1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

021109 Merkel USA

3 Nëntor 2009

Kancelarja Angela Merkel udhëton të hënën (02.11) për një vizitë në Uashington. Të martën (03.11) ajo do të mbajë fjalim përpara dy dhomave të Kongresit të SHBA-së. SHBA-ja pret përgjegjësi më të madhe gjermane në botë.

https://p.dw.com/p/KLi6
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i SHBA, Barak Obama në Shtëpinë e Bardhë, qershor 2009
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i SHBA, Barak Obama në Shtëpinë e Bardhë, qershor 2009Fotografi: dpa

SHBA do të preferonte rol më aktiv gjerman në Afganistan

Së pari është angazhimi i Bundesverit (ushtria gjermane) në Afganistan. Gjermanët janë në fakt kontigjenti i tretë për nga kapaciteti i trupave në kuadër të mandatit të NATO-s, por mundësitë e angazhimit të 4400 ushtarëve gjermanë janë të kufizuara nga mandati i Bundestagut. Trupat lejohen të vetëmbrohen, por ato nuk lejohen të sulmojnë, ndërsa avionët Tornado të Bundesverit ndonëse ndihmojnë për zbulimin nga ajri, nuk japin mbështetje në luftime. Përpara se presidenti Obama të formulojë publikisht në këtë drejtim se pret shumë më tepër nga Gjermania dhe aleatët e tjerë, ai duhet të vendosë fillimisht vetë, se si do të vazhdohet më tej në Afganistan. Megjithatë duket se qeveria e SHBA-së do të preferonte, që Gjermania të marrë përsipër një rol më aktiv në Afganistan. Barack Obama thekson vazhdimisht, që SHBA-ja nuk mund ta përballojë vetëm rindërtimin e Afganistanit dhe luftën kundër El Kaidës e radikalëve talibanë. Gjatë fushatës elektorale SHBA-ja garantoi një afat reflektimi, por tani Uashingtoni kërkon një pohim të qartë, thotë Stephen Szabo, Drejtor i Akademisë Transatlantike të Fondacionit German Marshall në Uashington:

"Qeveria e SHBA-së do të preferonte, që Gjermania t' i shfuqizojë rezervat dhe kufizimet për misionin e Bundesverit, që Gjermania ta pranojë se ky mision ushtarak është një mision luftarak dhe jo vetëm ndihmë për zhvillimin."

'Marrëdhëniet me Rusinë të mos shënojnë prapakthehu në arritjet e fundit të Luftës së Ftohtë'

Edhe sa i përket fillimit të ri në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë, Gjermania luan një rol të rëndësishëm. Marrëdhëniet e ngushta ekonomike me Rusinë shihen me mosbesim në SHBA. Ish-këshilltari për sigurinë i presidentit Jimmy Carter, Zbigniew Brzezinski, paralajmëron në këtë kontekst nga kompromiset e mëdha ndaj Rusisë me motiv politikën ekonomike:

"Ne duam marrëdhënie të mira me Rusinë. Por ne nuk duam marrëdhënie, të cilat shënojnë prapakthehu në arritjet, që lidhen me fundin e Luftës së Ftohtë. Dhe ne nuk duam, që Ukraina, Bjellorusia, Gjeorgjia dhe Evropa Qendrore e Lindore të kenë disavantazhe."

Tema të tjera të rëndësishme, që do të trajtohen gjatë kësaj vizite, janë padyshim edhe Irani e Guantanamo.

Autor: Kristina Bergman/ Vilma Filaj-Ballvora Redaktoi: Auron Dodi