1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kancelarja Merkel bëri publike ndryshimet në kabinet qeveritar në Gjermani

28 Nëntor 2009

Kancelarja Angela Merkel ndryshoi (më 27.11.) kabinetin qeveritar. Ministrinë e Punës do ta udhëheqë ministrja e deritanishme e Familjes, von der Leyen, ndërsa në vend të saj emërohet Köhler.

https://p.dw.com/p/Kk6C
Angela Merkel, ndryshime të shpejta në kabinetFotografi: AP

Debatet rreth pasardhësit të ministrit të Punës Franz Josef Jung përfunduan shpejt. Pak orë pas dorëheqjes së tij, Kancelarja Merkel bëri të ditur: "Presidentit i kam propozuar që pasardhëse e Franz Josef Jungu të bëhet Ursula von der Leyen. Besoj se me përvojën e saj si ministre e Familjes, e më parë dhe ministre në landin e Saksonisë së Poshtme, ajo i plotëson të gjitha kushtet për të marrë këtë detyrë të rëndësishme në qeverinë federale dhe për ta kryer atë me sukses."

Ursula von der Leyen Flash-Galerie
Ursula von der Leyen, gjithnjë e buzëqeshurFotografi: AP

Vendimi ishte megjithatë i befasishëm, sepse kjo mjeke me shtatë fëmijë ishte zgjidhje ideale për ministrinë e Familjes apo dhe ministrinë e Shëndetësisë. 51-vjeçarja ka bërë karrierë në kabinetin e Kancelares Merkel. Ajo buzëqesh shpesh, disa mendojnë tepër shpesh. Por falë Ursula von der Leyen-it, ka ndryshuar dhe politika e Unionit për familjen dhe për një kohë të shkurtër kjo temë është bërë një prej më të rëndësishmeve në kabinetin qeveritar.

Köhler pasardhëse e von der Leyen

Von der Leyen e merr ministrinë e Punës në kohën e krizës dhe papunësisë në rritje. Me këtë detyrë ajo ka marrë një prej roleve më të rëndësishme në kabinetin qeveritar. Ndërkohë që me emërimin e 32-vjeçares Kristina Köhler si ministre të Familjes, Kancelarja Merkel bëri dhe befasinë e dytë.

Kristina Köhler
Kristina Köhler, me 32 vjet minitrja më e re në kabinetFotografi: picture alliance / dpa

"Kristina Köhler deri tani ka punuar në sektorin e integrimit, por jam e bindur se si ministre e Familjes kjo sociologe e diplomuar do të bëjë një punë shumë të mirë", theksoi Merkel.

Kështu pohon Kancelarja, por duket se për një ngritje kaq të shpejtë të deputetes Kristiandemokrate ka luajtur rol të rëndësishëm edhe një faktor tjetër: ajo vjen nga Heseni, një bazë e fuqishme kritiandemokrate, e cila pas tërheqjes së Jungut, nuk e ka asnjë ministër në kabinet.

Diskutime të shumta kanë shkaktuar deklaratat e saj një vit më parë se "në mesin e të huajve është shtuar armiqësia dhe gatishmëria për dhunë ndaj gjermanëve". Në zgjedhjet parlamentare Kristina Köhler, fitoi në zonën e saj në Visbaden më shumë vota se ministrja e mëparshme Heidemarie Wieczorek-Zeul. Politika e famlijes për anëtaren më të re të kabinetit qeveritar është pak e njohur. Me propozimet e fundit, të cilat duhet të miratohen edhe prej Presidentit Horst Köhler, në kabinetin qeveritar shtohet numri i femrave në pesë nga 15 ministra.

Autor: Bernd Gräßler/Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama