1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kermabon: EULEX-i do të shtrihet në të gjithë territorin e Kosovës

Bekim Shehu31 Mars 2008

Rendi dhe ligji duhet të vendoset në Kosovë sepse, vetëm në këtë mënyrë do të ketë paqe dhe stabilitet, u shpreh sot përfaqësuesi i BE-së për polici dhe drejtësi në Kosovë, Yves de Kermabon.

https://p.dw.com/p/DXoe
Trazira në MitrovicëFotografi: AP

Misioni i BE-së për policinë dhe drejtësinë do të shtrihet në tërë territorin e Kosovës. Përfaqësuesi i BE-së për policinë dhe drejtësinë në Kosovë, Yves de Kermabon ka besim se kjo do të arrihet. Ai është i vendosur që misionin e EULEX-it ta shtrijë në tërë territorin e Kosovës, pavarësisht kundërshtimit të serbëve të veriut të Kosovës.

Së bashku me autoritetet e Kosovës do ta vlerësojmë gjendjen në terren dhe shumë shpejt do të veprojmë, tha Kermabon. Këto komente, përfaqësuesi i BE-së, për policinë dhe drejtësinë, Yves de Kermabon, i bëri pas një takimi që zhvilloi me komisionerin e policisë së Kosovës, gjeneralin, Sheremet Ahmeti.

Yves de Kermabon: "Shqetësimi i misionit të EULEX-it, vazhdon të jetë shtrirja në tërë territorin e Kosovës, ju e dini këtë shumë mirë, mirëpo ne jemi të vendosur që të operojmë në tërë teritorin e Kosovës".

General Yves de Kermabon EULEX Kosovo
Yves de KermabonFotografi: Ministère de la Défense/France

Sipas zotit, Kermabo, disa pjesëtarë të misionit të ri të BE-së në Kosovë, disa ditë pas shpalljes së pavarësisë, u larguan nga pjesa veriore e Kosovës për shkaqe sigurie. Ata akoma nuk janë kthyer në këtë pjesë, po ata do të kthehen shumë shpejt në vendet e tyre të punës.

Një shqetësim tjetër, për shefin e misionit të EULEX-it, është edhe largimi i disa pjesëtarëve të komunitetit serb nga SHPK. Ai tha se shpreson që ata të kthehen të vendet e tyre të punës. "Për mua SHPK është një polici shumëetnike dhe unë jam i lumtur të punojë me një polici të tillë, prapë vazhdoj ta mbaj qëndrimin se misioni i EULEX-it do të shtrihet në tërë territorin e Kosovës" , tha Yves de Kermabon.

Në raportin e fundit të organizatës, Human Right Watch, është kritikuar sistemi i drejtësisë në Kosovë, madje ai u cilësua si një sistem i thyer. Në raport u rekomandua që institucionet e Kosovës së bashku me misionin e ri të BE-së, EULEX- të punojnë shumë më shumë në mënyrë që në të gjithë territorin e Kosovës të vendoset rendi dhe ligji, ta parandalohen aktet e dhunshme dhe shkaktarët e trazirave siç ishin ato të 17 marsit të këtij viti në pjesën veriore të Mitrovicës të dalin përpara drejtësisë.