1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel fillon sot me Tiranën turin e saj ballkanik

Ani Ruci8 Korrik 2015

Vizitë historike – shtysë e re per perspektivën europiane të Ballkanit

https://p.dw.com/p/1FusO
Fotografi: Reuters/A. Celi

Një vizitë në kohën e duhur. Kështu perceptohet vizita sot ( 8 korrik 2015) në Tiranë e kancelares Merkel në fillim të turit të saj ballkanik, i cili vijon nesër në Beograd dhe mbaron po nesër (9 korrrik 2015) në Sarajevë. Dr. Albert Rakipi, Drejtor i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare në Tiranë, thotë për DW se vizita në Tiranë i kancelares Merkel është shumë i rëndsishëm në disa aspekte.

“Në atë të marrëdhënieve dy palëshe Gjermani-Shqipëri. Gjatë 25 viteve të fundit është ndërtuar një marrëdhënie e konsoliduar, në rritje mes një fuqie europiane si Gjermania dhe një vendi të vogël si Shqipëria. Është kuptimplote shifra prej më shumë se 1 miliard eurosh kontributi gjerman që nga viti 1988, shifër që i jep Gjermanisë vendin e një prej donatorëve më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm për Shqipërinë. Mes dy vendeve ka edhe një marrëdhënie politike në rritje sidomos pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO-s.”
Aspekti tjetër është ai rajonal. Përmirësimi i marrëdhënieve mes Shqipëris ë dhe Serbisë pas vizitave historike të kryeministrit Rama në Beograd dhe kryeministrit serb Vuçiç në Tiranë, të dyja vendet fqinjë ballkanike shihen potencialisht si promotorë të pajtimit dhe bashkepunimit në rajon.
“Gjermania mbështet procesin e pajtimit në Ballkan si parakusht të bashkëpunimit, duke u bazuar në modelin e vendeve europiane, që kanë kapërcyer trashëgiminë konfliktuale, armiqësore të historisë së tyre. Dhe ky është modeli më i mirë i ecjes përpara. Kështu ka ndodhur me Gjermaninë dhe Francën, model që u vu në themel të BE”, thotë Rakipi.

Rakipi: "Ka një moment të rëndësishëm në Ballkan për të patur vëmendjen e Gjermanisë."
Rakipi: "Ka një moment të rëndësishëm në Ballkan për të patur vëmendjen e Gjermanisë."Fotografi: DW/A. Ruci

Si është situata sot në Balllkan?

Sfida e procesit te pajtimit në Ballkan dhe roli pozitiv, që Tirana duhet të luajë që ky proces të shkojë përpara shoqërohet me shumë sfida të tjera.
“Megjithë përparimet e arritura nga Shqipëria dhe vende te tjera të Ballkanit Perëndimor në përgatitjen e tyre për të qënë një ditë vende anëtare të BE, pra shtete të stabilizuara, funksionale, shoqëri demokratike, standarte ekonomike, Ballkani nuk ndodhet në një pozitë shumë premtuese. Ka pothuajse një dështim të sistemit demokratik në Maqedoni, ka një demokraci shumë të brishtë dhe shtet jo funksional në Kosovë, po kështu edhe në B-H. Shqipëria dhe Serbia kanë një nivel të ulët të funksionimit të demokracisë dhe shtetit. Ka probleme, që lidhen me politikat e brendshme, marrëdhëniet ndërshtetërore në Ballkan. Kriza e madhe politike dhe ekonomike në Greqi mund të ngadalëësojë procesin e integrimit europian dhe të ketë implikime negative në çështje ekonomike dhe politike”, thekson Rakipi.
Në këtë kontekst vizita e kancelares gjermane sot në Tiranë dhe nesër në Beograd dhe Sarajevë është historike dhe në kohën e duhur.
“Për t’i dhënë një shtysë të re procesit të integrimit europian që në rradhë të parë ka të bëjë me politikat e brendshme dhe me procesin e ndërtimit të shteteve në këtë pjesë të Europës. Ka një moment të rëndësishëm në Ballkan për të patur vëmendjen e Gjermanisë, fuqisë më të madhe europiane, madje një nga fuqitë botërore. Kjo mund të shihet edhe në një kontekst ndërkombëtar, kur vëmendja e BE, vendeve perëndimore dhe SHBA është drejtuar në vatra me rëndësi më prioritare, kur është puna për çështje të sigurisë, si zhvillimet në Lindjen e Mesme”, thotë Z. Rakipi.

Çfarë duhet t’i kërkojë kancelarja Merkel Tiranës, Beogradit dhe Sarajevës?

Natasha Srdoc, drejtore e Institutit të Adriatikut, për politikat publike, një think tank i mirenjohur ne Europë, që merret me studime, analiza dhe kërkime për vendet e Europës Jug-Lindore, thotë për DW:
“Vizita e kancelares Merkel në Tiranë, Beograd dhe Sarajevë mund të ketë rëndësi për sigurinë dhe paqen jo vetëm në rajon por edhe në Europë dhe SHBA, nëse kancelarja Merkel kërkon dhe monitoron sundimin e ligjit dhe një gjyqësor të pavarur në këto vende; kërkon gjetjen e qindra miliarda dollarëve, që janë dalje të paligjshme financiare përmes krimit, korrupsionit, evazionit fiskal, që i kanë shkaktuar ”hemoragji” buxheteve të vendeve të Ballkanit; konfiskimni e pasurive te paligjshme të grumbulluara nga politikanë të korruptuar dhe partnerët e tyre private në krim dhe kthimin e tyre për taksapaguesit e vendeve të Ballkanit.”
Srdoc thekson se “bashkëjetesa e korrupsionit politik me krimin e organizuar në Ballkan, kombinuar me pastrimin e parave kanë qënë faktorët kryesorë te konflikteve rajonale dhe paqëndrueshmërisë ekonomike. Srdoc mendon se “në vendet e Ballkanit duhet të ndiqet i njëjti veprim i autoriteteve amerikane në Ukrainë: ndjekja, ngrirja dhe riatdhesimi i pasurive të paligjshme të grumbulluara nga zyrtarët e korruptuar të Ukrainës.”

Natasha Srdoc, drejtore e Institutit të Adriatikut, për politikat publike
Natasha Srdoc, drejtore e Institutit të Adriatikut, për politikat publikeFotografi: DW/A. Ruci

Orientimi pro-europian i rajonit dhe konteksti gjeopolitik i vizitës së kancelares Merkel

Angela Merkel Kanzerlin Besuch Tirana Albanien Premierminister Edi Rama
Fotografi: Reuters/A. Celi

Në këtë situate jo shumë premtuese lidhur me kriteret, që kërkon përparimi në afrimin me BE, vende të tjera, jashtë rajonit, janë të interesuara për të patur dhe rritur ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor.
“Vizita e kancelares Merkel në Tiranë duhet parë edhe në një kontekst gjeopolitik. Ka përpjekje të fuqive jashtë rajonit, perfshirë edhe Rusinë, që të kenë ndikim në rajon. Në Shqipëri dhe në gjjthë rajonin nuk ka asnjë hezitim, kur ështe fjala për orientimin proeuropian dhe të ardhmen europiane të rajonit. Por megjithate flitet edhe për plane të tjera për të ardhmen e Ballkanit. Nderkohë që e ardhmja në BE është zgjedhur me sistemet politike, që ka zgjedhur Shqipëria dhe vendet e Ballkanit. Pra nuk ka një plan B, që të mbështetet në një system tjetër politik, që të ketë fuqi tërheqëse. Edhe në Beograd, pavarësisht nga hezitimet lidhur me politikën e jashtmne të BE, BE mbetet fuqia e vetme tërheqëse për të ardhmen e vendeve dhe shoqërive të Ballkanit.”

Albanien Tirana Besuch Angela Merkel
Fotografi: picture-alliance/EPA/Stringer

Reformat - çelësi i përparimit drejt BE

Për Gjermaninë dhe BE është e rëndësishme që rajoni ta shikojë të ardhmen e vet drejt Europës. Në këtë perspektivë mbështetja e Gjermanisë ndaj Shqipërisë dhe rajonit është e domosdoshme.
“Përparimi në procesin e integrimiut europian do të varet nga vullneti i elitave politike për të vazhduar reformat, që kanë të bëjnë me sistemin politik, ekonominë e tregut, shoqërinë demokratike. Në Shqipëri ndodh që krijohen mite. Në vitet e fundit është folur për një lloj ”marrëdhënieje ekskluzive të Gjermanisë me Shqipërinë”, gjë që reflekton një nivel të pazhvilluar të shoqërisë shqiptare lidhur me modernizimin e saj”, thotë Rakipi.
Vizita e kancelares Merkel ne Tiranë bëhet disa javë para Konferencës së Vienës, që vijon atë të Berlinit , të inicuar nga kancelarja Merkel në gushtin e vitit të kaluar, ku qëllimi kryesor ishte të tregohej zotimi ndaj procesit të zgjerimit të Europës me vende të Ballkanit Perëndimor. Konferenca hapi procesin e njohur si ”procesi i Berlinit”, ku Shqipëria paraqiti vizionin e saj për Ballkanin si “një rajon në paqe, i përgatitur për t'iu bashkuar BE, duke garantuar një jetë dinjitoze për qytetarët e tij”.