1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kina e vogël në Itali

Megan Williams11 Nëntor 2015

Papa vizitoi Praton. Në qytetin industrial kreu i Kishës Katolike tërhoqi vëmendjen sërish ndaj gjendjes së rënduar të punëtorëve që shfrytëzohen. Pjesa më e madhe e tyre janë kinezë, siç raporton Megan Williams.

https://p.dw.com/p/1H3uX
Italien - Textilfabrik Prato, Chinesische Arbeiter
Fotografi: picture-alliance/ROPI

Ishte dimër, mëngjes herët, kur unë, i ulur në ndenjësen e pasme të një makine të policisë italiane, kalova përpara një vargu ndërtesash të ulëta prej tulle. Të ashtuquajturat „kapanone“, fabrika të vogla, kufizonin dy anët e rrugëve të zonës industriale të Pratos. Ne udhëtuam nëpër Toskanë, në veriperëndim të Firences.

Prato dikur ka qenë pararojë në prodhimin e mallrave prej leshi të cilësisë së lartë. Deri në vitin 2000 qyteti eksportonte tekstile me vlerë 7 miliardë euro. Por presioni i konkurrencës nga Evropa Lindore, Afrika, Bangladeshi dhe natyrisht Kina filloi të ndihej. Atje krahu i punës kushton lirë dhe, pasi gjysma e fabrikave kishin qenë të detyruara të mbylleshin, atje u shpërngul edhe pjesa e ngelur nga industria tekstile e Pratos.

Chinesische Textilindustrie in Prato Italien 5 von 23
Fotografi: DW

Në ndërtesat e vjetra zunë vend prodhuesit e tekstileve nga Kina, për të cilët koncepti i mbrojtjes në punë shpesh ishte i panjohur. Autoritet u përpoqën të kundërvepronin, por në të shumtën e rasteve suksesi qe i vogël. Edhe makina e policisë, në të cilën gjendesha unë, ishte nisur drejt një aksioni. Destinacioni: njëra nga qindra punishtet e rrënuara, në të cilat punëtorët pas makinave qepëse djersijnë dhe qepin pa pushim veshje të lira. Veshje që evropianët i blejnë me qejf dhe me shumicë.

Asnjë dritë, shumë pisllëk

Policët shpërthyen një derë anësore dhe duke ndjekur ata, unë hyra në një dhomë të madhe, sa një palestër, të tejmbushur me makina qepëse, dyshemeja e zhytur nën mbeturina pëlhurash, dritaret – të mbuluara me një copë plasike të zezë. Në një kënd pllaka zdrukthi të mbërthyera pa kujdes me njëra-tjetrën shërbenin si mure ndarëse. Një kuzhinë, një banjo, shumë pisllëk.

Rreth 20 të rinj dolën nga errësira duke fërkuar sytë – më shumë të çuditur sesa të frikësuar. Policia u kontrolloi pasaportat. Tre nga punëtorët nuk kishin leje qëndrimi. Pa dëshirën e tyre, ata mlodhën në qese të mëdha plastike gjithë ç'kishin, veshje, kompjutera, wok-ë (tigan tradicional kinez) dhe ushqime të ngrira. Dera e fabrikës u kyç me zinxhir të trashë. Papritur u shfaqën disa makina, punëtorët hipën në to, me gjasa për të shkuar në një kapanon tjetër fabrike.

Shtatë të vdekur mes pllakave prej zdrukthi

Ky aksion policor i përket 4 viteve më parë. Që nga viti 2008, policia ka ndërmarrë rreth 2000 aksione të tilla, gati gjysmës së fabrikave u ka vënë drynin, për shkak të shkeljes së dispozitave për mbrojtjen dhe sigurinë në punë. Të gjithë e dine, se më pas, administratorët e tyre thjesht shpërngulen në ndërtesën e radhës dhe vazhdojnë punën si më parë, nën një emër të ri. Kryeartikuj në media për Praton? I fundit i përket 2013-ës, kur një nga „kapanonet“ mori flakë dhe shtatë punëtorë vdiqën mes mureve ndarës prej kompesate.

Italien - Textilfabrik Prato, Feuer
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kjo ngjarje bëri që autoritetet të paktën të forconin kontrollet. Pati 5 akuza për vrasje. Edhe dy italianët, të cilëve u përkiste ndërtesa, dolën para gjygjit. Ministrat e Drejtësisë të Italisë dhe të Kinës ranë dakord për një bashkëpunim më të mirë në luftën kundër krimit të organizuar. Por, thotë hulumtuesi i mafias Franco Roberti, grupi i kinezëve në Prato „ka lidhje të brendshme të ngushta dhe është e vështirë të depërtosh.“

Import, eksport, inate

Ndër rreth 200.000 banorët e Pratos, gati një në pesë veta ka origjinë kineze, më shumë se në çdo vend tjetër në Evropë. Këtu ka konflikte, duke filluar me restorantet, që për shumë italianë janë tepër të zhurmshëm dhe qëndrojnë hapur deri natën vonë, e deri tek zilia dhe inati ndaj biznesmenëve kinezë, të cilët demonstrojnë pasurinë e tyre të re dhe ngasin makinat më të mëdha e më të shtrenjta.

Marco Wong punon këtu në import-eksport, ai ka lindur dhe është rritur në Itali. Ai thotë se, kur ka grindje, janë kinezët ata që dalin të lagur në të shumtën e rasteve. Kështu ka ndodhur edhe pak kohë më parë, kur në rrugë, përpara një restoranti kinez, pati një përleshje. „Autoritetet natyrisht që i besuan versionit të historisë të dhënë nga italianët, dhe menjëherë më pas inspektuan restorantin. Shumë kinezë e shohin këtë si një shenjë tjetër të përndjekjes së tyre.

Wong po bën përpjekje që kinezët e Pratos të thonë fjalën e tyre në politikë. Ai ka kandiduar dy herë për Këshillin Bashkiak si i majtë, por të dyja herët ka humbur. Para 6 vjetësh ai mori 24 vota, vitin e kaluar arriti të marrë 241. „Tani ka më shumë qytetarë me origjinë kineze, që kanë pasaportë italiane“, thotë ai. „Kina nuk lejon nënshtetësi të dyfishtë. Prandaj këta janë njerëz që me të vërtetë duan të qëndrojnë këtu.“

Italien Fabrikbrand in Prato
Fotografi: picture alliance/AP Photo/F. Giovannozzi

18 orë, 7 ditë

Por ka edhe përparime, megjithëse të ngadalta. Shoqata e ndërmarrjeve artizanale të vogla dhe të mesme ka njoftuar se do të përmirësojë këshillimin e sipërmarrjeve kineze, ndërmarrjet e të cilave regjistrohen në Prato, sidomos përsa i përket çështjeve të shëndetit dhe të sigurisë. Megjithatë do të vazhdojë të jetë e vështirë që të pengohet hyrja ilegale në Itali e punëtorëve kinezë. Gjithashtu i pashmangshëm do të jetë edhe fluksi i miliarda Eurove të pataksuara drejt Kinës.

Tjetër pjesë e problemit: shumë prej punëtorëve këtu nuk e kanë të qartë se ata po shfrytëzohen. Fundja edhe në Kinë ata punojnë në kushte të ngjashme – por me 2-3 Euro në orë këtu ata fitojnë dyfishin. Gjatë vizitës sime të fundit në Prato, unë u takova me punëtorin e tekstileve, 28-vjeçarin Wei Dingwen. Ai punon 7 ditët e javës, 18 orë në ditë, me një pagë ditore prej rreth 40 Eurosh, kështu Dingwen. Paga e parë vjetore shkon e gjitha për të paguar trafikantët, të cilët e kanë sjellë këtu, shton ai. Pastaj, me një buzëqeshje në fytyrë, më thotë se ai e pëlqen punën e tij. „Sepse punë do të thotë para.“