1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kievi: asnjë kontroll më mbi lindjen e Ukrainës

exh (afpe, APE, rtr, dpa)1 Maj 2014

Luftës së nervave për vazhguesit e OSBE-së që mbahen peng në lindje të Ukrainës, nuk i duket fundi. Kancelarja Merkel ka telefonuar me Presidentin Putin për t'i kërkuar të ndërhyjë në lirimin e pengjeve.

https://p.dw.com/p/1BrzB
Fotografi: picture-alliance/dpa

Drejtuesit e qeverisë kalimtare në Ukrainë janë detyruar të pranojnë se potenciali i tyre ushtarak është i kufizuar: në lindje të Ukrainës ndërkohë më shumë se një duzinë qytetesh janë nën kontrollin e milicëve pro-rusë. Fillimisht Kievi shpalli "gadishmërinë e plotë luftarake" të forcave të armatosura. Presidenti i përkohshëm Aleksander Turçinov pranoi hapur se forcat e tij të sigurisë janë "të pafuqishme" përballë separatistëve pro-rusë. Kievi ka humbur kontrollin mbi disa pjesë të vendit të tronditur nga kriza. Kjo vlen në veçanti për krahinat në lindje të Ukrainës Donezk dhe Luhansk.

"Dëbohet atasheu ushtarak i Rusisë"

Sipas një lajmi të agjencisë APF, qeveria ukrainase ka urdhëruar arrestimin e atasheut ushtarak rus në Kiev dhe e ka shpallur atë "persona non grata" nën akuzën për spiunazh. Këtë e bëri të ditur në një deklaratë për shtyp Ministria e Jashtme në Kiev, e cila është përcjellë nga mediet ukrainase. Atasheu ushtarak, i cili nuk përmendet me emër, është kapur "gjatë kryerjes së veprës" dhe ka kryer aktivitete të cilat "nuk janë në përputhje me statusin e tij diplomatik", thuhet në deklaratë. Ai duhet të largohet sa më shpejt të jetë e mundur nga Ukraina.

Separatistët pro-rusë në Slovjansk paraqesin para gazetarëve inspektorët e OSBE të marrë peng. 27.04.2014
Separatistët pro-rusë në Slovjansk paraqesin para gazetarëve inspektorët e OSBE të marrë peng. 27.04.2014Fotografi: picture-alliance/dpa

Akuza për spiunazh pati luajtor rol edhe në ndalimin e vëzhguesve ushtarakë perëndimorë, të cilët tashmë prej një jave ndodhen në duart e separatistëve pro-rusë në Slovjansk. Të mërkurën (30.04.) deklaratat e Presidentit rus Vladimir Putin ngjallën shpresa për një lirim të shpejtë të grupit të OSBE-së. Edhe drejtuesi i milicëve Vjatsheslav Ponomarjov kishte bërë të ditur se vëzhguesit do të lirohen së shpejti. Por bisedimet për lirimin e pengjeve po zgjasin. Ponomarjov nuk dha detaje. Ndër vëzhguesit e OSBE-së gjenden tre ushtarë të Bundeswehr-it dhe një përkthyes nga Gjermania.

Merkel kërkon nga Putin të ndërhyjë

Sipas të dhënave nga Kremlini kancelarja gjermane Angela Merkel, në një telefonatë me Presidentin Putin të enjten (1.5.) i ka kërkuar atij mbështetje për lirimin e shpejtë të vëzhguesve të OSBE-së. Putin nga ana e tij ka kërkuar tërheqjen e trupave qeveritare ukrainase nga lindja e vendit, dhënien fund dhunës dhe një dialog kombëtar.

Kancelarja Merkel përjashtoi përsëri një ndërhyrje ushtarake në krizën e Ukrainës. Mësimet nga dy luftërat botërore nuk duhet të harrohen, tha kancelarja të mërkurën (30.04.) në Frankfurt në një aktivitet elektoral për zgjedhjet evropiane. "Unë do të vazhdoj edhe më tej të përpiqem për një partneritet të mirë me Rusinë", ka shtuar më tej Merkel.