1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kardinalë nga fundi i botës

Christoph Strack5 Janar 2015

Kardinalët e ardhshëm do të jenë nga aq shumë vende sa kurrë më parë. Papa Françesku po e globalizon rrethin e kardinalëve.

https://p.dw.com/p/1EFFg
Fotografi: Andreas Solaro/AFP/Getty Images

Kur kardinali argjentinas Jorge Mario Bergoglio u prezantua më 13 mars 2013 nga katedralja e Shën Pjetrit në Vatikan si Papa Françesku, ai i tha se vinte nga "fundi i botës". Tani 78-vjeçari po sjell klerikë të tjerë nga "fundi i botës" për ta rinuar Kolegjin e Kardinalëve. Kardinalë nga Zelanda e Re, nga ishulli Tonga në Paqësorin e Jugut , nga Mianmari, Vietnami, Panamaja dhe Etiopia do të jenë nga 14 shkurti në rrethin e atyre që do të kenë të drejtë në rastin e mbledhjes së konklavës që të zgjedhin papën. Pesë nga 15 zgjedhësit e mundshëm të papës së ri vijnë nga Evropa, asnjë i vetëm nga Amerika e Veriut.

Kardinali më i ri do të jetë Soane Patita Paini Mafi, peshkopi i Tongës. Ai është vetëm 53 vjeç. Përndryshe mbizotërojnë klerikë nga mosh 66 deri 70 vjet.

Symbolbild Papst ernennt neue Kardinäle 4.1.2015
Fotografi: Vincenzo Pinto/AFP/Getty Images

Dialogu mes feve

Numri i kardinalëve që u takojnë urdhërave të ndryshëm është 15, por prej tyre nuk ka jezuitë si vetë Papa. Dy prej kardinalëve i takojnë Urdhërit të Silezianëve, që kujdeset sidomos për të rinjtë. Këtij urdhëri i takon edhe Charles Maung Bo (66) kryepeshkop Jangonit në Mianmar. Vetëm 1,3 % e 55 milionë banorëve të Mianmarit janë katolikë dhe Bo angazhohet për mbrojtjen e minoriteteve fetare dhe prë dialogun ndërfetar.

Në anën e të varfërve

Një vështrim mbi kardinalët nga Evropa tregon se ndër ta ka sigurisht dy italianë - por ata nuk vijnë nga Torino apo Venecia, kryepeshkopët e të cilëve tradicionalisht janë zgjedhur si kardinalë.

Në vend të tyre janë kryepeshkopi i Agrixhentos në Sicili, Francesco Montenegro - në dioqezën e të cilit bën pjesë dhe ishulli Lampedusa ku vijnë shumë refugjatë nga brigjet e Afrikës. Tjetri është kryepeshkopi Edoardo Menichelli i Ancona-Osimo. 75-vjeçari është i njohur për angazhimin e tij të vazhdueshëm për njerëzit e varfër dhe të margjinalizuar. Me zgjedhjen e Menichelli-t Papa Françesku bën të qartë se çfarë vlerëson tek kardinalët - pra angazhimin për të vafërfërit.

Karl-Josef Rauber
Karl-Josef RauberFotografi: cc-by-sa/Raboe001

Një gjerman

Tradicionalisht papët zgjedhin gjithmonë si kardinalë disa klerikë të moshuar. Në mesin e pesë kardinalëve të ardhshëm që janë mbi 80 vjeç, është edhe një gjerman: Karl-Josef Rauber, i cili pas daljes në pension jeton në Gjermaninë e Jugut dhe ka qenë për shumë vite diplomat i Vatikanit me reputacion të lartë. Po ashtu ai ka qenë edhe Kryetari i Akademisë Diplomatike Papnore (1990 - 1993). Me zgjedhjen e Rauber numri i kardinalëve gjermanë do të jetë njëmbëdhjetë. Katër prej tyre pritet të jenë edhe pjesëtarë të konklavës që zgjedh papën.

Ndërmarrje globale

Kështu pra kreu i Kishës Katolike po bëhet gjithënjë e më shumë ndërkombëtar. Papa Françesku po e zgjeron pothuajse demonstrativisht rrethin e zgjedhësve të papës. 110 kardinalët e tanishëm me të drejtë vote vijnë nga 50 vende - nga 14 shkurti do të ketë 125 kardinalë me të drejtë vote nga 59 vende. Edhe numri i evropianëve po vjen duke u ulur. Në shkurt 2014 çdo i dyti zgjedhës i mundshëm i papës ishte nga Evropa, nga mesi i shkurti ata do të jenë rreth 46%.

Papst Franziskus Rückreise nach Rom 30.11.2014
Fotografi: Reuters/T. Gentile

Në fund të fundit vetëm një ndër katër katolikë që ka bota jeton në Evropë. Amerika Latine, Azia, Afrika - janë rajonet e botës që formësojnë Kishën Katolike sot. Papa i parë nga Amerika Latine po e kthen Kishën Katolike, së cilës i pëlqen të shohë veten si lojtari më i vjetër botëror, në një ndërmarrje me të vërtetë globale.