1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kancelarja në Bonn

Marcus Lütticke/ Auron Dodi26 Gusht 2013

Angela Merkel në stres të vazhdueshëm: krahas angazhimeve të zakonshme, ajo duhet të flasë edhe në fushatën elektorale. Vetëm gjatë muajit gusht ajo mbajti 23 fjalime. Në Bonn dominojnë megjithatë tema lokale.

https://p.dw.com/p/19Vuv
Fotografi: DW/M.Lütticke

"Simply the best" e Tina Turnerit ushton nga altoparlantët në Sheshin e Tregut në Bonn. Para bashkisë historike kanë ngritur një podium, dhe në sfond një pëlhurë për projektimin e videove.

Përpara ishte pjesë e jetës së përditshme që kryetarët e qeverive gjermane të mbanin fjalime në Bonn. Që nga Konrad Adenaueri, kancelari i parë i RFGJ deri te Gerhard Schröderi, të gjithë e kishin në Bonn zyrën e tyre. Pasi në vitin 1991 një shumicë e vogël deputetësh vendosi që qeveria të shpërngulet nga Bonni në Berlin, në vitin 1999, gjatë kohës në post të kancelarit Gerhard Schröder u krye shpërngulja në lumin Spree. Merkeli ishte e para që e nisi shërbimin si kancelare në Berlin.

Pritje miqësore

Në Bonn Merkeli vjen rrallë - megjithëse zyrtarisht e ka këtu zyrën e saj. Ajo do të flasë në orën 12 në qendër të Bonnit. Ambienti para podiumit mbushet dalëngadalë me njerëz. Në anën tjetër të sheshit, tregu i përditshëm i fshatarëve vazhdon si zakonisht. Heike Beckenhusen shet këtu fruta dhe perime. Më shumë xhiro vizita e kancelares deri tani nuk ka sjellë, thotë ajo.

Pak para se të vejë ora 12 sheshi gjallërohet. Ka mbërritur kancelarja. Mes njerëzve që presin hapet me shpejtësi një korridor i ngushtë në drejtim të tribunës. Policia dhe rojet personale lëvizin lart e poshtë. Dhe pastaj, me saktësi gati minute shfaqet kancelarja. Ajo shtrëngon disa duar, një pjesë e madhe njerëzish duartroket.

Fushatë elektorale në Bonn
Fushatë elektorale në BonnFotografi: DW/M.Lütticke

Deklaratë në mbështetje të "Qytetit Federal Bonn"

Për Merkelin duket si një lojë në fushën e vet, edhe nëse raporti i kancelares ndaj ish-kryeqytetit nuk është fare pa tensione. Për faktin që gjatë periudhës së saj në post, numri i punonjësve të ministrive federale që janë në Bonn është ulur nga mbi 50 përqind e numrit të përgjishëm në më pak se 40 përqind, për këtë Merkelin deputetët e Bonnit e kritikojnë ashpër.

Kështu që në krye të aktivitetit të saj elektoral kancelaren e pyet kandidatja e CDU-së për Bonn-in, se ç'mendon ajo për "Ligjin Berlin/Bonn", i cili e përcakton Bonn-in si vend pune për pjesën më të madhe të vendeve të punës të ministrive Federale. Merkeli i qetëson të pranishmit dhe bën një deklaratë të qartë për qytetin e Bonn-it. Për të vërtet që Bonni nuk ka qenë asnjëherë atdhe, po si ministre e Ambjentit nën Helmut Kohlin ajo ka banuar me shumë dëshirë në Bonn. Vetëm në kohën e Karnevaleve, që në zonën e Rinit festohet me shumë bujë, ajo udhëtonte në zonën e saj elektorale.

Kritikë të Merkelit
Kritikë të MerkelitFotografi: DW/M. Lütticke

Fjalë bosh apo me përmbajtje?

Pas këtyre fjalëve të drejtuara në mënyrë të veçantë publikut të Bonnit, kancelarja flet në mënyrë të përgjithshme për tregun e punës, për shpëtimin e euros, politikën e taksave dhe për shtetin social. Fishkëllimat mosaprovuese janë shumë të pakta, kundërshtarët e Merkelit e sinjalizojnë praninë vetëm me pankarta. Veç kësaj shpërndahen skeda, në të cilat mund të nënvizosh fjali standarde, që kancelarja i përdor shpesh.

Asnjë fjalë për sfiduesin

Ndërkohë, dielli që pak më parë shkëlqente është mbuluar nga retë dhe nis një shi i ngadaltë. Ndihmësit e fushatës elektorale shpërndajnë me shpejtësi qese për t'u mbrojtur nga shiu. "Falemnderit që duroni", thotë Merkeli. Por disa nga dëgjuesit kanë kërkuar ndërkohë mbrojtje nga shiu në dyqanet përreth.

Në fund të fjalës së saj Merkeli u bën thirrje dëgjuesve që të shkojnë në zgjedhje. "Nëse mendoni se ne bëjmë ofertë të mirë, atëherë shënojeni në fletë aprovimin për ne", thotë ajo. Asnjë fjalë për sfiduesin e saj, Peer Steinbrück të Partisë Socialdemokrate Gjermane.

Dhe po kaq me përpikmëri si erdhi, ashtu edhe largohet kancelarja pas një ore sërish nga rreth 4000 dëgjuesit. Pasi pushojnë edhe taktet e fundit të himnit kombëtar, që këndohet gjithmonë në fund të aktiviteteve elektorale të CDU-së, Merkeli kalon pas podiumit. Stacioni i ardhshëm: Wiesbaden-i.