1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kina i kthehet së kaluarës

Matthias von Hein / Esat Ahmeti30 Gusht 2013

Pekini vepron gjithnjë e më ashpër kundër aktivistëve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Partia po përdor gjithnjë e më shumë metodat neomaoiste. Liberalizimi i ekonomisë ballafaqohet kështu me politikën.

https://p.dw.com/p/19YmN
Fotografi: dapd

Procesi gjyqësor kundër ish-yllit politik Bo Xilai ka mbaruar. Partia Komuniste e Kinës ka tentuar t'i japë fund skandalit më të madh politik në dekadat e fundit. Me Bo Xilai-n, pas grillave zhduket bartësi i shpresave të së ashtuquajturës "E Majta e Re". Por politika neomaoiste e iniciuar nga ai vazhdon të jetojë edhe më tej. Ajo do të vazhdohet pikërisht nga kundërshtari i tij politik, kryetari i ri i Kinës dhe shefi i partisë Xi Jinping. Sebastian Heilmann, studiuesi Kinës në Universitetin e Trier-it, sheh një risi në faktin që shefi i partisë vazhdon me promovimin dhe përdorimin e koncepteve, metodave dhe programeve politike të një personi që ndodhet në gjyq. "Autori Bo Xilai po ndahet nga programi i tij", thotë Heilmann.

Vëzhgues të zhvillimeve politike në Kinë ka kohë që kanë regjistruar kthimin e udhëheqjes së re kineze në retorikën maoiste. Publicisti i Hong Kong-ut Willy Lam aktualisht është duke shkruar një libër në lidhje me Xi Jinping. Qysh se Xi Jinping u zgjodh nëntorin e kaluar lider i partisë, ai ka filluar një linjë konservatore që dikush mund ta përshkruaj edhe si linjë maoiste, thotë Lam. Në fakt, shefi i ri i shtetit dhe i partisë kineze mbështetet mbi trashëgiminë e Maos si asnjë udhëheqës tjetër kinez që nga vdekja e "kryetarit të madh" në vitin 1976: Xi ka vizituar përmendoren e Maos. Ai doli kundër përpunimit të krimeve dhe gabimeve katastrofike të Maos. Në qershor, Xi iu bashkua një "fushate të madhe korrektuese" në stilin maoist. Kështu për një vit partia duhet të pastrohet nga "ekstravaganca" dhe korrupsioni. Dhe e gjithë partia duhet të "rreshtohet në një linjë".

Shtatë tema tabu

Përveç kësaj, sqaron Willy Lam, lidershipi i ri i partisë ka forcuar edhe kontrollin mbi ideologjinë dhe mediat. Gazetari i Hong Kong-ut i referohet në mënyrë të veçantë të ashtuquajturit "Dokumentit Nr 9." Ky dokument që qarkullon në qarqet e partisë në mbarë vendin paralajmëron nga shtatë kërcënimet për ideologjinë e shtetit. Shtatë tema me të cilat nuk duhet të mirren as shkollat e as mediat: Vlerat universale, shoqëria civile, të drejtat civile, liria e shtypit, pavarësia e gjyqësorit, gabimet e partisë në të kaluarën dhe privilegjet e kuadrove.

Në foto: Bo Xilai në gjykatë ( 25.08. 2013)
Në foto: Bo Xilai në gjykatë ( 25.08. 2013)Fotografi: picture-alliance/AP

Që nga korriku i vitit 2013, shtypi është futur përsëri në kursin e partisë. Për shkak se cilësia e gazetarisë kishte rënë u desh të trajnohen më tepër se 300.000 gazetarë. Bëhet fjapë për "vlerat thelbësore" që përcillen në kurse disaditore, njoftonte shtypi qeveritar "Gazeta e Popullit".

Sebastian Heilmann sheh në kthimin e botës së mendimit maoist para së gjithash një mashtrim retorik. "Lidershipi politik dëshiron të fitojë mbështetje në spektrin e majtë të shoqërisë." Dhe kjo nuk është për t'u nënvlerësuar, thekson Heilmann i cili ka parasysh sondazhet kineze: "Edhe në provincën jugore me bum ekonomik Guangdong 38 përqind e të anketuarve anojnë nga qëndrimet majtiste. Ata gjithashtu kanë një lloj nostalgjie për Mao-n. Po ashtu bëhet fjalë edhe për çështjen e barazisë sociale dhe ato janë forca të fuqishme që nuk mund t'i injorojë asnjë lider kinez", thotë eksperti i Kinës nga Trieri.

Një lojë e dyfishtë

Në tetor zhvillon punmet Plenumi i tretë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës. Me sa duket në të do të prezantohen planet për reformat ekonomike të qeverisë së re. Pritet prezantimi i një programi që angazhohet për më shumë konsum të brendshëm, për liri më të madhe të bizneseve për të ruajtur rritjen ekonomike. Heilmann pret një promovim të veçantë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme private. Sigurisht që kjo nuk është politikë e krahut të majtë. Prandaj Heilmann flet për një "lojë të dyfishtë": "Në fushën e reformave ekonomike, ka një angazhim të qartë. Ndërsa në fushën politike është i nevojshëm konsolidimi i pushtetit prandaj udhëheqja e re përdor retorikën e krahut të majtë..." Sipas Willy Lam: "Që nga ardhja në pushtet e Deng Xiaoping është bërë një ndarje në mes të biznesit dhe politikës. Ekonomia mund të liberalizohet në një masë të caktuar, forcat e tregut mund të futen në ekonomi. Por në arenën politike dhe ideologjike ushtrohet një kontroll i rreptë i cili nuk toleron mendimet ndryshe."

Presidenti i Kinës, Xi Jinping
Presidenti i Kinës, Xi JinpingFotografi: Reuters