisë

Belgien EU Gipfel Deutschland Angela Merkel in Brüssel
Kancelarja gjermane e mbështet politikën e jashtme të SHBA-sFotografi: AP

Kancelarja gjermane la të hapur një hapësirë të gjëra manovrimi për të gjitha çështjet duke i premtuar Uashingtonit mbështetje gati në të gjitha fushat politike.

"Gjermania i përshëndet këto hapa. Në Afganistan angazhohemi përmes krijimit të rrjeteve të sigurisë, që është edhe një prej synimeve amerikane, dhe do të vazhdojmë me mbështetjen për të arritur rezultatet e duhura."

E pyetur për raportet përsonale me politikanin me pushtetin më të madh në botë, politikania më e fuqishme gjermane thekson anën analitike të veprimeve zyrtare të Obamës. Në tre muajt e fundit ata janë takuar katër herë. Pra a është i domosdoshëm edhe një takim tjetër në Shtëpinë e Bardhë?

"Mendoj se momenti është shumë i përshtatshëm, sepse qëndrojmë para një varg takimesh të rëndësishme: Samiti i G-8-ës në shtator, konferenca e OKB-së për klimën dhe samiti i e G-20-ës. Si partnerë duhet t'i harmonizojmë qëndrimet mbi disa çështje shumë të rëndësishme për të cilat do të bisedojmë" - u shpreh Merkel.

Autorë: Thomas Nehls/ Bahri Cani

Redaktoi: Sonila Harasani