1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Afghanistan Abdullah Rückzug

2 Nëntor 2009

Pak ditë para zgjedhjeve të balotazhit në Afganistan udhëheqësi i opozitës Abdullah tërhoqi kandidaturën. Megjithatë, mbajtësi i postit Karzai dhe Komisioni Zgjedhor i Pavarur duan t'i përmbahen datës së zgjedhjeve.

https://p.dw.com/p/KLWf
Abdullah Abdullahu tërhiqet nga zgjedhjet e balotazhit në Afganistan
Abdullah Abdullahu tërhiqet nga zgjedhjet e balotazhit në AfganistanFotografi: DW

Hap pas për procesin demokratik?

Ishte edhe një herë një demonstrim force: Rroftë Abdullah Abdullahu. Me këto fjalë e festuan kandidatin e tyre qindra përkrahësit e mbledhur në një çadër gjigante në kryeqytetin Kabul. Të kuptohemi mirë, ata po festonin një dorëheqje:

"Për Abdullahun nuk do të kishte kuptim të marrte pjesë: me manipulimin do të ishte bërë si në raundin e parë. Atëherë, përse t'ia bënte vetes këtë?"

Ndoshta nga këndvështrimi i ish-ministrit të jashtëm vendimi kishte kuptim, por nëse tërheqja e Abdullahut nuk e hedh njëkohësisht në mënyrë vendimtare pas procesin demokratik, kjo është një pyetje, që shtrohet shpesh tani: sidoqoftë Abdullahu e ka futur rivalin e tij në një gjendje të ndërlikuar. Në rast se balotazhi nuk zhvillohet dhe Karzai si të thuash zgjidhet pa betejë si president, atij do t'i ngjitet nami se ka fituar vetëm prej manipulimeve të raundit të parë. Po qe se balotazhi zhvillohet dhe Karzai konkurron në parim kundër vetes, kjo mendohet se do të vlerësohet gjerësisht si një shaka. Megjithatë kampi i Karzait duket se ka ndër mend të bëjë pikërisht këtë:

"Tani duhet të presim, se si do të shprehen autoritetet, që merren me këtë çështje. Natyrisht qëndrimi ynë është se zgjedhjet janë e drejtë e njerëzve në Afganistan. Tërheqja e dr. Abdullahut ishte vendimi i tij personal. Kjo nuk duhet të ndikojë tek zgjedhjet."


Rivalët mund të bëjnë një pazar politik

Kështu gjykon menaxheri i fushatës zgjedhore të Karzait, Uahid Omar dhe ngjashëm është shprehur deri tani edhe komisioni zgjedhor. Por krejt ndryshe e vlerëson çështjen bashkësia ndërkombëtare, siç mësohet prej qarqeve diplomatike në Kabul. Të rrezikosh jetë njerëzish për zgjedhje, që në fakt nuk janë zgjedhje, kjo nuk mund të jetë në interesin e saj. Sepse talibanët paralajmëruan një seri atentatesh. Spekulohet, se rivalët mund të bëjnë një pazar politik. Kjo pasi si në kushtetutën afgane, ashtu edhe në ligjin zgjedhor nuk gjendet fjali sqaruese për këtë gjendje të bërë lëmsh. Prandaj janë të shumtë ata, që thonë se këtu duhet të vendosë gjykata e lartë. Sido që të jetë, aktualisht duket se Hamid Karzai do të bëhet sërish president. Njëherë për njëherë Abdullahu ka dhënë dorëheqjen, por ai mund edhe t'i afrohej përsëri Karzait. Por për momentin nuk ka shenja, që të tregonin se Karzai është i interesuar për një gjë të tillë.

Autor: Kai Küstner/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Auron Dodi