1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kapitali i mërgimtarëve potencial investimesh

Fatos Musliu / Shkup3 Gusht 2012

Rreth 450.000 qytetarë të Maqedonisë gjenden përkohësisht për punë jashtë vendit. Autoritetet vlerësojnë se kapitali i mërgimtarëve është potencial i mirë për investime në ekonominë e vendit.

https://p.dw.com/p/15jTS
Pamje nga Ohri
Fotografi: Milco Jovanoski

Gjatë  muajve korrik dhe gusht në Maqedoni kthehet një numër i konsiderueshëm i mërgimtarëve për të pushuar në vendlindje. Ardhja e mërgimtarëve duhet të shfrytëzohet nga institucionet kompetente që atyre t'iu ofrohen informacione për orientimin e investimeve të tyre, nëse shprehin dëshirë për të investuar kapitalin në Maqedoni. Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë veriperëndimore, vlerësojnë se mërgimtarët janë një potencial i mirë investimi. Por për tërheqjen e kapitalit të tyre, ata para së gjithash duhet të informohen për kushtet të cilat ofrohen në  Maqedoni në planin e investimeve. Kështu thotë Menderes Kuqi, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë veriperendimore: “Do të sensibilizojmë investitorët e mundshëm, në këtë rast në diasporën e Amerikës, ngase atje kemi kapitalet më të fuqishme, në numër më të vogël, por janë më të fuqishme, e t'iu tregojmë se cilat janë përparësitë të investohet në vendin tonë, cila është rregullativa, cili është suporti që mund të japë Oda Ekonomike”.

Mërgimtarët dëshirojnë të investojnë në vendlindje

Gjithnjë sipas Menderes Kuqit, mërgimtarët dyshimet më të mëdha për të sjellë kapitalin e tyre në vendlindje i arsyetojnë me mosnjohjen e legjislaturës së vendit, mosbesimin tek institucionet, ndjenjën e ndonjë trajtimi të pabarabartë që mund t'i bëhet  mërgimtarëve që vendosin të investojne. Por megjithë problemet, mërgimtarët sërish janë të gatshëm të investojnë në Maqedoni.

“Ata kanë gadishmëri dhe duan, më parë kanë emocion sesa ndonjë përllogaritje ekonomike për përfitim në ndonjë projekt konkret. Është një investitor më shumë, është një kapital më tepër, i cili do të gjenerojë vlera nesër, dhe përmes kësaj janë rritur të gjitha ekonomitë kudo që janë”, thotë Kuqi.

Për të thithur investime nga mërgimtarët, duhet të rritet niveli infrastrukturor si dhe të ketë ligje të qëndrueshme, të cilat  nuk do të ndryshojnë çdo vit, sepse mërgimtarit i duhet legjislacion i qëndrueshëm, thotë Menderes Kuqi

Drejtori i Agjencionit për emigracion Osman Shukriu thotë se aktiviteti i tyre në këtë periudhë është përqëndruar në rajonin e Prespës, Tetovës, Kërçovës dhe Strugës, prej nga vjen numri më i madh i emigrantëve shqiptarë. Në manifestimet kulturore  që organizohen për nder të diasporës, mesatarisht ka nga 4 deri 5 mijë mërgimtarë, të cilët mes tjerash janë të interesuar për zhvillimet më të reja ekonomike në vend. 

“Informojmë mërgimtarët që sa më shumë të investojnë në vendlindjen e tyre. Jo vetëm të bëjnë shtëpi por edhe të investojnë në fabrika, minifabrika dhe në objekte të tjera të cilat janë në interes të kombit tonë”, thotë Osman Shukriu, drejtor i Agjencionit për emigracion.

Ministria e Ekonomisë dhe Agjencioni për investime të huaja  kanë paralajmëruar një fushatë më të ashpër sensibilizimi me mërgatën, për t'i siguruar ata se investimi i  kapitalit të tyre në ekonominë e vendit, do të jetë i sigurtë dhe i mirëseardhur. Llogaritet se rreth 450.000 qytetarë të Maqedonisë gjenden përkohësisht për punë jashtë vendit.