1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kancelarja Merkel thotë se multikulturalizmi ka dështuar

18 Tetor 2010

Në një fjalim përpara mbështetësve të saj, Merkel tha se multikulturalizmi nuk ka qenë i suksesshëm në Gjermani. Mësimit të gjuhës gjermane duhet t'i jepet përparësi.

https://p.dw.com/p/PgKM
Kancelarja Merkel flet për integrimin
Kancelarja Merkel flet për integriminFotografi: dapd

Përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri multikulturore në Gjermani kanë "dështuar shprehimisht", deklaroi kancelarja gjermane, Angela Merkel. Në një takim të shtunën, para organizatës së rinisë së CDU-së, Junge Union, Merkeli kërkoi më shumë përpjekje për integrim nga migrantët. Kualifikimi i forcave gjermane të punës duhet të ketë përparësi, përballë kërkesave për emigrantë, tha ajo:

"Natyrisht, premisa ishte që le të jetojmë tani sipas modelit multikulturor, pranë njëri-tjetrit dhe të gëzohemi për njeri-tjetrin. Kjo premisë ka dështuar, ka dështuar absolutisht.", tha ajo. Merkeli shtoi se në të kaluarën nuk qenë bërë përpjekje të mjaftueshme për ta mbështetur këtë lëvizje.

"Dështimet e 30-40 vjetëve të shkuara nuk mund të zgjidhen kaq shpejt," shtoi kryetarja e CDU-së.


Mësimi i gjermanishtes është për unionistët premisë integrimi

Komentet e saj pasuan një fjalim të ngjashëm të kryetarit të partisë simotër bavareze, CSU, Horst Seehofer. Të premten ai deklaroi qendrimin e partisë së tij ndaj multikulturalizmit: "Multikulturalizmi ka dështuar", tha ai, duke korrur duartrokitje nga anëtarë të partisë .

Komentet e Seehoferit u kritikuan të dielën nga sekretari i përgjithshëm i Këshillit Qendror të Hebrenjve, Stephan Kramer. Në një intervistë me gazetën Rheinpfalz am Sonntag, ai tha se ideja që imigrantët nga Turqia si dhe nga vendet arabe e kanë më të vështirë për t'u integruar është "jo vetëm pa takt, por edhe e papërgjegjshme."

Në debatin për integrimin ndërhyri edhe ministrja federale e Arsimit, Annete Schavan. Në një intervistë me gazetën "Neue Osnabrücker Zeitung", zëvendëskryetarja e CDU-së tha se i rëndësishëm është mësimi në moshë të vogël i gjermanishtes dhe kontakte sa më të ngushta të shkollës me prindërit, edhe me ndihmën e punonjësve socialë.

Në fjalën e saj, kancelarja Merkel theksoi se imigrantët duhet të mësojnë të flasin gjermanisht, për të qenë në gjendje që të konkurojnë në tregun e punës. Kancelarja tha se ata që duan të marrin pjesë në shoqëri në Gjermani, duhet që jo vetëm t'u binden ligjeve gjermane, ata edhe duhet të zotërojnë shumë mirë gjuhën gjermane.

"Kjo do të thotë se kërkesa për integrim është një nga detyrat kryesore tonat për kohën e ardhshme. Kur themi që jemi një vend që u jep njerëzve në vendin tonë një shans, kjo duhet të mbetet edhe emblematike për Gjermaninë."

Komentet e Merkelit bëhen një javë pas një vizite në Berlin të kryeministrit turk, Rexhep Taip Erdogan. Dy udhëheqësit thanë se do të punojnë për ta përmirësuar integrimin e më shumë se 2,5 milionë turqve që jetojnë në Gjermani. Erdogani i tha gazetës Süddeutsche Zeitung se turqit që jetojnë në Gjermani duhet të mësojnë të flasin rrjedhshëm dhe pa akcent gjuhën gjermane.

Autor: Auron Dodi/Sean Sinico (ard/dpa)

Redaktoi: Esat Ahmeti