1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Katalonjë: "Rajoy nuk do të plotësojë dëshirat e askujt"

Friedel Taube
1 Nëntor 2017

Qeveria rajonale në Barcelonë u shkarkua. Si do të vejë më tej puna? Günther Maihold i Fondacionit Shkenca dhe Politika në Berlin i rekomandon qeverisë së Madridit që të veprojë e rezervuar.

https://p.dw.com/p/2mpcg
Günther Maihold / Politologe / SWP
Fotografi: SWP

DW: Ngjarjet në Katalonjë po zhvillohen me shpejtësi. A po dobësohet kampi i separatistëve nga masat e imponuara - apo përkundrazi po forcohet?

Günther Maihold: Kjo do të varet shumë nga mënyra si do t'i vërë në jetë qeveria spanjolle këto masa. Nëse vendos të ndërhyjë në mënyrë të ashpër, e cila do t'u japë separatistëve mundësinë që të ndërmarrin herë pas here aksione kundër kësaj ndërhyrjeje dhe të krijojnë martirë, atëherë do të kemi një kohë të vështirë. Po të vendosë të ndjekë një strategji inteligjente dhe urdhëron pak masa imponuese dhe në vend të kësaj të veprojë me një drejtim të punëve që nga Madridi, pa prani në vend, atëherë mund të kemi ujëra të qeta për zbatimin e nenit 155 deri në zgjedhjet në 21 dhjetor.

Çfarë i rekomandoni Madridit?

Caktimi i një date relativisht të afërt për zgjedhjet është një vendim pozitiv, sepse në këtë mënyrë kartat do të përzihen nga e para brenda kampit separatist. Nga ana tjetër, për të gjithë do të bëhet i dukshëm një produkt i zbatimit të nenit 155, sepse është e qartë që do të ketë një parlament të ri. Pastaj do të zhvillohen negociata të reja se mbi ç'baza do të jenë marrëdhëniet midis Barcelonës dhe Madridit. Një zbatim i rezervuar i masave gjithsesi është ajo që mund të këshillohet.

Që para së premtes së shkuar ishte e qartë se një shpallje pavarësie nuk do të kishte shanse realiste. A nuk eci në rrugë pa krye lëvizja separatiste, megjithëse e kuptonte këtë?

Ata donin që t'i binin me çdo kusht kësaj "shtylle politike". Ata shpërndanë një shpallje pavarësie në botë dhe thanë: "Kjo është pika prej së cilës do të zhvillojmë ne negociata". Kështu mund të kuptohej ajo që bënë ata. Askush nuk beson se në këtë mënyrë do të vihet në lëvizje një proces kushtetues, edhe nëse disa përpiqen ta paraqesin si të tillë. Një gjë është e qartë tani: pika tjetër e referencës janë zgjedhjet. Besoj se faza akute, ku shkallëzohet gjithçka ka kaluar.

Puigdemont në Bruksel
Puigdemont në BrukselFotografi: Reuters/Y. Herman

A ka vullnet Mariano Rahoy që t'i afrojë qëndrimet me katalanët - edhe në çështje të financave? A duhet ta bëjë këtë?

Ai nuk do t'i bëjë askujt lëshime, sepse po punon krejtësisht për një fitore të mbështetësve të Spanjës në 21 dhjetor. Pastaj në Barcelonë, një parlament i ri do ta tërhiqte deklaratën e pavarësisë ose do ta shndërronte në një marrëveshje negociuese. Për të negociatat do të bëhen vetëm atëherë, kur të jetë konstituar një parlament i ri, legjitim.

Po çfarë do të ndodhë sikur në zgjedhje të fitojnë separatistët?

Ashtu si në rastin e parë, edhe në këtë rast kërkohen negociata. Do të duhet të flitet për përhapjen e lëvizjes së pavarësisë. Do të kishim të bënim me çështje të kushteve të autonomisë, në rast nevoje edhe me kushtet e mundësitë e sovranitetit.

A është i kohës shteti spanjoll i autonomive? Apo Spanja ka nevojë për strukturë federale?

Pika vendimtare është që lëvizja katalanase është kundër një rendi federativ. Katalonja ka një identitet historik dhe prandaj duhet të trajtohet gjithmonë më ndryshe se identitete të tjera rajonale. Prandaj modeli gjerman i kalimit nga një shtet centralist në një shtet federal nuk mund të zbatohet kaq lehtë në Spanjë. Por megjithatë do të kishte kuptim që statutet e autonomive të ndryshoheshin në atë masë, sa të arrihet në një statut të parashikueshëm. Aktualisht gjithmonë shumë gjëra varen nga vullneti përkatës i mirë i kryeministrit spanjoll.

 

Günther Maihold është nëndrejtor i Fondacionit Shkenca dhe Politika në Berlin. Fokusi i tij ndër të tjera janë Amerika Latine, Spanja dhe kriminaliteti i organizuar.